LIBRI “MINISTRIA E MBROJTJES – MMRK” ÇARTËSON ALBINË MBI “FARK”

Recension:

Nikë Gjeloshi, ”MINISTRIA E MBROJTJES E REPUBLIKËS SË KOSOVËS 1991 – 1995“,  botoi Shtëpia Botuese „RUGOVA ART“, Prishtinë 2015, faqe 260. ISBN 978-9951-536-69-7

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Nikë Gjeloshi - BallinaLibri, ”MINISTRIA E MBROJTJES E REPUBLIKËS SË KOSOVËS 1991 – 1995“ i Dr. sc. Nikë Gjeloshit është një vepër mjaftë specifike dhe ndër punimet e rrallë me pretendime shkencore, duke kompiluar në mes  shkrimit publicistik dhe librit argumentues, i cili për rrethanat e tanishme nëpër të cilat po kalon Kosova, kur nga personat përgjegjës të asaj kohe ka tendenca për mohimin e përpjekjeve institucionale për ta bërë Kosovën shtet me të gjitha sektorët e saj, libri në fjalë heq dilemën nëse ka pasur Kosova Ministri të Mbrojtjes dhe në kuadër të saj edhe për ekzistimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, që pa dyshim shoqërisë sonë, një libër dhe vepër e tillë i është dashur të vjen, bile edhe më herët, por siç thotë një urti popullore “më mirë vonë se sa kurrë”. Dhe kjo përpjekje bëhet pikërisht nga personi i cili në atë kohë ishte në rolin e Ministrit në këtë dikaster të mbrojtjes dhe sigurisë së Kosovës.

Siç thamë Dr.sc. Nikë Gjeloshi duke qenë njëri nga protagonistët e asaj kohe, madje me funksion Ministër i Mbrojtjes ka bërë mirë që iu ka rrekur kësaj teme për ta trajtuar nga këndi dhe prizmi i tij profesional një çështje të ndjeshme dhe po aq delikate. Librat e kësaj natyre të cilët kohëve të fundit janë publikuar, me gjithë të metat që po i shoqërojnë, qoftë në aspektin teknik dhe qoftë në atë faktik, kanë nisur të zbërthejnë dhe të zbulojnë edhe një anë tjetër të atyre realiteteve të cilat shumë kush nuk i ka ditur, ose një pjesë e madhe në disa pika kemi qen edhe të lajthitur.

E kemi të qartë se librat e kësaj natyre hapin edhe dilema, por mos guximi për të shkruar dhe heshtja do të ishte edhe më fatale për të tashmen dhe të ardhmen e një vendi. Libri i Dr.sc. Nikë Gjeloshit, ”MINISTRIA E MBROJTJES E REPUBLIKËS SË KOSOVËS 1991 – 1995“, hap një debat të pashmangshëm. Me gjithë përpjekjen profesionale të autorit, edhe ai është i vetëdijshëm se nuk e ka thënë gjithë atë që është dashur, por se e ka hapur një portë s’ka dyshim, andaj paanshmëria në qasje dhe veçmas guximi për tu përballur është për tu përshëndetur. Gjeloshi, temën e ka vënë mbi një pllajë, apo më mirë të themi guximin e ka vënë në një arën ku zhvillohen muskujt, ku bëhen dyluftime, për të mohuar një të vërtetë për të cilën dihet dhe është folur shumë. Prandaj ky libër është një ftesë e llojit të vet për debat, madje sipas terminologjisë së luftës për “dyluftim” ku qartë pohon se Qeveria e Kosovës e në vitet 1990 – 1999, e ka ndërtuar infrastrukturën ligjore dhe shtetërore që i duhen një vendi.  Në këtë plan është edhe “Ministria e Mbrojtjes”, dhe si rezultat i kësaj do të ketë pasur edhe struktura dhe formacione të tjera ushtarake të cilët janë formuar në përvijim kohërash andaj në këtë pikë autori ka pasur sukses, pasi ka arritur të heq dilemën për ekzistimin e FARK duke i mposhtur zërat refuzues dhe mohues të cilët kohëve të fundit janë bërë më të zëshëm.

