Kushdo që do ta lexojë Ali Binakun, do t’i lidhë dashuria

Me rastin e promovimit të librit të Radovan Zogoviqit “ARDHËSIT-KËNGËT E ALI BINAKUT”, promovim i bërë në Shkodër, nën organizim të Shoqatës Rajonale të Shkrimtarëve “TEUTA”

Kushdo që do ta lexojë Ali Binakun, do t’i lidhë dashuria

Shkruan: Mirash Martinoviq

(Përkthimi i bëre nga profesori, Anton Nik Berisha)

Po bëjmë këtë promovim të librit “Këngët e Ali Binakut, të autorit Radova Zogoviq, pikërisht në vitin kur rrumbullakohen tetë dekada nga krijimi i këtyre poezive, dhe njëqind e dhjetë vjet nga lindja e autorit të tyre. Në pamje një libër i vogël, nga gjithsej dymbëdhjetë poezi, përveç rëndësisë poetike, ai është një dëshmi e rëndësishme historike mbi vuajtjet dhe fatkeqësinë e shqiptarëve në Mbretërinë e ish Jugosllavisë. Ekzistojnë edhe periudha të tilla të errëta  në historinë e popujve dhe civilizimeve që mbeten në harresë, të cilat i mbulon errësira e kohës, të cilat i ndrydhë harresa. Edhe ne edhe ju, edhe malazezët edhe shqiptarët, kemi pasur fat që ajo kohë, krahas fatkeqësive dhe keqtrajtimeve, ka lindur poetin e madh i cili me vargje, edhe më fuqishëm nga të gjitha ushtritë dhe xhandarmeritë, është ngritur kundër një gjendjeje të tillë, duke u renditur, edhe pse kjo ishte e rrezikshme, në anën e viktimës, dhe kundër dhunuesit të fuqishëm të cilët në mënyra të ndryshme përdorën fuqinë dhe dhunën e vet.

Radovan Zogoviqi është një ardhacak malazez, kolonist në Kosovë. Në një emision të emituar më parë të Natasha Baranin “I dëbuar nga librat e leximit” të emituar në Televizionin e Malit të Zi, janë paraqitur dëshmi sugjestive të shqiptarëve nga Deçani të cilët me dashuri të madhe flasin për familjen Zogoviq dhe ardhjen e tyre në Kosovë, duke theksuar argumentin se babai i Radovanit e kishte blerë dhe nuk e kishte fituar tokën nga shteti. Pra, Zogoviqi i ri, para moshës tridhjetëvjeçare, në vitin 1937 boton versionin e parë të këngëve të Ali Binakut në revistën “Naša stvarnost” (Realiteti jonë) si, siç e thekson edhe ai në sqarimet që ka lënë krahas poezive, “si dokument lirik mbi vuajtjet e popullatës shqiptare në ish Jugosllavi, si protestë ezopiane kundër politikës serbomadhe të keqtrajtimit të shqiptarëve  në Metohi dhe në Kosovë.”

Ky ishte një gjest i guximshëm njerëzor, një akt i lartë moral, kundërshtim i cili ka mundë të paguhet me kokë. Zogoviqi të gjithë këtë e ka ditur dhe e ka pasur parasysh, por pati guximin që askush tjetër s’e kishte, qëndroj krahas të dhunuarve, duke shkruar një poezi të madhe – epin e parë modern në letërsinë malazeze – siç thotë Jevrem Brkoviqi.

Ajo poezi u ka mbijetuar edhe tre carëve  dhe tre mbretërve që erdhën për të mos shkuar, shkuan, si vegshat e thyer, siç thotë në poezinë e nëntë bosht të këtij cikli poetik – Biblës së shqiptarëve, siç e tha miku im dhe i yni Ibrahim Kadriu në emisionin kushtuar Zogoviqit. Kjo fjali më është skalitur thellë!

Ajo poezi u ka mbijetuar pashëve dhe hajdutëve, edhe fuqisë dhe dhunës, si dhe populli të cilit i është kushtuar, dhe ja sot na tubon, si një buqetë lulesh më të bukura, si himni më i bukur, manifesti poetik, i cili atëherë vlente për shqiptarët, ndërsa sot vlen për të gjithë të shtypurit në botë. Njësoj si në Irak, Libi, Siri… Është bërë himn që vlen për të gjithë të robëruarit dhe të shtypurit, britmë dhe eksklamacion për luftën.

