Liria përballë frikës

Liria përballë frikës

Besnik Gjongecaj

Për shkak të një një eksperiencë të pakrahasueshme për nga idhtësia dhe tragjizmi i saj, shqiptarët kanë mësuar më mirë se çdo popull tjetër i Evropës se, midis shumë armiqve, liria ka frikën si armikun më të madh të saj. Kjo ështe vetëm një pjesë e experiencës, gjithsesi. Për fatin e keq të shqiptarëve ka qëlluar që këta dy armiq të betuar ndaj njëri tjetrit, liria dhe frika, të lindin në të njëjtën kohë dhe sëbashku nga mitra e një vendi që ka tridhjetë vite që shtërzon demokraci. Duke paralajmëruar kështu mundimin e pafund të një armiqësie të pa transformueshme, që nuk ligështohet dhe nuk mbaron kurrë. Shqiptarët janë pyetur shpesh rreth armiqësisë midis lirisë dhe frikës; rreth natyrës së saj, origjinës, terrenit, apo gjithshka tjetër që i jep substancë dhe formë kësaj armiqësie. Pyetjeve iu janë përgjigjur lehtësisht, thjesht, drejtpërdrejt. Madje, as nuk kanë patur nevojë për të gjetur dëshmitarë apo mbledhur dëshmi, sepse në eksperiencën e tyre e kanë ndjerë fort dhimbjen që shkakton kjo armiqësi atëhere kur liria dhe frika grinden nën lëkurë. As imagjinata nuk iu është dashur kurrë për të kuptuar, pastaj edhe për t’iu thënë të tjerëve se sa ekzistenciale është kjo armiqësi, se sa për jetë a vdekje është lufta midis lirisë dhe frikës dhe sa shumë varet jeta e shqiptarëve prej fatit të kësaj lufte. Të një lufte që ka qenë gjithmonë, por sot akoma më shumë është një luftë e drejtpërdrejtë, pa maska, e ashpër, e pashpirt, shpesh e fëlliqur, e padenjë. Të një lufte në të cilën është liria ajo që dorëzohet e para, fatkeqësisht. Prandaj, të një lufte me fund tragjik dhe të paralajmëruar, pas të cilës,    si në një realitet biblik modern, zvarriten turma viktimash të kapur rob nga frika.  

* * *

Vrasja e lirisë dhe zëvendësimi i saj me frikën është një krim që, më tragjikisht se kudo tjetër, u krye në universitetet publike të këtij vendi. Ekzaktësisht atje ku liria do të duhej ta ndjente veten më të fortë se gjithkund. Prandaj, krimi u krye sipas stilit të ekzekutimit të më të fortit për t’i nënshtruar të tjerët përreth tij. Politikanët e pas diktaturës e kuptuan shumë shpejt që universitarët mund t’i rrëzonin ata me të njëjtën lehtësi me të cilin i kishin ngritur në pushtet dhe menjëherë sapo të konstatonin autoritarizmin dhe korrupsionin te ta. Po kaq shpejt e kuptuan se e vetmja rrugë për të siguruar mbijetesën mbetej shtypja e pushtetit të lirisë. Vetëm kështu do të mund t’i jepnin frikës, dhe nëpërmjet saj vetes së tyre, mundësinë e sundimit të shoqërisë, të universiteteve publike, veçanërisht. Akti i zëvendësimit të lirisë universitare me frikën është një akt sa mizor, po aq edhe okult. Ai nuk do të mund të realizohej kurrë nëse politikanët e këtij vendi nuk do të ndryshonin vetë misionin e sistemit universitar publik, boshtin e tij moral. Ja pse gjithçka filloi me demotivimin e universiteteve në procesin e ndërtimit të demokracisë në vend. Universitetet publike shqiptare nuk u shndërruan kurrë në qendra të demokracisë së vendit, sepse kurrë nuk e zhvilluan dimensionin e përgatitjes së rinisë për demokraci. Hapi më agresiv në këtë proces u ndërmor nga qeveria ekzistuese dhe në fillimet e saj, ekzaktësisht kur ajo vendosi të adoptojnë sistemin anglosakson në arsimin e lartë. Atë sistem që, ironikisht, sanksionoi për herë të parë dimensionin e përgatitjes së rinisë për demokraci në modelin universitar von Humboltd, prej kohësh të pranuar universialisht. Ashtu si rastësisht, qeveria ekzistuese e la jasht këtë parim në procesin rregullues ligjor të sistemit publik të arsimit të lartë. Madje, e la jasht me po atë thjeshtësi shvejkiane që fshiu me gomë, përçudnoi, karakterizimin “…e shkencës” nga emërtimi i ministrisë së arsimit dhe e zëvendësoi me karakterizimin “e sporteve”. Gjithsesi, për ta çuar deri në fund procesin e përçudnimit, aq sa askush më të mos dijë se ka të bëjë me një sistem universitar anglosakson, qeveria ekzistuese mori prej tij dualizmin akademiko–adminitrativ, e përpunoi në bodrume celulash dhe kur e nxorri prej andej, nga një parim që nxit sinergjizmin në universitete e shndërroi në një mjet që fut qeverinë shqiptare brenda universitetit publik dhe e sundon atë në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës. E gjithë kjo i dha mundësi politikës zyrtare të këtij vendi të eksportojë presion, frikë, korrupsion, dhe imoralitet brenda sistemit publik universitar. Të zëvendësojë pushtetin e lirisë me dobësinë e frikës; dinjitetin universitar me poshtërimin.

