MARATHONOMAKE E SHKRIMIT ME DRITË

PARATHËNIE E VËLLIMIT ME VËSHTRIME E KRITIKA LETRARE “ETERN’ ARS” E AUTORES MIGENA ARLLATI

ALBERT HABAZAJ
Gazeta javore, letrare & kulturore “Nacional” më është bërë e nevojshme për shëndetin letrar dhe e kam kryekafen mëngjesore të çdo të hëne. Kjo ngjet, jo vetëm për faktin se fisniku Mujë Buçpaçaj ka çelur nga një dritarez për njerëzit e letrave, por se nëpërmjet faqeve të “Nacional” – it përshëndetem letrarisht dhe kulturalisht me një nga miket e mia më të respektuara: Migena Arllati.

Migena -EA2Jam i kushtëzuar, që për poeten dhe kulturologen Migena Arllati të shkruaj tepër shkurt, kur dëshirën e kam të shkruaj gjatë, tepër gjatë, sepse e meriton. Migena Arllati dritëron jo në një a dy, por në disa rrafshe letrare, kulturore, qytetare, atdhetare e universale. Studimtaria e saj përbën një opus më vete, që kërkon një përfillje të merituar për një vështrim kritik të vlerësuar, sepse i shërben përmirësimit cilësor dhe zbukurimit estetik të letërsisë shqipe në Kosovë e brenda kufijve zyrtarë të Shqipërisë. Në fakt, profili i Migena Arllatit mund të trajtohet në një studim monografik me pesë kre. Kreu i parë mund të trajtojë bukur prurjet letrare me poezi e prozë të autores Migena Arllati në letërsinë tonë bashkëkohore. Kreu i dytë mund të merret me shkrimet e saj në shërbim të kritikës letrare, me parathëniet në librat e botuar të autorëve të tjerë, që profesoresha u jep krahë besimi për te lexuesi. Një nëndarje mund të shikojë redaktimet që ka bërë specialistja deri në trajtën përfundimtare të botimit (me ndreqjet, përpunimet e me ndryshimet e nevojshme).

Një tjetër nënndarje mund të rrokë recensionet e profesoreshë Migenës për autorë të ndryshëm (poetë e prozatorë) në Shqipëri e në Kosovë; vlerësimet kritike me shkrim për veprat artistike, në të cilat është angazhuar; gjithashtu për punimet shkencore, për shfaqje etj., duke dhënë përmbajtjen dhe duke vënë në dukje anët e mira e të metat. Në çdo punim të botuar nga Migena Arllati dallohen njohuri të plota të fushës nga artikullshkruesja, kompentencë, qartësi e bukuri, çka i japin autores statusin e një kulturologeje të spikatur. Kreut të tretë i qëndron bukur kostumi albanologjik dhe etnologjik i studiueses serioze, të hapur, këmbëngulëse dhe të guximshme M. Arllati. Vetëm librat më të rinj: “Vështrim në frazeologjinë e të folmes së Gjakovës” dhe  “Patronimet në Gjakovë – mbiemrat, emrat familjarë” me bashkautor Muhamet Rogova, kërkojnë vlerësim të thelluar dhe hapin shtigje për kërkime të reja shkencore, deri në rrafshin krahasimtar antropologjik në rajon, në Europë e më gjërë. Ndërsa në planin etnologjik, me koherencë dhe dashuri studiuesja promovon vlera të traditës si visare të trashëgimisë sonë kulturore.

Me shembullin e saj, me talentin dhe shpirtin e kthjellët, ajo ka ditur bukur të na kujtojë dhe të propagandojë se Dita e Plisit, (e plisit të bardhë, që na dallon ne nga të tjerët, e qeleshes, kapuçit tipik shqiptar) është festa simbolike e shqiptarëve. “Shqiptarët kanë shumë festa tradicionale, historike, fetare, zyrtare, por – shkruan autorja, Festa e Plisit me misionin gjithëkombëtar që ka, meriton të quhet Kryefesta e Dinjitetit të kombit”. Shkrimet e saj janë artikuj shkencorë profesionalisht të realizuar, që mirëpriten jo vetëm nga letërsidashësit dhe lexuesit e kualifikuar, por merren si burime bibliografike nga albanologët dhe studiuesit e linjës përkatëse. Kreu i katërt mund të trajtojë gjithë atë kontribut të asaj zonje fisnike për emancipimin e shoqërisë shqiptare, evidentimin e gruas, si fillimtare e jetës dhe gurrë mirësie.

