LDK ËSHTË PARTI SHTETFORMUESE APO PARTI SHTETRRËNUESE?!

THIRRJA NR. 4

LDK ËSHTË PARTI SHTETFORMUESE APO PARTI SHTETRRËNUESE?!

Të nderuar deputete dhe deputet ,

Kosova është në krizë, kurse qëndrimi juaj po manifestohet si tallje me Kosovën. Kriza nuk kalohet me inate e duke krijuar ngërç politik e vakum institucional. Por kjo po ndodhë prejse LDK-në po e udhëheq komunisti Isa Mustafa, i cili LDK-në nga një parti shtetformuese e ka shndërruar në parti shtetrrënuese.

Kriza e thellë që ka kapluar LDK-në po bartet edhe në krizë shtetërore, kurse ju jeni shndërruar në marioneta të Isa Mustafës i cili ka për qëllim për ta shkatërruar partinë dhe Kosovën, vetëm e vetëm për t’iu shmangur përgjegjësisë penale.  Humbja katastrofale e LDK-së në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, e ka fundosur Isa Mustafën dhe klanin e tij, prandaj deputete dhe deputet nga radhët e LDK-së, mos e mashtroni më elektoratin se  nënshtrimi juaj para Isa Mustafës, bëhet për ta ruajtur LDK-në dhe Kosovën?! Mos votimi juaj është  bëhet për ta mbrojtur Isa Mustafën, i cili si askush tjetër e kas shkatërruar demokracinë, prandaj edhe tani po sillet si një despot me LDK-në, me ju dhe me fatin e Kosovës.

Isa Mustafa, është humbës serik, por që asnjëherë nuk ka marrë përgjegjësi. Ai do ta shkatërron LDK-në. Isa Mustafa, asnjëherë  nuk u ka qëndruar besnik premtimeve publike, pra edhe kësaj radhe ju do të jeni vetëm një letër e djegur për interesa të Isa Mustafës.

Është ky Isa Mustafa i cili për interesa personale bëri koalicion me PDK-në, e zgjodhi Kadri Veselin, kryetar të kuvendit, kurse Hashim Thaçin e bëri President të Kosovës.

As kryetari i LDK-së Isa Mustafa, as prijësi i listës, dhe asnjëri nga ju nuk keni bashkëpunuar dhe as nuk keni kërkuar që të përfshihet elita politike, dhe në listën për deputet të futen edhe disa nga veteranët e LDK-së. Ju nuk e deshët as diasporën dhe madje asnjëri nga ju nuk jeni distancuar nga veprimet antidemokratike të Isa Mustafës.

Ju e dini se qeveria e Isa Mustafës, bashkë me ministrin Abdullah Hoti, ua fali disa qindra miliona borxhlinjve, por nuk u kujtuan ta rikthejnë Huan Popullore të cilën dikur e pat vjelë Isa Mustafa nëpër diasporë, por nuk më ka rënë të dëgjojë asnjërin nga deputetet e legjislacionit të kaluar që e keni ngritur në diskutim edhe çështjen e votimit të diasporës të cilën ju e keni përjashtuar nga proceset politike.

Ju nuk keni reaguar dhe as nuk jeni distancuar nga arnimi i partisë me njerëz që nuk e kanë asnjë meritë për LDK-në, por jeni përqafuar e puthitur tribunave me shkatërruesit e Degëve të LDK-së në Diasporë dhe me parashutistët e Kolegjit NOVIINVEST, duke e zbukuruar veten me sloganin se jeni “Brezi i Republikës”, dhe fare nuk keni menduar se dikush nga ju ishte këshilltar i kryetarit paraprak kur largoi dhe përjashtoi elitën intelektuale të LDK-së por iu lëpitë Isa Mustafës, dhe bashkë me të e përjashtuat nga të gjitha proceset politike diasporën.

Tashmë kanë dalë më në pah qëllimet e Brezit të Republikës i cili me deklarata sporadike se gjoja janë kundër Isa Mustafës, po paskan pasur qëllim mashtrimin sa për të marrë vota sa për tu bërë deputet pikërisht ky Brezi i Republikës, i cili do të vazhdojë shkatërrimin e LDK-së aty ku e lanë dy kryetaret e gjertanishëm të LDK-së, që do të jetë tragjike për LDK-në dhe Kosovën.

Tash Brezi i Republikës është shndërruar në levë të konceptit komunist të Isa Mustafës dhe nuk po bezen në pritje të posteve shtetërore e ministrore, duke e shndërruar LDK-në nga një parti Shtet-formuese në një parti shtet-rrënuese.

