MATHAUZENI I VARFËRISË

Poezi rebelim nga Vjollca Tiku-Pasku

MATHAUZENI I VARFËRISË

Sot natën kam fjetur me vdekjen dhe u zgjova me retë,
teksa pashë njerëz që vuanin urie me zorrë të ngjitura,
kokë, qafë, flokë të rënë, varur si në ditët e fundit në jetë, …
sy të nxirë, të ngjyer nga skëterrat mbi tokë të ngritura.

Kur yjet u shuan dhe toka u njom nga bryma e ftohtë,
dikush shpirtin bëri kurban të hakmerrej ndaj varfërisë,
në një pemë u var pesha e një jete, në lakun e fortë,
ku mbylli ditët brenda rrethit vicioz të botës së mizorisë.

Tremben se ç’mund të ndodhë pas diellit të mekur
me pesë lastarët e njomë që lëshoi rrënja jote, ku i le,
zëri yt endet në karaharorët e tyre, ku rrëshqasin lotët e thekur,
“Rrituni zogjt e mi, mua mos më zgjoni dua sa më gjatë të fle!”.

Dua të hyj në tokën e verbër pa rrugë mes të vdekurve,
në rrjedhat e nxehta të fjalëve të pathëna në këtë botë,
është e padrejtë errësira mbushur me shpirtrat e të vobektëve,
që urinë e vulosën me heshtje, dhe skamjen me lotë…

Bota e poshtme më tërhoqi me zërin në veshin e heshtjes,
më tregoi pemët që vajtonin gjelbërimin e braktisur,
shpirtra ku në gjuhët e tyre rritej një rrufe mallkimi,
ku bëheshin flutura zjarri në tokën e çarë e të dirsur.

Jo, nuk dua të dëgjoj, të shoh trupa që dridhen pa jetë,
mbarimi i kohës së Mathauzenit është një gënjeshtër,
se Mathauzeni i varfërisë është ngritur në këtë vend,
ku fuqia e madhe e fjalës së bashkuar ka vdekur e heshtur.

Dua të dëgjoj muzikën e paqes shpirtërore të mrekullisë,
era të lëshoj flladin e buzëqeshjeve të sinqerta njerëzore,
engjëjt të lëshojnë anembanë në tokë farën e begatisë,
jeta në tokë të ketë kuptim, për çdo qenie tokësore…

Vjollca Tiku Pasku