Lubonja – Kadaresë: Manipulues. Ndihmohesh nga hetues dhe amorali Çili

Analisti Fatos Lubonja i përgjigjet akuzave të shkrimtarit Ismail Kadare dhe e fut atë në një “thes” me ish shefin e hetuesisë së regjimit komunist Qemal Lame dhe me botuesin Henri Çili, kur thotë se iu duhet njëri-tjetri për të fabrikuar akuzat ndaj tij.

Ndërsa Kadare i përgjigjet letrës së botuesit të “Mapo”, Henri Çili ku shprehet se nuk do ta falte denoncimin politik të Fatos Lubonjës për të, gjatë gjyqit të të atit, Todi Lubonja, analisti tregon se si qëndron e vërteta.

“E para, shpreh keqardhje të madhe se si vazhdon kultura e manipulimit, stimulimit të heronjve të rremë. Kadare në jetën e tij punon vazhdimisht në këtë formë për të transformuar veten e tij, duke krijuar nje Kadare falco. Është qesharake ajo që thotë. Unë kam thënë vetëm se im ate kishte simpati për Kadarenë dhe Agollin se i konsideronte më me kurajë artistike. Kurse ai sikur paskam thene sa ka qenë ai kryetari i grupit armiqesor të liberalizmit qe ka influencuar edhe Todi Lubonjen. Po pse nuk e arrestuan atëhere? Të thuash këto që thotë Kadare është të tallesh me njerëzit që e kanë jetuar atë kohë”,- thotë ai.

Sa për shprehjen “Gjuha serbe një jevgë përballë zonjës së rëndë shqipe”, Lubonja pretendon se eshte Kadareja qe e ka artikuluar në këtë formë dhe shton: “Unë as nuk shpik as nuk shtoj e transformoj siç me akuzon. Nese ky është një makabritet, sikurse thotë Kadare, hapni gazetën Drita te dates 30 shtator 1990 të cilës i jam referuar. Ky vetë e ka thënë”.

Lubonja i referohet dy njerëzve me të cilët Kadare ka bashkëpunuar për të fabrikur akuzën e tij. Qemal Lame është shefi i hetuesisë së në kohën e errët, përgjegjës për fabrikimin e tërë atyre gjyqeve, që duhet të ishte dënuar sepse ka shkelur edhe ligjet e asaj kohe. “Këta janë përdhunues që pasi kanë përdhunuar, akuzojnë viktimën se pse ka hapur këmbët.”

Sa për botuesin ai thotë se është “Sinonimi i njeriut të pamoralshëm që e krijoi ky tranzicion” dhe që ka interesat e tij në gjithë këtë histori. “I duhet Kadareja për të mbajtur Universitetin”,- shtoi ai.

Analisti shton se kemi të bëjmë me regjim të dytë që vazhdon me mekanizmat e regjimit të parë./Syri.net/Indeksionline.net/