Matematika është lëndë deficitare, të stimulohen me benificione shtesë mësimdhënësit e saj

Flet fituesi i çmimit “Shaban Jashari”, çmim që ndahet çdo vit për mësimdhënësit e dalluar, çmim që mori mësimdhënësi i Matematikës nga Deçani, Beqë Tahiraj.

Matematika është lëndë deficitare, të stimulohen me benificione shtesë mësimdhënësit e saj

Dita e mësuesit” (7 marsi) “shënohet si festë gjithëshqiptare e mësuesve, ngase me këtë datë të vitit 1887, ishte hapë shkolla e parë shqipe në Korçë të Shqipërisë. Kjo ditë shënohet edhe në Kosovë, e që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka themeluar edhe çmimin që mbanë emrin e ish mësimdhënësit “Shaban Jashari”, i cili ishte në mesin e familjarëve Jashari, që nuk iu kishin dorëzuar forcave të shumta vrastare serbe. Ky çmim, vitin e kaluar i kishte takuar, mësimdhënësit shumëvjeçar të matematikës, Beqë Tahiraj, i cili para dy muaj kishte përfunduar karrierën e begatë të mësimdhënësit, duke iu bashkua pensionerëve tjerë të Kosovës. Me profesorin Beqë Tahiraj, bashkëbiseduam për punën e tij mbi 40 vjeçare, arritjet në lëndën e Matematikës, si dhe çështje tjera që ndërlidhen me arsimin e sot.

Intervistoi: Adem Lushaj

Zotëri Tahiraj! Ishit ndër kuadrot më të kërkuara, ngase mësimdhënësit e Matematikes ishin të rrallë. Pse zgjodhe Deçanin që mbi 40 vite i kalove si mësimdhënës në këtë komunë, fillimisht në Gjimnazin “Vëllezërit Frashëri”, e pastaj edhe në Shkollën teknike “Tafil Kasumaj”?

Në Deçan fillova punën në vitin 1975, menjëherë pasi mbarova studimet, pa u diplomuar ( si absolvent), me ftesën e drejtorit të atëhershëm profesorit të nderuar, Osman Tolaj, i cili ishte profesor i imi i fizikes. Ftesës iu përgjigja menjëherë, sepse doja që sadopak t’ia ktheja borxhin këtij gjimnazi, ku isha nxënës i gjeneratës së parë si dhe të bëhem pjesë e një institucioni të njohur në tërë Kosovën dhe më gjerë. Në këtë gjimnaz vazhdova punën edhe pas diplomimit në degën e Matematikës të FSHMN-së në Prishtinë, në vitin 1976.

Vlen të theksohet së në vitin shkollor 1977/78, për shkak së nuk kisha banesë, fillova punën në gjimnazin e atëhershëm “Ivo Llolla Ribar’’ (tash “Sami Frashëri”) të Prishtinës, ku njëkohësisht isha mësimdhënës në katedrën e matematikes të FSHMN-së. Por, pas një viti punë në Prishtinë, dashamirët e arsimit të komunës së Deçanit, më binden të kthehem në Deçan, dukë më dhënë edhe banesë. Në atë kohë, për kuadrot deficitare, kishte edhe shtesë page. Kështu, erdha në Deçan për të mbetur deri në pensionim (janar 2018), ku punova në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” dhe në shkollën teknike “Tafil Kasumaj”, si shkollë e re dhe kishte nevojë të ndihmohet me kuadro, gjë që arriti rezultate të larta, duke u cilësuar si njëra ndër shkollat më të mira profesionale në Republikën e Kosovës.

Vitin e kaluar, si mësimdhënës meritor, jeni dekoruar me urdhrin “Shaban Jashari”. Çfarë do të thotë për JU, një dekorim i tillë nga ministri i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës?

Në vitin 2017, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) të Republikës së Kosovës, më ndan çmimin “Shaban Jashari”, si arsimtar i dalluar. Ky çmim më nderoi dhe krenohem me të, sepse veç tjerash mban emrin  një mësuesi që u sakrifikua së bashku me familjen e tij, me të vetmin ideal, për lirinë e Kosovës. Pra, sakrifica e këtij mësuesi, me dekoratën me të cilën u nderova, ishte që brezat e ardhshëm të mësojnë në liri, në shtetin e Kosovës.

Me këtë rast, falënderoi ish ministrin e arsimit Arsim Bajramin, për çmimin e dhënë, sikurse shprehë falënderime për të gjithë mësuesit e mi, në të gjitha shkallët e arsimimit, duke filluar nga mësuesi im i parë, Hatip Lluhani, nga Gjakova.

Sa trajtohen mësimdhënësit e Matematikes dhe ku është niveli i arritshmërisë në këtë Lëndë mësimore?

Sot jetojmë në epokën e teknologjisë, ku çdo ditë zbulohet diçka e re. Të gjithë mësuesit janë pjesë e kësaj epoke. Roli i mësuesit është i pazëvendësueshëm. Në Kosovë kemi nevojë për mësues të  mire, sikurse që kemi nevojë për ajër të pastër.

Shpesh, po shihet së teknologjia e re pengon zhvillimin mendor të fëmijëve. Prandaj, roli i mësuesit, si njeri në radhë të parë, është i madh. Për të krijuar mësues të mirë, nevojiten shkolla të larta për mësues, me kualitete të larta pedagogjike dhe profesionale. Mësuesi i matematikës, si çdo mësues tjetër, ka rol të veçantë në edukimin e brezave. Prandaj, duhet të rritet respekti për mësuesin, si nga ana e prindërve, ashtu edhe nga ana e shtetit.

Për nivelin e arritshmërisë, që nuk është i dëshirueshëm, fajin kryesor e shoh te kurrikula, te mungesa e kontrollit të cilësisë, te kriteri i vlerësimit të dijeve, te disiplina në shkolla, e cila është tepër liberale.

Sa i përket plan programeve, mendoj së çështja mund të zgjidhet lehtë, po të marrim (huazojmë) plan programet e Anglisë, Francës dhe Gjermanisë. Këto janë vendet ku lindën, Njutoni, Lajbnici, Shekspiri, Gëte, Balzaku, Dekarti, etj. Madje edhe tekstet bazë të tyre, ti përkthejmë (me përjashtim të teksteve të letërsisë shqipe dhe të historisë).