Letër miqësore për intelektualin e njohur nacionalist Skënder Kapiti

Nga  Prof. Eshref Ymeri

I dashur Skënder!

E kam theksuar edhe herë të tjera se në figurën tuaj, si një atdhetar i shkëlqyer, unë shikoj një intelektual me formim të amirueshëm të formatit nacionalist. Intelektualë të tillë, për fatkeqësinë tonë kombëtare, janë të rrallë në radhët e inteligjencies shqiptare. Sepse inteligjencia shqiptare qëndron larg misionit të saj të shenjtëruar në shërbim të kombit shqiptar. Një mision të tillë duhej ta merrte përsipër inteligjencia universitare në Tiranë dhe në Prishtinë, duke pasur parasysh përcaktimin që i bën inteligjencies leksikografi dhe gjuhëtari i shquar amerikan Nouah Uebster (Noah Webster 1758-1843), autor i Fjalorit amerikan të gjuhës angleze, të titulluar Webster’s Dictionary, të botuar për herë të parë në vitin 1828. Ai jep këtë përcaktim për inteligjencien:

“Inteligjencia është klasa e njerëzve të arsimuar, që përbën një shtresë shoqërore të veçantë dhe të pajisur me vetëdije kombëtare brenda kombit, e cila vë në jetë ose merr përsipër rolin udhëheqës të pararojës intelektuale, shoqërore ose politike”.

Normalisht duhej që inteligjencia shqiptare, dhe sidomos inteligjencia universitare, të zinte kryet e vendit në rolin e saj për kalitjen e vetëdijes kombëtare, e cila realizohet përmes rritjes së standardit të jetesës së mbarë popullit, çka varet krejtësisht nga mënyra e qeverisjes së vendit nga kasta politike në pushtet. Për shkak të varfërimit të vazhdueshëm të shumicës së popullit, sidomos gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, qoftë në Shqipërinë Londineze, qoftë në Kosovë, më shumë se gjysmë milioni njerëz kanë braktisur vendin, por inteligjencia ka luajtur një rol të pahijshëm, një rol soditës ndaj keqeverisjes së vendit si në Tiranë, ashtu dhe në Prishtinë. Ju, si një intelektual me vetëdije të lartë kombëtare, vazhdimisht e keni ngritur zërin kundër prapësive që ka bërë dhe vazhdon të bëjë qeveria në të dyja kryeqytetet. Por, fatkeqësisht, inteligjencia asnjëherë s’ka menduar të marrë përsipër rolin udhëheqës të pararojës shoqërore dhe politike, në mënyrë që ta zgjuajë popullin nga gjumi letargjik dhe ta edukojë që të mos ambientohet me të keqen, me varfërinë, për të mos e lejuar kastën politike antikombëtare të vetëpasurohet në kurriz të tij.

Qëndrimi shpërfillës i inteligjencies ndaj fateve të popullit shqiptar, më sjell në kujtesë publicistin, botuesin dhe kritikun letrar rus Mihail Katkov (1818-1887), i cili ka bërë këtë vlerësim për inteligjencien:

“E keqja më e madhe e Rusisë prehet në atë pjesë të kalbëzuar të inteligjencies së saj, së cilës i vjen turp për vendin e vet dhe ndihet si e huaj për popullin e vet”.

Po të kemi parasysh nivelin e ulët të vetdijes kombëtare të inteligjencies shqiptare, të vijnë ndër mend menjëherë fjalët e Mao Ce Dunit (1893-1976), i cili ka thënë:

“Inteligjencia është pjesa më e paarsimuar e shoqërisë”.

Ju uroj shëndet dhe mbarësi dhe suksese në krijimtarinë tuaj të pasur publicistike në shërbim të kombit shqiptar.

Me respekt dhe mirënjohje të thellë.

Prof.Eshref Ymeri

Santa Barbara, Kaliforni

04 dhjetor 2020