Lirilidhuri Gëzim Çela, një arkiv i gjallë i shpirtit të virgjër

Refleksion letrarxhc-kopertina2

Nga Stavri Risto, Hasan Shahini, Xhevahir Cirongu

Lirilidhuri Gëzim Çela, një arkiv i gjallë i shpirtit të virgjër

(Kur pesha e vuajtjeve 22- vjeçare kthehet në tregime sfidante,të jetuara dhe me vlera gjithëkohore)

Ditën e shtunë, më 18 qërshor 2016, në Odaonin ‘’Nikolin Xhoja’’ të Pallatit të kulturës’’A. Moisiu’’ në Durrës, u bë përurumi i dy librave memoralistiko – letrarë të autorit Gëzim Çela: ‘’Klithma e një nëne’’ dhe ‘’Nga burgu i Spaçit drejt lirisë’’.

Ky event i organizuar nga Klubi i shkrimtarëve dhe artistëve të qytetit bregdetar dhe një komision paraprak audioviziv e ngriti siparin në ora 10.00 të paradites, duke përjetuar disa orë të këndshme rradhasi. Auditori i përzgjedhur me shkrimtarë, përkthyes, gazetarë e artistë; bashkëvuajtës të personazhit – autor Gëzim Çela në ish- ferrin komunist, familjarëve, miq e mikesha të ardhur enkas edhe nga Shkodra, Tirana, Vlora, Lushnja, Kavaja dhe rrethinat e trojeve etnike, u emocionuan në trajtën më kulmore kur dëgjuan hyrjen e eventit në fjalën me këngën – himn kushtuar qëndresës së Nënë Rozës së autorit, shpallur ‘’Qytetare  Nderi  e Lushnjes’’.

Fakti kuptimplotë i këngës dhe vija e saj e bukur melodike, madje janë interpretuar qysh më parë nga tenori Kastriot Tusha. Në praninë e tre mediave të qytetit, eventin e hapi kryetari i KSHA- së Nikolla Spathari, i cili prezantoi programin e ngjeshur të sotëm kushtuar autorit – personazh Gëzim Çelës me dy prurjet e veta letrare. I pari përshëndeti penën e mprehtë dhe të talentuar metaforiko – sarkastike të autorit disident Gëzim Çelës, intelektuali Zihni Beqiraj, kryetar i Shoqatës ‘’Ulqini’’ , duke sjellë në vëmendjen e të gjithëve jo vetëm stoicizmin burrëror të Gëzimit në fjalë, dënuar 21 vjet e 8 muaj burgim politik në moshën 22 – vjeçare, qëndresën e paepur të nënës së tij  Roza Lupi, madje edhe të babait të Gëzimit, Mahmud Çela  dhe të tërë farefisit të tij të fisëm. Njëherësh edhe babai Mahmud është nderuar nga Shoqata ‘’Durrësi’’ me titullin ‘’Mirënjohja e Qytetit të Durrësit’’ . Këtë e dëshmoi edhe me faktet interesante e të shkruara nga referuesi Zihni në librin e vet memoralistiko- dokumentar, që ia dhuroi enkas Gëzimit në përfundim të fjalës së vet konçize e të përzgjedhur.

Në sallë – odeon letrar, si për çudi, të binte në sy mungesa e përfaqsuesëve të Bashkisë së Durrësit, të cilët zakonisht marrin pjesë me zell; madje japin edhe dekurata për autorë ish-puthadorë të djeshëm e të sotëm të regjimit, pa harruar t’u thurin elozhet sipas rastit.Në fakt, këtë mangësi e ndiejmë ne autorët e letrave letrare, sepse në fakt si për ironi , ‘’boshllëkun’’ e tejmbushte prezenca dhe fjala – peshë e z. Simon Miraka, kryetari i Shoqatës së të përndjekurëve politikë, i cili vlerësoi personalitetin dhe veprën letrare reale të jetuar të Gëzimit tonë, duke bërë thirrje për rivlerësim e ribashkim të mendjeve të tilla shqiptare larg urrjetjes meskine e përçarëse të pseudodemokratëve. Ishin të pranishëm edhe z. Reshat Kripa, shkrimtarje Meri Lalaj me shoqet tiranase, shkodrane, fierake, lushnjare…duke sjellë edhe përshëndetjet mirënjohëse për Gëzim Çelën nga ‘’Artistja e Popullit’’ Margarita Xhepa dhe ‘’Artistja e Merituar’’ Roza Anagnosti. Tashmë letërsia shqiptare e disidencës ( në fakt duhet quajtur e rezistencës) për nga tematika e pasur dhe stili i larmishëm, ka në radhët e saj penën e talentuar të  Gëzim Çelës: durrësaku, ulqinaku,shkodrani, tiranasi, lushnjari, mbarëshqiptari…

