Lindja dhe metamorfoza e Makfires

Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta (X)

Reis Mirdita

Që nga mosha më e re aty dikund kur sa i pat mbushur 12 vjet, vajza me emrin Makfire që disa e tirrnin Makfiret, filloi në një mënyrë brutale të kthehet në makth. Nuk ua zinte frymën fëmijëve si figurat e përrallave mitologjike; ajo iu merrte frymën krejt qytetit. Zhdukej natën dhe i binte defit nëpër ahengjet e xhindeve. Kishte lindur shtrigë por si që kam thënë në vazhdimet e mëparshme, shtrigat nganjëherë janë të përziera me xhinde. Makfirja i kishte dy në bark që i lëviznin pa ndalë nëpër trup. Kësi shtrigash kishte pak por dëmet i bënin të shumta se nuk ndaleshin në aktivitetin e tyre keqbërës. Shtrigës në fjalë i frikoheshin mocanikët dhe të mëdhenjtë pa dallim. Kishte një përmbajtje acaruese në siluetë e sidomos në shikimin e saj dukej diçka e jashtë natyrshme. Fytyra e gjerë pa ndonjë bukuri të dukshme femërore, me flokë të dendura të papastra që i mbante në bishta të trasha, i preknin vithet e gjera sikur t’i kishte që tani 20 vjet.

Shtrigërinë e morri dhuratë nga nëna plakë por afërsia me babushin (e thërriste babush) e vet duket se vinte nga xhindet pasi ai ishte njeri-xhinde. Vet Makfirja ishte krenare dhe i thurte lavdi prindit për aftësitë që “si ka kush në këtë tokë”. Edhe ai, sikur krejt pjella e tij, nuk kishte ndonjë tipar që të mund të cilësohej si ndonjë bukuri fizike: fytyrë ndrydhur e faqe të varura si strajca, me gojë llapush e me ca dhëmbë të shlyer që kishin marrë formë maje-gozhde të ndryshkur i ngjante më shumë diçkaje të tmerrshme të pa definuar se sa një njeriu. Kaq tani për prindin e Makfires! Për të do të bëhet fjalë me gjerësisht në kapitujt e mëvonshëm ku do të shtjellohen dukuritë mbi njerëzit-xhinde.
* * *
Natën kur lindi vajza që do të quhet Makfire, nëna gjyshe, haxhuze e rryme, ndihmoi të renë të lind. Në dhomën e ndriçuar me llambë vajguri, i preu kërthizën foshnjës e mbështolli në lecka. Do vite më vonë i tregon mbesës se si i kishte thirrur në ndihme ca “peria” (e kishte fjalën për xhindet) që t’i ndihmojnë dhe mandej për ta mbrojtur nga syri i keq i la dy nga ta që nëpër kërthizë të prerë por akoma të pa lidhur, të hyjnë në barkun e saj dhe ja kështu ajo kur nuk sëmuret nga mësyshtë e as nga sehiri. Por plaka e keqe nuk u ndal me kaq, ajo nëpërmjet gjakut të lehonës, e përfshiu të renë në kampin e shtrigave.

Pas tri ditë lehonie, nëna e re vuante nga një metamorfozë në shpirtin e saj. Ishte e vetëdijshme se diçka ndodhi me të drejt pas lindjes. Natën e katërt nuk e morri gjumi aspak. Ca çaste pas mesnate, u çua nga shtrati, kapi foshnjën dhe duel pa zhurmë pranë bregut të lumit të zhurmshëm ku i dha hov pa aspak mëshirë vajzës tri ditore. Uji e barti me rrëmbim… Ajo u kthye lehtas e me ecje të kujdesshme në shtrat…, por…, bebja ishte aty, filloi të qajë për gji!!! Në këtë moment, nëna e re kuptoi gjendjen e vet të vërtetë, kuptoi tërë metamorfozën që përjetoi ajo dhe foshnja! U qetësua plotësisht. Sikur një këndellje e një kënaqësi ia kaploi zemrën e shpirtin tashmë mizor dhe fjeti.
(Vazhdon)