ME PENË E ME PUSHKË DERI TE LIRIA

Përurim libri

Sot, më 15 shtator 2017, në sallën e madhe të QK „Hasan Prishtina“ në Vushtrri, në mënyrë madhështor u bë përurimi i monografisë „Arsimi në Strofc dhe në fshatrat përreth tij“ të autorit Habib Mustafa.

 

         Bedri TAHIRI

ME PENË E ME PUSHKË DERI TE LIRIA

 

Edhe kur kryet na mbulojnё thinjat,

Nё mendje do sjellim njё emen nderues

Emen tё dashtun porsi fёmijnia,

Emnin e thjeshtё, por tё madh-MЁSUES!                                                                                                                          (Llazar Siliqi)

 

Historia e popullit shqiptar është, sa e dhimbshme, aq edhe krenare. Përherë luftëra e  beteja, sakrificë e mbijetesë. Fati i popullit tim është edhe fati im,- thoshte mendjendrituri ynë, Pjetër Bogdani. Lirisht mund të thuhet  edhe ndryshe: Fati i popullit shqiptar është edhe fati i shkollës shqipe. Pushka dhe pena, denbabaden, bashkëjetuan të pandara, si vëllezërit siamezë. Njëra pa tjetrën as që mund të mendonin gjallimin e tyre nëpër kapërcyellët historikë.

Shkolla shqipe, që kur nisi çapin e parë, në Korçën e lulëzuar, më 7 mars 1887, dhe mësuesit e saj të parë u shndërruan në lulëkuqe lirie, bëri rrugë shumë të mundimshme e përplot sakrifica. Dëshmorët e saj ëndërruan ditën e bardhë dhe synuan drejt shtigjeve të ardhmërisë. Ata, me gjakun e tyre të shtrenjtë, qëndisen abecenë tonë lavdiplote dhe mbëltuan pemën e bukur të lirisë.

Ky avaz vazhdoi thuajese deri në ditët e sotme. Kemi shembuj e shembuj që e dëshmojnë këtë. E tillë është edhe shkolla “Liria” e Strofcit me simotrat e saj përreth, për të cilat, këto ditë një lapidar përjetësie ngriti z. Habib Mustafa, duke botuar librin monografik “Arsimi në Strofc dhe në fshatrat përreth tij“.

Titulli i recensionit tim, besoj reflekton denjësisht edhe për librin “Arsimi në Strofc dhe në fshatrat përreth tij”, edhe për vetë autorin e saj, z. Habib Mustafa. E them këtë me kompetencë, ngase brenda librit frymojnë e bashkëveprojnë engjëjt e dritës dhe të lirisë, ata, që me penë e pushkë, mbijetuan çdo zezonë dhe suksesshëm çan shtigjet drejt ardhmërisë. Më mirë se kujtdo kjo i vete për shtati mësimdhënësit e luftëtarit të lirisë, autorit të palodhur, z. Habib Mustafa.

Pra, pas një pune sistematike disavjeçare, ky punëtor i zellshëm, materialin e shumtë, të mbledhur si bleta nektarin, nëpër literaturë e publikime, nëpër arkive e dokumente, nga goja e popullit e nga vetë protagonistët, shumë edhe të përjetuar vetë, arriti të na jap një vepër me vlera të shumëfishta arsimore-pedagogjike, historike-gjeografike, etnografike e dokumentare.

Sidoqoftë, monografia “Arsimi në Strofc dhe në fshatrat përreth tij”, edhe pse ka shumë tituj e nëntituj dhe paraqet një mozaik të larmishëm tematik e përmbajtjesor, me një Hyrje, një Përfundim e një Fotoalbum, është konceptuar në gjashtë kapituj:

  1. Vështrimi i shkurtër gjeografik dhe historik,
  2. Vitet shkollore në kohën e gjendjes së luftës,
  3. Të dhëna mbi vrasjet, plagosjet dhe maltretimet e nxënësve dhe të arsimtarëve të shkollës së Strofcit,
  4. Organet qeverisëse dhe aktet normative të shkollës së Strofcit,
  5. Shënimet jetëshkrimore dhe
  6. Dëshmorët e lirisë.

 

Kapitulli i parë, që mund të merret edhe si hyrje e librit, sqaron çdo gjë që ka të bëjë me Strofcin: pozitën gjeografike, popullsinë, besimet, migrimet, lagjet, familjet, ekonominë, djegiet, shkatërrimet, pasuritë natyrore etj. Duhet veçuar se kësaj radhe autori Habib Mustafa ka dalë më një version të ri, shumë të kapshëm e të logjikshëm, për toponimin Artakoll, duke e lidhur me togfjalëshin Arat e Kolës.

Dihet se strumbullarin e librit e përbën arsimi dhe edukimi i brezave të rinj në vendbanimet rrëzë Qyqavicës, me theks të veçantë në shkollën “Liria” të Strofcit, që është një unikat e llojit të vet. Historia e kësaj vatre të rrezeve të diturisë, është botë në vete. Fillet i ka të hershme, që nga viti 1947, kur nis në odën e Hetem Aliut e deri në çlirimin e vendit, kur shndërrohet në vatër të rezistencës kombëtare. Kështu, mësimdhënës e nxënës, të bërë tok, u vunë në ballë të lëvizjeve e të luftës çlirimtare, duke dhënë gjithçka nga vetja, disa edhe jetën, vetëm e vetëm që të arrijmë të liria që sot po e gëzojmë.

Pa u thelluar në detaje, me shifra, emra e statistika, unë parapëlqej të ndalem në kapitullin e fundit, që në fakt është sublimim dhe kurorëzim i gjithë synimeve tona shekullore, te Dëshmorët e lirisë.

Strofci dhe fshatrat rrëzë Qyqavicës kanë të drejtë të krenohen, ngase, fill pas përjetësimit të komandant Adem Jasharit, formuan celulat  dhe shtabet e UÇK-së në këto anë. Madje, mbase është edhe rast i veçantë dhe unikat, që nga bankat e shkollës “Liria” të Strofcit dolën 18 dëshmorë: Ahmet Krasniqi, Amrush Klinaku, Avni Saraçi, Avni Klinaku, Baktesh Haliti, Blerim Saraçi, Enver Tahiri, Faik Hasani, Hamdi Krasniqi, Hamdi Hajrizi, Januz Jashari, Jashar Jashari, Musa Hajrizi, Nazmi Aliu, Qamil Zeqiri, Selman Miftari, Shaban Krasniqi dhe Xajë Jashari.

Kryepersonazh është vetë autori, Habib Mustafa, që me penë e pushkë bëri çmos për vendin, andaj edhe përshkrimi i ngjarjeve del bindës, i saktë dhe real. Statistikat, fotot, regjistrat e nxënësve nëpër vite e gjenerata, listat e mësimdhënësve e të drejtorëve, diferencimet e dënimet, burgosjet e maltretimet etj, janë dëshmi që vërtetojnë përkushtimin e pashoq të kolektivit të kësaj shkolle në rrugën e ndritshme të atdhedashurisë. Nga kjo vatër dolën shumë luftëtarë, shumë të plagosur dhe edhe shumë dëshmorë, që me gjakun e tyre sollën Ditën e Bardhë-LIRINË.

Duke përfunduar, autorit i dëshirojmë shëndet të mirë e suksese të mëtejme në të gjithë lëmenjtë e jetës, ndërkaq librit jetëgjatësi e mishërim me lexuesit.

Galicë, më 20 qershor 2017