Siç e theksuam më lart libri ka hapur debati, pasi ky libër kategorikisht hedh poshtë insinuatat e atyre që kanë mohuar, por veçmas të ish kryeministrit dr. Bujar Bukoshi, i cili në atë kohë ishte Kryeministër i Republikës së Kosovës si dhe i mposht mohimet e Xhavit Halitit, i cili gjatë luftës hiqej si Drejtor politik i UÇK-së, të cilët kohë më parë kanë bërë përpjekje për të mohuar të ketë pasur FARK, e forma të tilla organizim pranë Ministrisë së Mbrojtjes, kurse oportunizmi dhe heshtja e Kryeministrit të tashëm dr. Isa Mustafës, i cili në atë kohë ka qenë Ministër për Ekonomi dhe Financa, përkatësisht dora e djathtë e dr. Bujar Bukoshit e ngatërron çështjen edhe ma shumë, por libri i Dr.sc. Nikë Gjeloshit, me mjaftë sukses i sfidon këto prirje të cilat duken si tendencë mohuese, sepse Alfa dhe Omega e gjithë refuzimit, degdisjes, konflikteve dhe përçarjeve të shumta që i ka përjetuar Diaspora shqiptare në Evropë, me theks të veçantë Degët e LDK-së në Zvicër dhe Gjermani janë rezultat i bashkëpunimit të ngushtë që bënte Bujar Bukoshi me krerët e LPK-së, organizatë kjo ekstremiste dhe me orientime marksiste – leniniste e cila vazhdimisht i ka mohuar dhe luftuar institucionet e Republikës së Kosovës, si dhe vazhdimisht kanë bërë përpjekje për të penguar institucionalizim edhe të faktorit ushtarak. Tashmë këto struktura të dyshimta shihen se kanë gisht në të kaluarën përplot akuza si dhe në të tashmë përplot frikë e panik, gjendjen kjo mjaft e tensionuar pikërisht në kohën kur Bashkësia Ndërkombëtare është e interesuar të vejë drejtësi e rend edhe në Kosovë.

Por duke u thënë e vërteta pasqyrohet realiteti, duke u shtrembëruar ajo gjërat po ngecin. Gjithsesi për vepra të mira, nëma i mbetet autorit si një shpërblimi i kohës pasi libri është një referencë  e mirë.

Natyrisht pasqyrimin e ngjarjeve dhe rrethanave të asaj kohe e shoh si proces mjaftë të vonuar, pasi tregu mediatik është vërshuar me libra e shkrime që në mënyrë hiperbolike i kanë zmadhuar bëmat dhe i kanë trajtuar ngjarjet dhe ato zhvillime duke i vështruar proceset sipas konsumit të brendshëm politik, por trajtimi i ngjarjeve nga personi kompetent, e bënë librin argument faktik duke i sfiduar me sukses deklaratat naive dhe të papërgjegjësi të të gjithë atyre që e mohojnë FARK. Ndërsa sistemimi i lëndës do të ishte më mirë sikur të merrte shtrirje edhe më të gjerë dhe shumëdimensionale, veçmas pasi synohet që ky libër  të ketë konotacione shkencore.

Dr.sc. Nikë Gjeloshi, sjell mjaftë argumente, shtron hipoteza dhe hap dilema për disa nga zhvillimet e asaj kohe. Por shihet se përpjekja për t’i përshkruar ngjarjet duke ua ruajtur edhe emocionin përjetues të asaj kohë, disa gjëra duken si të ngatërruara, por se ishte një kohë e ngatërruar dhe përplot intriga kjo s’ka dyshim.

Në librin e Dr.sc. Nikë Gjeloshit, katërçipërisht vihet në pah karakteri kontrovers e pështjellues i dy figurave më çoroditëse që i pat shtetësia e saj, përkatësisht në kohën e bërjeve të institucioneve. Siç është thënë e shkruar disa herë për rolin negativ të kryeministrit Bujar Bukoshit dhe Ministrit të Financave të asaj kohe Isa Mustafës. Edhe në këtë libër vijnë me atë veprimin penguese, sabotuese dhe shkatërruese të institucioneve shtetërore të Kosovës, të cilave vet ata iu kanë prirë, sikurse edhe e tashmja e ngatërruar, gjithsesi po lidhet me atë mentalitet të një kohe të shkuar.

