Me 11 dhe 25 Qershor 2017 në Kosovë dhe Shqipëri fiton përsëri politika, dhe jo demokracia

Me 11 dhe 25 Qershor 2017 në Kosovë dhe Shqipëri fiton përsëri politika, dhe  jo demokracia

Nga Skënder S.KAPTI

Politika shqiptare nuk është as nacionaliste dhe as sociale,  pra nuk është as patriotike dhe as popullore, dhe të tillë e ka bërë dhe e ka ndertuar  politika edhe demokracinë.

Kur demokracia unifikohet me politiken e tillë atëhere demokracia ka humbur dhe nuk gjendet në popull, por sillet si thashethemnajë mashtruese.

Por nuk e di se si është e mundur që populli dhe demokracia ta mbajë e ta zgjedhë këtë politikë, apo demokracia ka deshtuar pasi nuk mund të zgjedhë më të mirën dhe as më të mirët?

Edhe kjo mund te jetë e mundur si pamundësia më e madhe  e saj.

Kjo ka ndodhur këto 25 vite me politikën dhe me demokracinë në Shqipëri, të dominuar nga  Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, ku fitimtarë dhe perfitues kanë dalë vetëm politika dhe politikanët e tyre; triumfator ka dalë korrupsioni dhe tradhetia publike dhe kombetare e politikes; ashtu sikurse edhe me vetërënien e komunizmit në vitin 1991 fitimtarë dolën po komunistët  të cilët u konvertuan në demokratë.

Politika në Shqipëri dhe Kosovë është biznesi dominues  jo vetëm politik por edhe ekonomik parazitar që të bën të pushtetshëm, të pasur, të privilegjuar dhe të pushtetshëm deri aty sa edhe të bën të pasfidueshëm nga ligji dhe drejtësia. Politika shqiptare ka rrëmbyer edhe të gjitha prerogativat e tjera morale e patriotike.

Ajo, pra politika, kërcënon dhe po punon gjithnjë pandershmërisht kundër demokracisë, kundër interesit publik dhe atij kombëtar. Demokracia shqiptare vetëm sa po mashtron popullin, ajo është marrë peng dhe është privatizuar nga politika dhe politikanët. Politika shqiptare është betejë vetëm për pushtet, për ta rrëmbyer atë, apo për të rrëmbyer pjesë të pushtetit legjislativ, ekzekutiv, gjyqësorin, ekonominë, korrupsionin, mediat etj. Këtë e bën pushteti në bashkëpunim tinëzar dhe mashtrues, pozitë-opozitë.

Këtë a nuk e verteton realiteti si në Shqipëri dhe ai në Kosovë; a nuk e vertetojnë marreveshjet dhe kualicionet e pandershme dhe korruptive të partive, të kryetarëve të tyre dhe të politikanëve në tërësi. Cili politikan, shtetar apo ministër e drejtor është ndëshkuar në këto vite tranzicion për rekordet e tij kriminale për korrupsion dhe për trafik droge apo kontrabandë, për vjedhje nëpër tendera, në investinet infrastrukturore, për përvetësim pronash e pasurish etj.?

Sa herë që ndërrohen pushtetet, pushteti i ri, qoftë me emërtim mashtrues si “Fillim i Ri”, “Rilindje socialiste” apo tani si “Republike e Re”etj. etj, asgjë  dhe  asnjë përmirësim por vetëm përkeqësim të të këqijave ato kanë sjellë si të re apo si risi; ato kanë sjellë dhe rritur krimin, hajdutërinë, korrupsionin, varfërinë, papunësinë si dhe kanë përfeksionuar matrapazllëqet , mashtrimet dhe manipulimet me demokracinë dhe me opinionin. Nuk bëhet as “Fillimi i Ri”, as “Ndryshimi”, as “Rilindja ” dhe as “Republika e Re”me individët e konsumuar, të korruptuar, të papërgjegjshëm dhe me shkaktarët dhe autorët kryesorë të dështimeve më të mëdha.

Prej tyre nuk mund të pritet as ndryshimi dhe as përmirësimi, por vetëm vazhdimësia e pushtetit dhe e politikës së njëjtë.

Pra, edhe pas 11 Qershorit në Kosovë si dhe pas 25 Qershorit 2017 në Shqipëri , prej politikës që do vijë në pushtet, të cilët, janë po këta që edhe ishin më parë  si dhe besnikët dhe të afërmit e tyre, prej atyre që do zgjidhen e që do të kalojnë në pozitë dhe në opozitë, një gjë është e sigurtë: se vetëm të “zgjedhurit” do të fitojnë dhe jo votuesi dhe populli që i voton ata të cilët realisht i ka zgjedhur politika, partia apo më sakt ata të cilët janë zgjedhur nga kryetarët e partive, nga këta të “përzgjedhurit” si më të paduhurit dhe më të pamerituarit si kryetar partish.

Pra, do të fitojë vetëm politika e cila do të zgjidhë hallet dhe synimet e veta: pushtetin, përfitimet, privilegjet, pasurimin si dhe mbrojtjen e vet. Pas zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë dhe pas zgjedhjeve në Shqipëri do të riciklohet po ajo kastë politike dhe po ajo kulturë qeverisjeje si e shkuara që e ka kapur edhe te tashmen, e cila ndoshta do të prodhojë një krizë edhe më të rëndë.

Kjo kastë politike që po riciklohet përsëri edhe tani në vitin 2017 do të pëpiqet që ta mbrojë veten nga ndëshkimi, nga VETING-u dhe do të bëjë ç’është e mundur për t’u zhagitur në pushtet dhe në politikë , pasi kjo kastë: pushtetin dhe politikën i shikon si avokatinë apo si armën kryesore për ta mbrojtur veten, për të mbrojtur korrupsionin, krimin, zullumet, hajdutërinë, vjedhjet dhe grabitjet që këta politikanë i kanë bërë shtetit dhe shoqërisë shqiptare.

Pra me këto zgjedhje nuk do kryhen as reformat, as ndërtimi i shtetit ligjor dhe as integrimi, pra do të kemi zgjedhje që nuk do të bëjnë zgjidhje.

Me keto zgjedhje, më e mira qe votuesi do të duhej të bëjë, do ishte ndëshkimi i dy partive më të mëdha , të PS dhe të PD në Shqipëri dhe të LDK e të PDK në Kosovë, si elita apo si kasta te vjeteruara, te konsumuara  dhe të dështuara politike.

Dhe si të tilla, këto do të jenë zgjedhjet e fundit, dhe pas tyre realiteti dhe ndërkombëtarët do të imponojnë  ndoshta edhe me zgjedhje të përshpejtuara dhe të parakohshme të cilat do ta bëjnë zgjidhjen: ndarjen me politikën e kriminalizuar, zbatimin e Reformës në Drejtësi, VETING-un, konsolidimin e shtetit modern e demokratik dhe integrimin.