LYPSARI

Nga: Vjollca Tiku Pasku

LYPSARI

Atë mbrëmje nata ishte e ftohtë dhe e zezë. Në një shtëpi të braktisur, ku çatia kishte rënë prej kohësh, shtynte ditët lypësi Ajet. Pas një muri, që kishte rrezik të shembej, qëndronte kruspull, duke u përpjekur të ngrohej sado pak me batanijet e vjetra. Nga e çara e batanijes, shikonte qiellin lart. Kishte dëgjuar, se po të shikonte një yll që binte nga lartësitë, e të shprehte një dëshirë, do të realizohej vërtetë. Ah sikur…. Do të dëshironte dhe ai një jetë normale, një punë dhe një shtëpi të ngrohtë. Shpesh ëndërronte, sikur shkonte në shtëpinë e yjeve. Rrugën ia tregonin një varg fluturash të kuqe, që e përcillnin deri te dera e zjarrtë. Aty duhet të ishte gjithmonë ngrohtë, nuk ishte nevoja të rrinte i mbledhur kruspull si kërmill. Aty asnjëherë nuk kishte errësirë, por gjithmonë drita të kuqe… që shkëlqenin si zjarr… Shiltet po ashtu, të mbushura me pambuk yjesh…Trëndafilat yjorë rrinin gjithmonë të çelur… Ah sikur të shikonte qoftë edhe një herë të vetme vajzat yjore… Ndoshta edhe ato mund t’i përafroheshin ngjyrës së kuqe, por ah, çfarë rëndësie ka… Asnjë vajzë e tokës nuk e kishte parë me dashuri, përveç syve të mëshirës… Ndoshta sepse fatkeqësia e tij ishte se lindi nga një nënë e varfër, që e rriti herë me bukë e herë pa bukë. Ai kurrë nuk e njohu babanë e tij dhe nuk dinte asgjë për të… Në moshën dymbëdhjetëvjeçare nëna i vdiq dhe u detyrua të lypte. Askush nuk u kujdes për të… Aq më pak shteti, që nuk dinte nëse ekzistonte…Ndoshta toka dhe njerëzit nuk ishin vendbanimi i tij… Befas të gjitha këto gjysma ëndrrash iu prenë në mes… Një mjegull e zezë hyri në shtëpinë pa çati. Brenda mjegullës kishte hyrë i ftohtit lakuriq. Nga e çara e batanijes nxori gishtin dhe e preku… “Ah, po bie borë, edhe kjo duhej”. Filloi të dridhej. Mendoi të ngrihej e të ndizte një zjarr, por gishtat e duarve, eshtrat e krahëve, dhe të këmbëve ishin ftohur. Frymëmarrja po i vështirësohej… Ndihej banori i vetëm i tokës, sikur të mos ekzistonte asnjë tjetër… “Ndoshta është fundi i vuajtjeve të mia” mendoi Ajeti… Mbylli sytë dhe u gjendet në atë shtëpi që e kishte vizituar shumë herë nëpër ëndrra… Një vajze me flokë të gjatë, të kuq i buzëqeshi dhe i zgjati dorën: “Të lutem më lër të qëndroj me ty, kjo është ëndrra ime, nuk dua të kthehem poshtë. Këtu muzika që dëgjoj është hyjnore, atje dëgjoj vetëm hapa këmbësh që nxitojnë dhe njerëz që flasin me vete…Këtu ngjyra e kuqe është ëmbëlsi, dashuri, atje është ngjyrë e gjakut, ku njerëzit vriten për një sherr banal… Këtu sytë e mi ndihen të mrekulluar nga dashuria, ndoshta është parajsa yjore, kurse atje poshtë më duket sikur shoh skelete, ku sytë si qelqi janë thyer nga trishtimi. Aty nuk ka dashuri, ka frymë ujku në frymën njerëzore… Dielli është si një fallxhore që ngroh vetëm ata që kanë para… Sa do të doja të isha rritur ndryshe, të vazhdoja shkollën, të doja një vajzë, të kisha një familje, të isha një njeri… Unë nuk kam folur me njerëzit, dhe ata ndoshta mendojnë se nuk i kuptoj, por a ka njeri pa botë shpirtërore, pa mendime, që nuk ëndërron? Unë kujt t’ia dërgoj britmën time, për atë çfarë jam në tokë, për atë që nuk m’u dha një mundësi, qoftë edhe një herë të vetme. Kujt mund t’i flas unë, kur uria më gërryen zorrët e barkut, e pres një lëmoshë për të shtyrë vaktin. Në këtë moment jam gati t’i bie tokës me grusht, të hapet e të kridhem në të që dhimbjet e mia të mbylleshin brenda tokës. Asnjëherë nuk i jam ankuar askujt dhe sot nuk e di pse po i them gjithë këto fjalë, kur skam folur një jetë të tërë… Përveç nënës së gjorë, kush m’u afrua për të më dhënë pak dashuri?!… Nuk kam asgjë në këtë botë dhe nuk dua të kthehem më atje poshtë. Askush nuk do më kërkojë aty, askush nuk do ta ndjejë mungesën time. Vajza yjore zgjati krahët e saj drejt tij dhe ai ndjeu një rrymë të papërcaktuar, sikur vinte nga një botë tjetër… Njerëzit që ishin mësuar ta shikonin lypësin e heshtur në të njëjtin vend, kuptuan se ai nuk u kishte bërë dot ballë temperaturave të ulëta. Tek e fundit, jeta njësoj do të vazhdonte edhe pa të. Vetëm trotuari gjysmë metri katror, do ndjente mungesën e tij..