Migena -EAShpesh herë, parë në sotshmëri, në kontekst, portreti i Migena Arllatit më shëmbëllen me portretin e shkrimtares fisnike dhe humanistes dritërore Nermin Vlora Falaschit, stërmbesës së Plakut të Bardhë të Flamurit Kombëtar. Dhe jo rastësisht Migena jonë është aktiviste e dinjitetshme dhe drejtoreshë e degës së Fondacionit me ermin e të madhes Nermin Vlora në Gjakovë. Kreu i pestë mund të japë fasha drite nga humanizmi i botës së saj nënëterezane në shërbim të krijimit universal, ku shquhet roli i dukshëm dhe mjaft i dobishëm me Lidhjen Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve “PEGASI”, me krijimtarët e globit mbarë, e sidomos me ata në Kosovë, në Shqipëri, ku spikat puna e kulluar që Profesoreshë Migena bën me aq dëshirë e mjaltë fjale për rritjen e shëndetshme të talenteve të reja. Shembullin e jep konkretisht hijshëm me familjen e saj, me gjakun e saj.

Stafeta letrare vijon brezash. Bora Arllati është një emër premtues dhe i njohur poetik jo vetëm në Gjakovë. Gjimnazistja e talentuar Rina Arllati na mrekullon me atë zë brilant, kur interpreton poezi njëkohësisht shqip dhe anglisht, po aq ëmbël e bukur si në shqipen e nënës. Ndërsa djali Triumfi, me insistimin e pakompromis të së ëmës, do të drejtohej drejt muzikës, si një pianist i ri dhe i talentuar. Zonja Arllati ka lidhur jetën bashkëshortore me shokun e saj ideal muzikologun e dëgjuar, profesor Behar Arllati. Dy intelektualë me identitet, dy artistë të formuar kanë ndërtuar një familje model, një familje të nderuar letraro – artistike, atdhetare – kulturore, si pak kund ndër Shqiptarì.

Mes punëve të mira të Migena Arllatit më bëjnë përshtypje redaktimet e shumta të cilat përmbushin një simbolikë shkëlqimtare për botën e madhe të profesoreshës. Mendimet e pjekura të saj bëjnë që fjalët të vijnë vetë, duke na kënaqur me trajtesa të mirëfillta kulturore e shkencore, duke shpërndarë dhe pasuruar më tej shufrën e floririt të thesarit të familjes së saj arsimdashëse në Elbasan, nga e cila ajo ka trashëguar vlera të shumta intelektuale. Dhe Elbasani nuk hoqi dorë kurrë prej bijës së tij. Jo më larg se para një viti, me nderimet më të larta, vendi i origjinës, i lindjes dhe i rritës, e titulluan gocën e tyre të shtrenjtë “Qytetare Nderi”. Dhe asaj i takojnë vërtetë të gjitha nderet pasi me të shtatë shqisat, bile duke poseduar edhe të tetën për nga mprehtësia, i kushtohet me gjithë qenien arsimit, letërsisë dhe shoqërisë civile.

Intelektualë dhe krijues të formatit të Migena Arllatit janë vërtetë vlerë e shtuar për familjen shqiptare, për qytetarinë dhe kulturën kombëtare, për t’u krahasuar me dinjitet me kulturat e tjera përparimtare, me krijimtarinë dhe studimtarinë europiane e globale, sepse Migena Arllati është krijuese e mirëfilltë dhe marathonomake e fjalës me dritë të bukur.

…Dhe përsëri, gjakovarja nga Elbasani, porsi Prometeu, shpërndan zjarr mirësie ndër njerëz…

One thought on “MARATHONOMAKE E SHKRIMIT ME DRITË

  • 17 Korrik 2016 at 8 h 03 min
    Permalink

    Larte e me larte dhe sukses te metejme.ndihem i previligjuar se ishim miqe te mire dikur.

Comments are closed.