* * *

Është jasht çdo dyshimi që, një universitet publik pa dimensionin e përgatitjes së rinisë për demokraci, shndërrohet në një universitet pa ideal demokratik, ose më mirë në një universitet që idealin demokratik e ka zëvendësuar me “idealin e karrotës”. Ka kohë që universitarët e kanë përjashtuar veten nga zgjidhja e problemeve të rënda me të cilat ndeshet shoqëria e sotme. Duket sikur pas rrëzimit të diktaturës hoxhiste, universitetet publike të këtij vendi, megjithëse grinden me vetveten, nuk gjejnë më protagonizëm në shoqërinë shqiptare. “Ideali i karrotës” i ka profilizuar aq ulët, i ka bërë aq të përciptë, sa “depolitizimin e universitetit” si parim demokratik e perceptojnë në mënyrë poshtëruese si “parimin e mospjesmarrjes” në zgjidhjen e problemeve të demokracisë në vend. Megjithëse qeverisja ka filluar prej kohësh të kalbëzohet, të denatyrohet drejt një qeverisje autoritare dhe thellësisht korruptive; megjithëse vendi ka kohë që nuk përjeton reforma, por ndryshime degjeneruese; megjithëse qytetari shqiptar ka humbur çdo lidhje me qeverinë dhe përfaqësuesin e tij politik; megjithëse universitetet tashmë janë zbrazur nga përmbajtja; megjithëse rënia morale e shoqërisë po bëhet katastrofike, universitarët e këtij vendi heshtin. Pa e kuptuar që po e shndërrojnë veten në asgjë dhe universitetet në gërmadha.

Nga ana tjetër, universitetet publike të këtij vendi, po për shkak të keqkuptimit tragjik të rolit të tyre në demokraci, po përjetojnë një çarje të rëndë brenda vetes, të panjohur më parë, madje që prej fillimeve të sistemit universitar në këtë vend. Ka kohë që mësimdhënësit në universitete i shohin studentët si klientë, si burim parash, ashtu sikundër studentët i shohin mësimdhënësit e tyre si firmosësh provimesh dhe diplomash. Nuk ka më marrëdhënie të fuqishme që lindin nga ideale të përbashkëta, nga një fat i përbashkët demokratik. Ato marrëdhënie janë tretur dhe zgërlaqur. Universiteti nuk është më një fat i përbashkët. Vendi i tyre, Shqipëria, nuk është më e tillë. Ndërtimi i demokracisë, gjithashtu.  

Midis mësimdhënësve dhe studentëve është futur “karrota”, ose pushteti i frikës që përcjell ideali i saj kur sendërtohet. Të frikësuar se nuk hyjnë dot në universitet, se nuk e paguajnë dot atë, se nuk marrin dot një provim për shkak të një sistemi parauniversitar që i ka nxjerrë prej vetes pa nivel, të dobët dhe pa integritet; të frikësuar deri në palcë se mësimdhënësi i sheh shtrembër, se i bërtet dekani, se nuk punësohen dot…studentët e këtij vendi e kanë humbur prej kohësh lirinë, prandaj edhe energjinë që mund ta krijojë dhe përcjellë vetëm liria. Ka kohë, prandaj, që ata nuk kundërshtojnë më, nuk shprehen lirisht, madje edhe pyetje nuk bëjnë më, aq më shumë të denoncojnë…Ata nuk akuzojnë më. Ata nuk protestojnë më. Ata bëjnë një gjë tjetër: ata ankohen! Ankohen për dritat, për ujin, për shkallët, për pagesat, për atobuzin, për mencën dhe supën me karrota… Por deri këtu, sepse duhet të jenë, gjasme, politikisht korrekt?! Madje edhe kur ankohen, këtë nuk e bëjnë kurrë pa përmendur anën tjetër, atë që ata nuk kanë punë me politikën, me atë se si i kafshon ajo përditë standardet e demokracisë. I luten, dhe kujt, qeveritarëve, politikanëve, që të mos i keqkuptojnë ankesat e tyre kur qëllon që protestojnë. Aq sa duken të vobekët dhe qesharakë njëkohësisht.