Nga leximi i kujdesshëm, do të vërehet se investimet e tyre në shumë plane sikur paskan qenë për ta luftuar Ibrahim Rugovën, se sa për të ndërtuar mekanizmat dhe institucionet përkatëse, siç ka qen edhe Ministria e Mbrojtjes. Por askush nuk mund ta shpjegoj se si janë kapërthurur nëpër vende kyçe, si u rehabilituan, fillimisht Bujar Bukosh, e tash së voni edhe Isa Mustafa, i cili po me atë diversitet konfliktesh është duke e menaxhuar dhe udhëhequr edhe të tashmen e Kosovës.

Autori e nis librin me analizën mbi “Forcat e armatosura të vendeve ballkanike”, duke i trajtuar më mirë “Forcën, pajisjet teknike dhe strategjinë e APJ-së”, si dhe krahasimet me pajisjet në Ushtrisë Shqiptare. Në libër ka elemente të statistikave  mbi numrin e ushtarëve dhe arsenalin luftarak të këtyre vendeve, e cila zgjon kureshtjen e lexuesit. Nga ky prizëm nënkuptohet se krijimi i Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, nuk paska qenë e rastësishme, kurse përpjekjet për organizim dhe funksionalizim nuk qenka marrë si punë gallate. Si duket janë këto arsye pse autori ka shpjeguar shtrirjen organizative, duke përshkruar (në një kapitull të tërë), edhe për pasojat dhe burgosjet që kanë përjetuar oficeret e Ministrisë së Mbrojtjes si dhe ata të policisë në Ministrinë e Brendshme. Faksimilet dhe disa fotografi, edhe pse në aspektin kualitativ mjaftë të dobëta, kanë për qëllim të plotësojnë anën faktike.

Natyrisht, librat e kësaj natyre janë më të vështirë për t’u shkruar pasi një pjesë e madhe e kësaj gjenerate, të cilët kanë qenë drejtpërdrejt të involvuar në këto procese janë gjallë dhe kush më shumë dhe kush më pak i njohin ato ngjarje ato zhvillime, por jam i sigurt se nëse flasin të gjithë realiteti do të pasqyrohet edhe ma mirë.

Siç e përmendem edhe diku ma lart, libri në aspektin teknik dhe atë gjuhësor ka mundur të përpunohet edhe më mirë, bile me një përkushtim të thjesht ishin evituar shumë gabime të cilat e rëndojnë leximin e kujdesshëm. Ndërsa ne planin e konceptimit të lëndës unë nuk e kam parë nga prizmi profesional i një ushtaraku apo personit të involvuar në ato procese, por nga prizmi politik dhe veçmas ai publicistik i kam njohur mjaftë mirë polarizimet politike të asaj kohe, pengesat e fuqishme të Bujar Bukoshit, implikimin e Adem Demaçit, involvimin e LPK-së dhe disa gjëra të tjera të cilët në këtë libër ka pasur nevojë të qartësohen edhe më tej, pasi shikimi i gjërave nga distanca dhe në retrospektivë janë qartësuar me sukses edhe veprimet e asaj kohe.

Por ajo që merret vesh nga leximi i këtij libri, shihet se në të gjitha etapat LPK-ja ka qenë e implikuar dhe mjaftë ngatërrestare, kurse në anën tjetër edhe këtu shihet një  përkëdhelje e tepruar, pasi dihet se veprimi i tyre në asnjë periudhë nuk ka qenë në të njëjtën vijë që e kanë ndjekur LDK dhe subjektet tjera, pasi në asnjë rrethanë ata nuk e kanë njohur qeverinë e Kosovës, përjashtojmë ndonjë rast kur kanë bashkëpunuar deri sa kanë mjelë fonde të mjaftueshme nga buxheti shtetëror i Kosovës.

