LOTË NË GJYKATË

NEBI DRAGOTI

LOTË NË GJYKATË

Tregim

Futen në paradhomën, ku pritet për t’i thirrur në gjyq, dy femra me një djalë aty afër gjashtë vjeç. Po aty, nënë e bir, qenë ulur në kënd të dhomës që edhe këta prisnin gjithashtu. Për këto dy palë, ne , që ndodheshim aty, nuk dinim asgjë. Djali u shkëput nga nëna dhe një femër tjetër e shëndetshme bullafiqe dhe iu hodh gjyshes në qafë, pastaj babait të përlotur. Gjyshja  e puthte panderprerë dhe u shkri në të qarë. Dihet dhimshuria e kësaj moshe të tretë… E pyesnin djalin se si e kishte kaluar. Edhe i ati, duke qarë, mundohej ta mbante veten dhe sikur i jipte zemër birit. Atëherë, ne të tjerët, kuptuam se  ishtë fjala për divorc. Çudia dhe dhimbja na pushtoi dhe ne të tjerëve, që mundoheshim t’i jipnim zemër atij babait dhe asaj gjyshes, që e kishte zënë e keqja në pleqëri me një këmbë në varr siç i thonë. – Djali do të rritet e do të bëhet burrë,- foli një grua ezmere, – mbajeni veten! Po kështu u drejtua dhe një tjetër, dhe një tjetër. Njëra femër, si duket nëna e djalit, u kishte kthyer kurrizin, kurse tjetra i shikonte dhe me buzë në gaz diç mërmëriste. E habitshme, djali shmallej, por nuk i doli asnjë pikë loti. Zemër fëmie, botë fëmirore ndërmjet dy dashurive të babës, që e shtërngonte fort birin e tij dhe , përballë, nena zemërgur, që u kishte kthyer shpinën. Në gjykatë do të zgjidhnin hallet. Mjerë kush arrin në këtë pike!  Dhe , si duket, hallet e jetës sa kishin filluar. Kush dreqin, kush do t’ua mbyllte plagën, apo plaga do të qëndronte hapur gjithë jetën për fëmijën? Kush e ka fajin: as dreqi nuk e zgjidh e jo më gjykata. E, dreqi, në raste të tilla nuk do t’ia dijë. Djalli nuk ka dhimbje dhe nuk loton. Gjeje fajin po të duash!…