Kushtetuesja të veprojë me urgjencë në zgjidhjen e krizës institucionale!

Shkruan: Florim Zeqa                     25.04.2020

Kushtetuesja të veprojë me urgjencë në zgjidhjen e krizës institucionale!

Kushtetuta e Kosovës e hartuar nga të huajt, e shkruar nga vendorët duke kopjuar nene dhe ligje nga kushtetutat e vendeve të ndryshme evro-perëndimore nuk po mund e gjenë zbatimin e duhur në praktikë.

Siq dihet Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën. Ajo siguron funksionalitetin e institucioneve të vendit në pajtim me Kushtetutën dhe garanton mbrojtjen e të drejtave dhe të lirive individuale të garantuara me Kushtetutë.

Vakumet ligjore në kushtetutën tonë, përveq interpretimeve të shumëfishta po lënë hapësirë të manipulimit nga politikanët e papërgjegjshëm kosovarë.

Për të vërtetuar vakumet ligjore që ekzistojnë në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për lexuesit, nga kushtetuta i kam shkëputur disa nga nenet dhe pikat më të kontestuara ditëve të fundit nga politikanët dhe jo vetëm.

Neni 82 [Shpërndarja e Kuvendit]

  1. Kuvendi mund të shpërndahet nga Presidenti i Republikës së Kosovës, pas votimit të suksesshëm të mosbesimit të Qeverisë.

 

Neni 84 [Kompetencat e Presidentit]

(14) cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit;

 

Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]

  1. Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e  nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

 

Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]

  1. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë.

 

Neni 100 [Mocioni i Votëbesimit]

  1. Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë mund të ngrihet me propozimin e një të tretës (1/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit.

 

  1. Nëse mocioni i mosbesimit votohet për Qeverinë në tërësi, Qeveria konsiderohet në dorëheqje.

 

Neni 112 [Parimet e Përgjithshme]

  1. Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.
  2. Gjykata Kushtetuese është plotësisht e pavarur në kryerjen e përgjegjësive të saj.

Siq shihet rrëmujën më të madhe e kanë shkaktuar vakumet ligjore në këto nene të kushtetutës; Neni 82, pika 2, Neni 95, pika 5, në të cilin nuk përfshihen fare afatet kohore si dhe Neni 100, pika 6, ku mungojnë qartësitë ligjore në procedimin e zgjedhjes së qeverisë së re pas mocionit në kuvend.

Kërkohet ndërhyrje urgjente e Gjykatës Kushtetuese

Në këtë rast, është e pashmangshme ndërhyrja e Gjykatës Kushtetuese. Situata e krijuar pas mocionit të votëbesimit ndaj ‘Qeverisë Kurti’ me 25 mars 2020, e shtron nevojën e ndërhyrjes së mënjershme të Gjykatës Kushtetuese, për të qartësuar rrugën ligjore për formimin e qeverisë së re, për t’i dhënë epiog ligjor krizës institucionale të krijuar pas shkarkimit të qeverisë.

Gjykata Kushtetuese e ka për obligim, që sa më parë të qartësoj situatën konfliktuoze mes kryeministrit dhe presidentit, gjegjësisht të qartësojë kompetencat e kryeministrit në detyrë dhe mënyrën e zgjedhjes së qeverisë së re pas mocionit të suksesshëm në kuvend.

Gjykata Kushtetuese le të na tregojë të gjithëve, por në radhë të parë Albin Kurtit, se a ka të drejtë në këmbëngulsinë e tij për ta quar vendin në zgjedhje në situatën kur partia fituese e zgjedhjeve (LVV) ka mbetur pakicë në Kuvend, apo, a ka të drejtë presidenti Thaçi t’ia jepë të drejtën shumicës prlamentare në kuvned që ta zgjedhë qeverinë e re pa shkuar vendi në zgjedhje!?

E nderuara kryetare e gjykatës, zonja Arta Rama-Hajrizi, të nderuar gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, ju gardian të parë të kushtetutës së vendit, jam i bindur që edhe ju, sikurse ne, jeni duke i përcjellur me vëmendje  zhvillimet politike në vend pas shkarkimit të qeverisë.

Partia fituese e zgjedhjeve (LVV) po ngulë këmbë në të drejtën e saj për ta quar vendin në zgjedhje, ndërsa partitë tjera në emër të shumicës në kuvend po duan ta e bëjnë të kundërtën e saj, duke e formuar qeverinë e re nga shumica parlamentare në Kuvend!

Meqë e kemi një kushtetutë, duhet ta kemi vetëm një zgjidhje ligjore, e jo dy siq po na ofrohen nga liderët shtetërorë.

Edhe pse fillimi i një procedure në Gjykatën Kushtetuese bëhet vetëm pas parashtrimit të kërkesës me shkrim në gjykatë nga personi fizik siq thuhet në kushtetutë, Gjykata Kushtetuese pa humbur kohë dhe pa respektuar « rregullat burokratike » duhet të jepë sqarimet e duhura për dalje nga kriza institucionale, për shkak se vonesat në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e qeverisë së re pas mocionit në kuvend, mund të shkaktojë situata të paparashikuara konfliktuoze me pasoja zinxhiorore për vendin tonë.