Lutfi Haziri “pranon” se e ka uzurpuar LDK -në

Lutfi HaziriDeklaratat e Shefqet Dibranit, ku akuzonte për uzurpator të LDK –së disa individë, nga kjo forcë politike, ka çuar në reagimin e kryekomunarit të Gjilanit, Lutfi Haziri

Nehat SHAQIRI

Kryetari i Gjilanit dhe anëtari i LDK-së, Lutfi Haziri i është kundërpërgjigjur Shefqet Dibranit, pas akuzave që ky i fundit i bëri në drejtim të tij.

Dibrani, kryetar i LDK-së në Zvicër, tha se LDK-ja është uzurpuar nga Isa Mustafa, Lutfi Haziri dhe disa të tjerë. “Tashmë uzurpatorët e LDK-së ,dihen publikisht, por është mirë të thuhet se Isa Mustafa, Ismet Beqiri, Lutfi Haziri, Agim Veliu e disa të tjerë e kanë ndërtuar rrjetin e vet ,që do t’ia kishte lakminë edhe organizata famëkeqe SHIK”, ka thënë Dibrani.

Ndërsa, Lutfi Haziri në një prononcim për InfoPress, tha se i vjen keq për Shefqet Dibranin, ndërsa ka kundërshtuar cilësimin e bërë nga Dibrani, si uzurpator i LDK –së.

“Më vjen keq për Shefqet Dibranin! Unë, Lutfi H jetoj, punoj, veproj e angazhohem me LDK tash e 26 vjet në Kosovë, pikërisht në Gjilan. Jam i zgjedhur nga qytetarët gjithmonë dhe asnjëherë i emëruar. Familja ime jeton në Zurich nga 1969, por unë nuk e braktisa as Kosovën e as LDK-në. Falënderoj sinqerisht edhe për këtë vlerësim”, tha Haziri.