LDK dhe agjenda personale e Alma Lamës

Bajram MjekuNga Bajram Mjeku

Mediat sot kumtuan lajmin aspak befasues, të cilin e kemi pritur nga muaji shkurt i këtij viti. Alma Lama me shtetësi të dyfishtë dhe standarde të dyfishta, propozohet për ambasadore të Republikës së Kosovës në Itali! Është pazari i radhës nën rrogoz i deputetes Lama dhe mjerimi politik i partisë më të vjetër në Kosovë.
LDK shkoi larg duke i përbuzur rreth 200 mijë votues të saj. Jo vetëm “zhvati” deputetë nga partitë tjera, por edhe importoi një deputete të Lëvizjes Vetëvendosje me origjinë nga Republika e Shqipërisë. A mund të dëshmojë dikush se cili biznes nga Kosova pati sukses në Republikën e Shqipërisë dhe a mund të imagjinojë dikush një shqiptar nga Kosova të zgjidhet deputet në Parlamentin shqiptar?! Personalisht, unë e njoh vetëm një. Është fjala për një mik timin, këshilltar politik i presidentit shqiptar, Bujar Nishani dhe asnjë tjetër me origjinë nga Kosova.
Kur vështron origjinën politike të deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, gati gjysma e tyre janë ardhacakë nga partitë tjera. Ata nuk mbrojnë kauzën politike të LDK-së, e cila edhe ka mbetur pa kauzë. Ata kanë kryekëput agjendë personale.
Vetëm pak orë para se të zgjidhej presidenti i Republikës së Kosovës, Alma Lama thoshte me pompozitet se do ta them qëndrimin tim aty ku duhet, pra në Parlamentin e Kosovës. Ditën “kritike”, nuk nxori as edhe një fjalë të vetme nga goja. Një ditë më vonë denjoi të gënjente gjithë elektoratin e LDK-së duke thënë: “Dje kam votuar kundër Thaçit!”. Është Alma Lama e cila pa u konsultuar asnjëherë me Grupin parlamentar, sulmonte anëtarët e Kryesisë së LDK-së për kinse rrezikun e sjelljes së islamit politik në Kosovë. Puna shkoi aq larg sa për t’ia rritur vetes namin dhe pazarin, deklaronte se është e kërcënuar nga këta të fundit!
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës duhet të ndalojë përbuzjen ndaj strukturave të saj, të cilat tash 26 vjet kanë luftuar për kauzën e shqiptarëve në Kosovë dhe për agjendën politike të kësaj partie. LDK duhet të ndalojë përbuzjen ndaj themeltarëve të saj, të cilët për kauzën e kësaj partie shkatërruan ekonomitë familjare. Disa nga ata e paguan edhe me kokë. Ata që luajnë me ndjenjat e themeltarëve dhe shkelin mbi gjakun e atyre, të cilët themeluan këtë parti dhe luftuan për pavarësinë e Kosovës i pret fund i keq…
Dita e zgjedhjeve nëse jo këtë vit, më së largu do të caktohet në fillim të vitit të ardhshëm. Kjo ditë për udhëheqjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të jetë si Dita e Gjykimit për të vdekurin.
Kam lexuar për një situatë tragjikomike prej nga e ka origjinën Alma Lama. Kur në vitin 1949 në Tiranë u nxor në gjyq me akuzën si agjent jugosllav Koçi Xoxe, ish-ministër i Brendshëm i Republikës Popullore të Shqipërisë, në çastin kur kryeprokurori famëkeq Aranit Çela i kumtonte gjykimin me vdekje në emër të Kushtetutës, Koçi Xoxe pyeti prokurorin:
– Në emër të Kushtetutës së cilit popull më dënoni shoku prokuror?!
– Në emër të Kushtetutës së popullit shqiptar, – u përgjigj i ngrefosur prokurori Çela.
– Më fal shoku prokuror, por unë jam bullgar!, – u përgjigj plot krenari ministri Xoxe!