ME VETËTIMËN E KUQE TË GOTËS SË VERËS

Vjollca Tiku Pasku

ME VETËTIMËN E KUQE TË GOTËS SË VERËS

Nëse  kohën dua ta kap rob,
të ndalojë për pak akrepat e sahatit,
më parë do pyes ujërat,
rrjedhat e lumenjve të deteve,
titanët e zhurmës së lindur prej tyre
që përhapen në ajër…
do pyes shkëmbinjtë
që puthen e lëpihen prej stërkalave
gurët që fshehin imazhe
nën gjirin e fortë krijuar me vet kohën.

Nëse  dua kohën ta kap rob,
të ndalojë për pak akrepat e sahatit,
do pyes borën e qytetit tim
që vallëzon  dhe luan me mjegullën
për të  krijuar pendë të bardha nëpër pemë..
Oh, kristalet e saj dridhen
nga puthja e etshme  e diellit,
që tretet për të përqafuar tokën sërish
 me magjinë e bardhë të qiellit.

Nëse dua kohë ta kap rob,
të ndalojë për pak akrepat e sahatit,
do pyes yllin e bardhë
që nuk fle e shkruan bëmat e historisë,
me flak të  pavdekshme  rri ndezur,
me sy yjorë shkëlqyes shkruan  gëzimin,
me lot flake shkruan hidhërimin,
dhe ngre flakën me valvolat e hidrogjenit.

Nëse dua kohën ta kap rob,
ta ndalojë për pak akrepat e sahatit,
së fundi do pyes ëndrrat e njerëzimit,
dritat  që lindin nëpër qerpik,
fantazite e ngjitur në fronin e suksesit,
harqet e ylbereve të gëzimit
ku dirigjojnë portat e hapura
nga përpjekjet e mundimet nëpër rrugët e jetës.

Por  koha do eci dhe  era e viteve do kaloj,
panvarësisht se ditë të mërzitura apo të qeta do flemë,
mburojën e shpresës e mbajmë në cdo minut,
në jetë nuk dorëzohemi nga magnetët e stuhisë..
Ngremë gotat e verës
e me një vetëtimë të kuqe fjale
Gëzuar!…
Me shëndet e dashuri  qofshim përherë  rrethuar!….

Vjollca Tiku Pasku