Me dhembje të madhe mora lajmin për vdekjen e parakohshme të mikut tim, shkrimtarit e gazetarit tonë Ramadan Musliu.

22 tetor 2020

Familjes Musliu

Prishtinë 10000

Kosova 

Me dhembje të madhe mora lajmin për vdekjen e parakohshme të mikut tim, shkrimtarit e gazetarit tonë Ramadan Musliu.

Danin do ta kujtojmë përherë, sa për punën e palodhshme në gazetari, letërsi e publicistikë, aq për urtinë e largpamësinë e një atdhetari të përkushtuar ndaj Dardanisë. E kam njohur që kur punonte gazetar, redaktor e drejtor i së përditshmes “Rilindja”, përgjatë viteve të rilindjes e të qëndresës, njëherë në redaksinë e Prishtinës e pastaj në redaksinë e Tiranës.

Dani shkruante për librin, për kulturën, për kombin. Ndër dekada, ai radhiti vargjet e tij të përkthyera në shumë gjuhë e të shpërblyera me çmime dhe u fali letrave shqipe disa botime studimore e kritikë letrare. Si atdhetar i rrallë, shërbeu si deputet në Kuvendin e Kosovës, gjatë viteve të shtetndërtimit të pasluftës, dhe si mjeshtër botimesh, u dha dritën titujve të shumtë në lëmenjtë e letërsisë e historisë.

Për shtëpinë botuese “Jalifat Publishing” në Houston, Ramadan Musliu ishte një bashkëpunëtor i veçantë. Ai qe redaktor i çmuar i serisë “Kosova” të Jusuf Buxhovit dhe një shtytës i palodhshëm i rrëfimit tonë kombëtar. Gjatë vizitave në Shtetet e Bashkuara, bashkë me Buxhovin, ai la mbresë të pashlyeshme te autorët e libërdashësit amerikanë në institucione të shumta.

Ikja e tij tani është e parakohshme, ashtu siç ishte zelli i tij intelektual për gjuhën shqipe, kulturën shqiptare dhe historinë e vendit tonë. I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!

Sinqerisht. 

Ramiz Tafilaj 

President

Tel: +1 281-300-5322 

Email: Jalifat@progct.com