Referuan me gojë e me shkrim disa autorë. Psh. Poeti Vladimir Muça u ndal në stilin publistiko – letrar të Gëzimit, i cili si një paralele letrare aktuale me At Zef Pëllumbin realizon bukur dekursionin kohor ‘’Rrno për me tregue’’. Poeti Agim Bajrami recitoi dy herë vargjet më të ndjera e më lirike të Gëzim Çelës; kurse kryetarje e KSHA-së Vlorës ‘’Petro Marko’’, znj. Laureta u përlot e na përloti duke hequr paralele indetike të poezive të Gëzim Çela me tonetet 26, 66 të të madhit Dante Aligeri si autopsi e ferrit njerëzor, cituar nga ajo në dy gjuhë shqip dhe italisht.      Kësisoj foli me patos poeti kavajas Nazmi Roli, njëherësh kryetar i klubit letrar të qytetit. Shkrimtari beratas Sami Velçani analizoi tregimet e jetuara nga ferri dantesk i Spaçit e deri në rënien e Murit të Berlinit që ka realizuar me mjeshtëri autori i sotëm Gëzim Çela. Kurse intelektuali e përkthyesi Thoma Dardeli, duke vlerësuar figurën njerëzore, jo vetëm letrare të Gëzimit tonë, tregoi episode sfidante të qëndresës së këtij djaloshi si Gëzimi 22 – vjeçar, i cili u përball , sfidoi  e fitoi mbi ish- diktaturën më të egër në Evropën Lindore, sepse shpirtin e madh dhe mendjen e talentuar s’ia shuajtën dot.

Në pëfundim të folësve të shumtë, Klubi i Shkrimtarë dhe Artistëve të Durrësit i akordoi autorit Gëzim Çela : Çmimin bashkohor specifik ‘’Osman Kazazi’’, që u mirëprit dhe u duartrokit gjatë nga secili a secila. Si konkulizion duhet pohuar takimi i eventit të sotëm është më i miri deri më tash, jo vetëm nga auditori i përzgjedhur, numri i folësve të kualifikuar të të dy gjinive, por më fort nga erudicioni e emocional kulmor që përftuam që të gjithë, plus informacionit për një letërsi të jetuar liriko – metaforike të Gëzim Çelës. Madje, ky autor – personazh i dy librave të sotëm që promovuam, na i fali me e pa autograf librat e veta; kopertinat e të cilave i ka ideuar dhe realizuar ai vetë aq bukur me shije, e me nënteks të fuqishëm. Psh. Meditoni se si e ka realizuar metamorfozën e drapër – çekanit rusomadh, se si e kanë prangosur djaloshin e virgjër veçse 22 – vjeçar!

Pra, Gëzim Çela yni dhe i të gjthëve, veç qëndresës strikte, ka qënë dhe është një talent i pikturës, karikaturës, pa harruar dellin prej muzikanti. Madje, shpirti i tij lirik, a për të realizuar grotekskun kulmor antigulak të diktaturës së ‘’egër’’ arriti të fusë në ish – qelitë e errta të kohës ku vuante kalvarin e dënimit, atë kitarën e famshme të mbretëreshës së këngës shqiptare, Vaçe Zelës.

O zot, kjo përbën sfidën e sfidave të shpirtit rebel, të sinqertë, të virgjër, të papërlyer të Gëzim Çelës, ndeshur e dalë fitimtar ndaj kuçedrës me shumë krerë! Dhe si epilog kulmor e mbresëlënës të eventit të sotëm të përveçëm, shpirti bujar dhe i virtytshëm i Gëzim Çelës i ftoi të gjithë të pranishmit në koktejlin dhe drekën e shtruar enkas për të nderuar çdo pjesëmarrës e të ftuar në lokalin bregdetar ‘’ Tivari’’ të Durrësit; njëherësh edhe në përkujtim të rrënjëve etnike të prejardhjes së tij. U ngritën shëndete e u bënë urime për jetën dhe veprën qëndrestare të talentit Gëzim Mahmud e Roza Çelës; kurse ai i virtytshëm e modest deri në madhështi na përqafon të gjithëve me devizën e shpirtit të vet, duke na e përsëritur se…edhe prapa diellit të vemi, s’duhet të urrejmë më, sepse Atdheu mbetet Atdhe edhe kur të dënon e të vret. Ndaj, edhe ne me zemër të urojmë: suksese të reja o talenti ynë Gëzim Çela!…

 Durrës,18.06.2016