As ju, por as Isa Mustafa nuk ia shtritë dorën elitës intelektuale dhe as diasporës, por me demagogjitë tuaja kërkuat votën e qytetarëve, për ta ruajtur e shpëtuar Isa Mustafën, i cili edhe pas këtyre humbjeve serike nuk merre përgjegjësi. Tani ai nuk dëshiron t’i ndërtojë institucionet e Kosovës, që po i bie se ju jeni brezi i Shtet-shkatërrimit të Kosovës, i luftës antiamerikane dhe kundër proceseve integruese në Bashkimin Evropian. Kjo po i bien se ju jeni kundër funksionalizimit të Gjykatës  Speciale, kundër demarkacionit dhe kundër zhvillimit politik e ekonomik të vendit. Në vend se ju t’a detyroni Isa Mustafën të jap dorëheqje, ju jeni shndërruar në marionetë të tij dhe të koncepteve antidemokratike.

Të nderuar deputete dhe deputet të LDK-së,

ju jeni fajtor pse fatin e Kosovës po e leni në duart e Listës Serbe dhe ju jeni fajtor pse po ia zgjatni jetën politike Isa Mustafës, humbësit ma të madh dhe shkatërruesit të LDK-së. Andaj nuk keni nevojë të bëni koalicion me PAN-in por duhet të votoni për kryeministër të cilin vota e qytetarëve ua ka përcaktuar. Kundërshtimi që ju po iu bëni proceseve nuk ka të bëjë me moralin politik dhe as me patriotizëm, por ka të bëjë me logjikën e Shtetshkatërrimit të cilën juve ua ka imponuar komunisti Isa Mustafa, humbësi i serishëm i zgjedhjeve në LDK-së dhe përfaqësuesi tipik i ndikimit serb dhe atij rus në Kosovë.

Isa Mustafa, nuk e ka dashtë ndihmën e Degëve të LDK-së në diasporë, as të elitës intelektuale dhe asaj akademike.  Por frika e përgjegjësisë penale atë e çmendi, prandaj po manipulon edhe me juve. Kosovë do të miraton ligje të mira dhe do të zbaton norma të modelit kroat, ku kryeministri i atij vendi dhe një listë e gjatë të zyrtarëve politik janë dënuar dhe iu ka konfiskuar pasuria, prandaj distancohuni nga përpjekjet për t’i mbrojtur kriminelet dhe sidomos për ti marrë mbi supe përgjegjësit e shkatërrimit të LDK-së.

Deputete dhe deputet të LDK-së, votimi juaj nuk duhet të kalkulohet por ju duhet të vendosni për formimin e organeve zyrtare të shtetësisë, të kërkoni miratimin e ligjeve që ndjekin penalisht të  korruptuarit dhe kriminelët, si dhe ta detyroni Isa Mustafën të jap dorëheqje nga partia, bashkë me kryesin e LDK-së, në mënyrë që t’iu hapni udhë reformave të brendshme në parti.

Gjithsesi ju duhet ta kushtëzoni Isa Mustafën për të dhënë dorëheqje, kurse kryesisë së LDK-së t’ia impononin që ta bëjë një ekip për reforma të cilit duhet ti prijë prof. dr. Rexhep Gjergji, i cili është njëri nga themeluesit e LDK-së. Vetëm ai mund të përfaqësojë vazhdimësinë e traditës në LDK.

Prof. dr. Rexhep Gjergji, ka qenë për vite sekretar organizativ, dhe ka punuar me degët e LDK-së në vite ma të vështira. Vetëm ai mundet me e lidhur diasporën me Kosovën dhe me LDK-në. Prandaj deputete dhe deputet të LDK-së, mos krijoni ngërç politik. Mos krijoni vakum institucional, por bëhuni pragmatik në veprimet e juaja, sepse nëse edhe më tutje i mbeteni besnik Isa Mustafës, ju po dëshmoheni se nuk jeni Brezi i Republikës, por jeni gjenerata e shkatërrimit të demokracisë së brendshme dhe do t’u mallkoj historia, për dëmin kolosal që ia keni sjell LDK-së dhe Kosovës, për një post dhe për servilizmin tuaj ndaj Isa Mustafës.

Ju bëjë thirrje publike se Ju nuk duhet të bëheni marionetë e Isa Mustafës,  dhe nuk keni nevojë për ta kontrabanduar mandatin e deputetit. E nëse e mbroni Isa Mustafën dhe qëndrimet e tij, ju do ta  tradhtoni LDK-në dhe idealin e popullit që ju ka votuar.

Të nderuar Deputete dhe Deputet ju duhet haptas të mbroni pikëpamjen tuaj rugoviane, duke ia bërë me dije kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës, se atij i ka ardhur fundi, andaj ai nuk mund të manipuloj edhe më tutje me ju, dhe nuk mund të bëjë çfarë të dojë as me LDK-në dhe as me Kosovën!

Është rast historik për ta zgjidhur ngërçin politik dhe për ta dërguar menjëherë Isa Mustafën në shtëpi, për t’iu hapë udhë reformave në LDK.

Kosova sot është në duart tuaja, ashtu sikurse vota e juaj që është fati i Kosovës!

 

Zvicër, 17 korrik 2017

Shefqet Dibrani,

veprimtar i LDK-së që nga themelimi, autor dhe analist i zhvillimeve politike në LDK.