Më dehu era e vjeshtës
Poezi nga Xhevahir Cirongu
Më dehu era e vjeshtës
Era e detit befas tek unë erdhi
Me mall dallgësh ajo më përqafoj;
Buzëqeshjen e puthjen e ndezur
Më la në buzë, pastaj s’e di nga shkoj!
Është erë vjeshte dhe bën pak ftohtë
Në perëndim retë gri varur seç rrinë,
Vajtueshëm nga qielli papritur pikon lot
Kjo vjeshtë e parë sërisht seç zuri të qajë.
Natyra e zhveshi kostumin e gjelbër
Era e detit e dehur prap erdhi,
Me të zjarrta ngjyra i veshi pemët
Te ngjyrat e gjetheve të vjeshtës
Edhe Van Gogh e ngjeu penelin.
Gjithë ngjyrat e fustanit vjeshtak
Vallzojnë nëpër degët e pemëve,
Sa bukur i shkon vjeshtës kostumi i artë!?
Marrëzisht më dehu era te Ura e Psherëtimave ,
Dhe shirat e vjeshtës sërisht u kthyen prapë.
Durrës, 02 Tetor 2017
Shënim: Ura e Psherëtimave , Venecie, Itali.
Piktor Holandes, Vincent Van Gogh