LLUKA E EPËRME NËPËR SHEKUJ E ARIF MOLLIQIT NJË MONOGRAFI SHKENCORE

Promovim i një libri

LLUKA E EPËRME NËPËR SHEKUJ E ARIF MOLLIQIT

NJË MONOGRAFI SHKENCORE

(Arif Molliqi, “Lluka e Epërme nëpër shekuj”, monografi, botoi SHB Armagedoni, Prishtinë)

Adem Lushaj

Monografia “Lluka e Epërme nëpër shekuj” e Arif Molliqit, është e veçantë. Po themi e veçantë sepse përshkruan historinë e vetëm një fshati nga gjetja e shënimeve të para e gjer në fund të vitit 1999. Aty ka histori të rritës, zhvillimit, luftës dhe  qëndresës kombëtare të llukjanëve nëpër shekuj. Në brendësi ka histori, kulturë, ka etnografi, toponimi, mikrotoponime. Prandaj, ky libër i Molliqit, në të gjitha përmasat i përgjigjet tipit të monografisë shkencore, tha redaktori i librit.

Gjithsesi në ketë monografi e veçanta e punës se autorit është studimi apo kërkimi ta përshkruaj relievin e Llukës, përbërjen e tokës, klimën, ujërat; botën bimore dhe shtazore, edhe kushtet për të jetuar dhe për t’u zhvilluar këto. Aty ka shpjegime për toponimet dhe mikrotoponimet që gjenden në Llukë të Epërme. Po nëpërmjet shpjegimit të tyre nxjerrë vjetërsinë e fshatit Llukë e Epërme.

Molliqi monografinë e ka nda në disa kapituj; pozita gjeografike, toponimet dhe mikrotoponimet, zhvillimin historik dhe shoqëror të Llukës së Epërme, zhvillimi ekonomik, urbanizmi dhe arkitektura popullore e Llukës së Epërme, kullat e para trekatëshe që s’i kishin fshatrat e tjerë dhe ato të mëvonshmet, ndërtimin si dhe shkatërrimi i kullave. Në monografi gjejmë kërkime studimor për popullsinë, familjen, fiset dhe lagjet e Llukës si dhe gjenealogjin e lagjeve dhe familjeve Babanaj, Kaqorraj, Memaj, Molliqaj, Muqaj, Mulaj, Neziraj, Sutaj, Tahirukaj, Thaqaj dhe degët e tyre.

Molliqi, rëndësi të madhe në këtë monografi i ka kushtua edhe Verrave të Llukës, kuvendeve dhe besëlidhjeve shqiptare që janë bërë aty në kohë të ndryshme për çështjen kombëtare duke përmend besëlidhjen e parë te Verrat e Llukës më 1878, 1885, 1903, 1904, pastaj atë të vitit 1910 e kështu me radhë. Lufta ballkanike dhe kolonizimi i Kosovës dhe terrori serbo-malazez kundër shqiptarëve, është një kapitull tjetër i radhës. Këtu Molliqi nxjerr në dritë luftën dhe qëndresën e banorëve llukjanë kundër serbo-malazezëve, kolonizimi, deri edhe ndërrimin e fesë me dhunë që jua pat bërë kisha ortodokse malazeze. Pjesëmarrja e llukjanëve në Luftën e Dytë Botërore, është një kapitull tjetër. Megjithatë, ngjarjet e këqija pas lufte për llukjanët dhe për shqiptarët e Kosovës vazhdojnë edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë, sepse vjen koha Rankoviqit; vijnë burgosjet, rrahjet, maltretimet, vrasjet dhe masakrat e shumta ndaj popullatës shqiptare të Llukës. Të gjitha këto Molliqi i përshkruan në monografi pa harrua Tivarin e Ahmet Thaqi me shokë,pa harruar NDSH-istin Adem Molliqaj dhe Tal Babanin, pastaj atdhetaret Sadri Shala, Mic Muqaj, Hasan Memaj e disa të tjerë.

Në këtë libër, mësojmë për djemtë e Llukës së Epërme që treguan trimëri kur e veshën uniformën e UÇK-së, kur u armatosën, kur luftuan përballë serbëve me atë pak armatim që e merrnin në Shqipëri, kur u vranë dhe kur mbetën gjallë që t’i kujtojnë betejat e veta dhe të shokëve. Këtu ranë dëshmorë disa djem të rinj, kurse disa të moshuar vdiqën gjatë shpërnguljes për në Shqipëri. U dogjën edhe shtëpitë e tyre dhe, po nën ato gërmadha të mbetura nga lufta, nisi jeta e re.

Shkollimi dhe kultura shpirtërore, është një kapitull tjetër i monografisë. Gjithsesi pa e lënë anash Tahir Ef llukën profesorin e Shkollës se Lartë „Fatih“ në Stamboll ( 1844-1909). Mejtepin si shkolla e parë shqipe jo vetëm në Llukë por gjithë Kosovën dhe vargun e gjithë atyre llukjanëve që vazhduan shkollimin e mesme dhe universitar gjer në vitin 1999.

Po këtu, në Llukë, ka rrënjë edhe epika historike popullore. Të këtij vendi janë Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, të cilët, me shumë tekste të këngëve shkruar për ngjarje të kohës sa ishin në Kosovë dhe kur shkuan në Shqipëri, e pasuruan folklorin tonë, fondin e këngëve epike, duke trajtuar në to ngjarje me karakter historik.

Në fund, po citoj mendimin e redaktorit që e tha më rastin e promovimit të kësaj monografie që u bë në Hotel „Rio de Jenerio“ në Llukë; „në këtë monografi nuk ka zbrazje të ndjenjave sikurse ka bërë kohë më parë Arifi në përmbledhje poezish. Këtu ka mendim dhe meditim; ka histori, etnologji, folklor; ka dokumente dhe fotografi; ka copa të vogla nga jetëshkrimi i njerëzve që kanë vdekur dhe që janë gjallë; ka art dhe ka shkencë; ka maturi dhe mençuri nga filozofia e popullit shqiptar, veçanërisht nga burrat e familjeve të Llukës së Epërme, për prejardhjen e të cilëve, po dhe për diturinë, shkollimin, trimërinë, traditën, nderin, besnikërinë e tyre, e për çfarë jo tjetër me vlerë të papërsëritshme ndër shekuj, mund të lexoni këtu nga një monograf që e di përgjegjësinë e këtij lloj shkrimi. Këtë monografi dhe këtë histori fshati do të donte ta kishte cilido fshat i Kosovës. Do të donte ta kishte edhe një Arif Molliqi që ka guximin, ka vullnetin, ka dëshirën dhe shëndetin ta shkruajë zhanrin më të vështirë: monografinë…“