Pa marrë parasysh si i ka parë autori zhvillimet e asaj kohe, anashkalimi i rolit të LDK-së dhe sidomos i Degës së LDK-së në Zvicër, e zbeh peshën dhe rëndësinë faktike të këtij botimi, i cili shoqërohet edhe me disa vërejtje për të cilat ata që i njohin ngjarjet me të drejt mund të pezmatohen, veçmas mund të hidhërohen strukturat e oficerëve të karrierës që kanë jetuar në Zvicër, të cilët edhe në atë kohë kanë mundur të jenë të angazhuar ne këtë ministri, por lista e emrave dhe dokumente strategjike mungojnë. Megjithatë libri duhet të shikohet dhe të trajtohet kështu si është duke mos aluduar dhe duke mos e paragjykuar.

Pavarësisht mendimeve dhe paragjykimeve të mundshme, Dr.sc. Nikë Gjeloshi ka bërë mirë që ka marrë këtë guxim si iniciativë për të shkruar. Sigurisht është i vetëdijshëm se kurrë librat e parë nuk janë ma të mirë a më të përsosurit, sepse pas të parit gjithmonë duhet të vijnë libra të tjerë që i plotësojnë dhe argumentojnë edhe ma mirë, shumë ngjarje dhe shumë bëma të asaj kohe që janë përfolur në këtë libër ose që janë anashkaluar pa u përmendur fare.

Por një gjë është mbase e qartë se nëse bazohem në konceptin e librit shkencor e argumentues, kurrë nuk ka ndodhur që në librin e parë të citohen argumentet e librave vijues, e kundërta vazhdimisht, andaj autori Dr.sc. Nikë Gjeloshi duhet inkurajuar për punën që ka bërë pasi në njëfarë mënyre ka ndërtuar kornizën e një koncepti i cili në forma të shkruara duhet të pasojnë nga personat përgjegjës që kanë kryer funksione të rëndësishme gjatë asaj kohe si dhe të tjerët që kanë udhëhequr me Ministrinë e Mbrojtjes pas vitit 1995!

 

Zofingen, 13.12.2015.

 

 

SHËNIME PËR AUTORIN:

 

Nikë Gjeloshi, (30.04.1950). Lindi në Rakoc, komuna e Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në Irzniq (Deçan), Normalen në Pejë ndërsa Fakultetin e shkencave Politike – Politologjinë në Universitetin e Zagrebit ku i ka kryer edhe studimet pasuniversitare, dhe më pas, po aty ka doktoruar shkencat politike. Ka punuar gazetar në Radiotelevizionin e Prishtinës (RTP). Nga viti 1982 – 1989, ishte zyrtar i lartë politik në Kosovë dhe ka marrë pjesë në shumë komisione e grupe punues të asaj kohe. Me rënien e sistemit monist, ai në vitin 1990 ishte njëri nga themeluesit e Partisë Shqiptare Demokristiane (PSHDK), ishte hartues i dokumenteve bazë të asaj Partie dhe nënkryetar i saj. Në vitin 1991 u zgjodh anëtar i Këshillit Koordinues të Partive politike shqiptare në ish Jugosllavi dhe njëri nga hartuesit e Platformës Politike e njohur si “Platforma e tre opsioneve politike shqiptare”. Nga tetori i vitit 1991 deri në maj 1995, ishte nënkryetar i Qeverisë së Republikës së Kosovës    në ekzil dhe Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës. Që nga viti   210 është ushtrues i detyrës së kryetarit të PSHDK. Është punëtorë shkencor dhe merret me publicistikë. Jeton në Zvicër.

 

VEPRAT E BOTUARA :

„Kosova dhe e ardhmja e saj“, studim, Graz – Austri 1994 dhe Tiranë 1995.

„Kosova në Udhëkryq `89“, publicistikë, Gorle (BG), Italy 1997.

„Kosova 1999“, publicistikë, Tiranë 2002 dhe 2004.

“Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës 1991 – 1995”, publicistikë, Prishtinë 2015.