Në kohën kur Zogoviqi shkruante këngët e Ali Binakut, shqiptarëve u ndalohej që nëpër shkolla të mësojnë dhe të flasin në gjuhën e vet, dhe atëherë kur kjo gjuhë u ndalua për përdorim zyrtar, Zogoviqi në manifestin e tij poetik, në poemën që është e barabartë me poemat e mëdha botërore, që nga ato arkadike – babilonase – hebraike – dhe deri te “Humnera” e Ivan Goran Kovaçiqit, përdorë publikisht tre fjalë shqipe.

Ali Binaku u bë një e mirë e përgjithshme, simbol i luftës dhe qëndresës, simbol i vëllazërimit dhe mirëkuptimit.

Kushdo që do ta lexojë Ali Binakun, qoftë ai shqiptar apo malazez, do t’i lidhë dashuria. Ja, kjo lidhëze më e bukur, që edhe sot shndritë mes nesh me përkthimin e ri të këngëve të Ali Binakut, që e ka bërë profesor Anton Berisha, me një studim impozant për poezinë. Krahas atij të Mekulit të botuar në vitin 1958, para nesh është përkthimi i ri i Ali Binakut, në një botim të ri, dhe me këtë edhe një kthim dhe qasje e re ndaj kësaj poezie, nga pena e profesorit të njohur universitar, shkrimtarit dhe intelektualit. Në parathënien e këtij libri Antoni ka vënë rrëfimin që ia kam treguar derisa po e përgatiste për shtyp, por unë do t’jua them në këtë përurim. Ky është një rrëfim të cilin në vitin 1981 e kam dëgjuar nga Zogoviqi në banesën e tij në Beograd. Rrëfimi është shumë i rëndësishëm dhe ka të bëjë me zanafillën e të shkruarit të Ali Binakut.

Zogoviqi më ka treguar se, si një poet i ri kishte shkuar në Zagreb për të vizituar shkrimtarin, bardin e poezisë August Cesarecin, i cili atëherë poetëve të rinj, me orientim të majtë dhe social, u ka shërbyer si shembull, si model për çdo gjë. Në banesën e Cesarecit ishte të ftohtë. Cesareci, sipas kujtimeve të Zogoviqit, ishte mbështjellë me një batanije. Kishte pyetur: Zogoviq, si është gjendja në Kosovë? Si dëshmitar i dramës kosovare, të asaj që po i ndodhte popullatës shqiptare, të asaj për të cilën ishte dëshmitar dhe për atë që kishte dëgjuar, biseda ishte shpërthyer si një vullkan. Dhe ai pothuaj dy orë kishte paraqitur shembujt e keqtrajtimit, të vrasjeve, terrorit… Cesareci e kishte dëgjuar me vëmendje, dhe në një moment thirri: Zogoviq, nëse nuk keni letër, gdhendeni në gur. Pas këtyre fjalëve lindën këngët e Ali Binakut të cilat Zogoviqi me të vërtetë i gdhendi për të gjitha kohët, në vetëdijen dhe memorien tonë.

Shqiptarët janë fatkëqij për shkak të dhunës që kanë përjetuar, por të lumtur që për ta këndoi një poet aq i madh!

Sikur cilido popull të ketë vuajtur, sikur të ketë pasur një fat aq të keq, ai do të bënte të njëjtën gjë! Ishte humanist i madh, pa të cilën karakteristikë nuk mund të paramendohet një poet i madh!

Zogoviqi me të vërtetë ishte i madh!

Poezia nuk njeh kufij, ajo jeton gjithmonë. Siç jeton edhe Ali Binaku, siç jeton edhe Zogoviqi.

 

Poezi:

Dhe ti mos qaj. Kur fatkeqësia e godet njeriun,

njeri mos qaj! Njeri Ibish, ti me zemër ngadhënje

edhe librin dhunues – kur është dhe libri fuqi,

duro dhe mëso – kur dhe libri është fuqi!

Dhe në të, bile në të, të xhandarmuar, të zotësuar,

do të gjesh se herë – herë është më burrërore dhe më e urtë

t’i lëvrosh rrugët, sesa arat e Dukagjinit.

Nga dikah erdhi ajo që për të

ligji është në topuz, gjurmë e qelbur e panjerëzisë.

Diku në të ka shkruar Mark Milani në Medun

le të dihet se kush jemi dhe të kujt jemi.

 

Pra, mos qaj. Në të keq ngadhënje.

Dhe nga ai libër, dhe atyre pas tij dhe pas tyre,

syno t’ia dalësh – ku libri nuk i ndihmon kresë,

e kryet dorës, mos qofshin as libra as krerë, –

dilja të krijosh, kërko që të dallosh

kur, me cilin dhe qysh –

që knjiga të quhet libër, glava të quhet krye, sloboda – të quhet liri.