Ideali i “karrotës” ka bërë që mësimdhënësit në universitete të mos kenë më interesa të përbashkëta me studentët. Interesat e tyre do të mund të takoheshin me interesat e studentëve vetëm nëse demokracia dhe universiteti do të ishin një kauzë, e para, dhe e dyta, do të ishin një kauzë e përbashkët. Por nuk janë më. Prandaj edhe interesat, madje edhe fatin, e kanë të ndarë, sigurisht. Universitarët mësimdhënës janë nën presionin e kërcënimit të mbijetesës, si kurrë ndonjëherë më parë. Jo pak prej tyre detyrohen të bëjnë mësim universitar duke mos patur as përgatitjen më minimale pedagogjike, komunikuese apo bagazh kulturor dhe aq më shumë, me boshllëqe fatale në njohuritë mbi shkencat bazë teorike, qofshin ato natyrore apo shoqërore. Detyrohen të bëjnë kërkim shkencor, ndërkohë që, meqënëse jo pak prej tyre janë të rastësishëm, as nuk e kanë idenë mbi të. Gjithsesi, më e rënda është kur iu thuhet të bëjnë kërkim shkencor që nuk financohet dhe për realizimin e të cilit kërkohen laboratorë që nuk janë. Ekzaktësisht si në kohërat më të errta, më absurde të Shqipërisë, mësimdhënësit në universitetet publike kërcënohen të humbin vendin e punës për përgjegjësi që nuk i takojnë atyre për t’i përmbushur. Absurdi tjetër është edhe më rrënues, më shkatërrimtar: në një pjesë të madhe rrogat e mësimdhënësve varen nga suksesi i studentëve, kalueshmëria e tyre, gjë që e ka rivendosur edhe njëherë universitetin publik të këtij vendi nën peshën rrënuese të kalueshmërisë së planifikuar komuniste.   

* * *

Lufta midis lirisë dhe frikës nuk është një luftë me armë. Ajo zhvillohet në paqe dhe në fund të saj nuk numërohen të vrarë. Ajo është një luftë morale. Një luftë karakteri, dijesh, pasionesh. Është një betejë midis fuqisë dhe dobësisë shpirtërore. Është një betejë midis qytetërimit dhe mbetjeve mesjetare. Lufta midis lirisë dhe frikës, megjithatë, është po aq e ashpër dhe përcaktuese e fatit njerëzor sa edhe lufta me armë, në front. Në fund të saj, prandaj, ka viktima, gjithsesi. Të cilat numërohen gjithashtu, njësoj si të vrarët pas lufte. Numërohen servilët, konformistët, imoralët, të paaftët, kokëulurit, shpirtrreckosurit, shpirtgjymtuarit, të pamëshirshmit, narcistët, zemërzinjtë, meskinët, të korruptuarit. Numërohen si viktima të gjithë ata që frikën e kthejnë në pushtet dhe si të tillë, e përdorin për të shtypur lirinë në çdo skutë të qënies së tyre. Kaq do të ishte e keqja më e vogël. Me liri të vrarë dhe nën pushtetin e frikës, shumë prej viktimave, paradoksialisht, priren të bëhen autoritarë. Jo vetëm në krye të qeverive, ku janë më të dukshëm, por kudo ku qënia humane organizohet për të mbrojtur jetën. Është frika, paradoksialisht, që i shtyn këta autokratë, qofshin hipopotamë apo liliputë, të jenë ata që sulmojnë të parët dhe të parët e sulmuar prej tyre janë njerëzit e lirë, ata që jetojnë me pushtetin e lirisë brenda vetes. Të sulmuarit e parë janë të vërtetët, ata që nuk bëjnë sikur, që nuk aktrojnë. Janë intelektualët e përplasur diku nga jeta e padrejtë, shkencëtarët e shurdhuar nga indiferentizmi përreth tyre, njerëzit e thjeshtë, ëndërrimtarët e një shoqërie tjetër. Midis tyre, më rëndshëm, goditja bie mbi universitarët dhe universitetet. Një goditje që vjen jo vetëm nga jasht, jo vetëm nga qeveria, por edhe nga autoritarët e fabrikuar brenda vetë universiteteve. Ja pse, te universitetet publike luftohet më e egërsisht. Atje ku supozohet të lulëzojë liria më shumë se kudo tjetër. Atje ku, prandaj, edhe viktimat priten të jenë më të shumtë. Atje ku edhe dhimbja është më e rëndë, humbja më e madhe, qorrimi më verbues.