Lufta e drangojve me këlshedrat

Lufta e drangojve me këlshedrat

Nga Reis Mirdita

Nga fejtoni: Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta -XXXVIII- (Bestytnì)

Ditë e bukur pranvere. Në  kasollen e mbuluar me kashtë thekuri, u dëgjuan gjëmime dhimbjesh dhe gëzimi! Po aty, një zë foshnje që lindi me rrezet e Diellit pas kodrave të Rekës. Pa ndihmën e askujt, nëna lëvizi, morri  bebushin dhe filloi të dridhej si filizi në erë. Fëmija ishte djalë por më e befasishmja qe se ai kishte dy fletë të vogla që ia mbulonin shpatullat. “Drangua”, pëshpëriti nëna e re, vetëm aq sa mund të dëgjonte burri saj i verbër që i rrinte pranë gjatë tërë kohës. Ai e lëvizi dorën e djathtë drejt zërit të djalit të cilin nëna e ktheu me krenari nga babai që t’ia prekë fletat. Fatlumnia s’kishte të përshkruar. Në këto çaste gëzimi për djalin drangua, rrapëlloi Dera Madhe e kasolles e cila bënte hyrjen në një lloj paradhome të shtruar me guralecë zallorë. Ishte Firja, një grua e fshatit të shtrirë në brigjet e jazit dhe tmerronte banorët e Rekës më sihiret e saja. Sa shëronte; sa nxinte jetën e tyre me hataja nga më të çuditshmet: iknin vajzat e bëheshin edhe gjaqet, po ikshin edhe gratë nga burri e po ashtu gjaqet mjeronin familjet e këtyre anëve…

-Paske lind – i tha lehonës posa e hapi derën tjetër që çonte në dhomën e vetme të shtruar me hasër.

-Po – tha nëna akoma e molisur nga lindja në orët e agimit.

Firja pa pyetur, desh e kapi foshnjën me qëllim që ta sheh dhe me këtë t’i shkaktoj vdekjen! Dranguas nuk guxonte kush përveç prindërve t’ia zbulon fshehtësinë se ndërronte jetë aty-aty! Ky ishte edhe qëllimi i sihirbërëses, e cila vepronte sipas urdhrave të Zikanës (për të cilën është folur në dy kaptina të më hershme dhe lexuesi do të njihet akoma me shumicë rastesh mbi këtë përbindëshe), xhinde me pamje femre të cilën fqinjët dhe qyteti përtej maleve e quanin “haxhuze”.

Më në fund, prindërit arritën gati me forcë ta largojnë nga kasollja mysafiren e pa pëlqyeshme.

Zikana, e cila dështoi në planin e saj, vuri në shërbim planin e luftës: Bashkoi këlshedrat që i kishte nën urdhër si dhe krijoi kushte të volitshme për këta krijesa mbinatyrore duke trazuar qiellin me mjegull, shi, bubullimë e vetëtimë. Qiellit të Rekës sikur t’i shkonte flaka por të cilën edhe nga toka e kërcënonte për zhdukje një rrënim marramendës. Muzgu u terrua plotësisht pa perënduar akoma Dielli! Drangoi i porsalindur e la gjirin e nënës dhe fluturoi pa hezitim drejt këlshedrave që vazhdonin t’i gjuanin dragonjtë me zjarr. Pa ra mesnata, drangoi i njomë u plagos por më shumë e mundonte uria, andaj me shpejtësi drite fluturoi tek mëma e vete duke iu mbështetur në gji. I përgjakur në krahun e majtë të cilin nëna ia ledhatoi dhe ia leu me melhem që e përgatiste nga barishtet për nevoja të rastit. Foshnja së pari u nda nga gjiri, u fiksua si pilivesë para fytyrës engjëllore të nënës, për të vazhduar më tej furishëm drejt qiellit në flakë.

Në orët e mëngjesit, mbretëroi qetësia, Dragonjtë arritën t’i mposhtin këlshedrat famëzeza dhe të kthehen familjeve te tyre. Edhe bebushi iu kthye nënës, i plagosur por plot shend. Ajo e vuri në gji dhe ashtu nisi ta shpaloj për t’ia mjekuar plagët. Në çast, drangoi ndjeu një dobësim; hetoi se dikush e pa nga biruca e derës me dërrasa të çara.

-Nënë – tha – unë po ndërroj jetë por do të jem gjithmonë pranë jush, do t’iu shoh dhe do t’iu ndihmoj. Juve Zoti do t’iu falë edhe dy djem të bukur dhe të vyeshëm, –  me kaq e përqafoi edhe të atin dhe…kaloi në amshim.

Firja kishte pritur tërë natën e fshehur dhe më në fund, e pa djalin me fletë, kështu ajo dhe Zikana, ia arritën qëllimit të errët.

(Ngjarja është treguar nga A.L. , 1880-193?). Mua ma kanë përcjellë nipat e tij më 1981).