Kush e sundojnë të tashmen në Shqipëri dhe në Kosovë

Kush e sundojnë të tashmen në Shqipëri dhe në Kosovë

Nga Skënder Sadri KAPITI

Rrjedhën e këtij  tranzicioni , pra të tashmen në Shqipëri dhe në Kosovë e kanë në dorë dhe po e sundojnë të pamerituarit, zullumqarët, grabitësit e hajdutët, e kanë nën sundim Ali Babët  dhe Lupenët hajdutë thesarësh e bankash , hajdut parash publike dhe grabitës pasurish e pronash; e kanë sundimin e pushtetin në dorë Al Kaponet e krimit e korrupsionit dhe Eskobarët e drogës dhe gjithfarë kontrabandistësh e trafikantësh.

Dhe jo vetëm këta dhe me kaq, por këta kanë përvetësuar edhe moralin, edhe patriotizmin, kanë rrëmbyer atributet, kompetencat dhe virtytet e krenarinë kombëtare duke matrapazuar dhe spekuluar rëndë edhe me to.

E morën dhe e sundojnë Shqipërinë  dhe shoqërinë ata që e bllokojnë, turbullojnë dhe e pengojnë rrjedhën normale të emancipimit patriotik, civil, demokratik , që e pengojnë emancipimin e mirëqënies dhe të integrimit; e sundojnë të tashmen ata të cilët e privuan lirine e vërtetë për talentin, për dhuntinë, për aftësinë, profesionalizmin dhe intelektualizmin real e modern.

E morën dhe e drejtiojnë të tashmen ata të cilët të cilët nuk kanë sensin e humanitetit , as të ndjesisë shoqërore dhe as të patriotizmit; ata të cilët   bëjnë “falje”, shitje  dhe tradhëti edhe me detin e me trojet shqiptare.

E sundojnë akoma të tashmen ata të cilët i dhanë vetes së tyre lirinë dhe të drejtën për të bërë gjithcka e për të mos dhënë llogari për asgjë dhe para askujt, as para shtetit, as para ligjit , as para popullit dhe as para  demokracisë së tij.

E  sundojnë shtetin dhe shoqërinë shqiptare ata të cilët i dhanë lirinë dhe mbrojtjen egoizmit, të keqes, krimit, vetëgjyqësisë, dekadencës, korrupsionit, drogës dhe që ia  imponuan shqiptarëve dëbimin dhe largimin nga atdheu.

Të tashmen e sundojnë ata të cilët u bënë materialistë të pa fe dhe kanibalë politik të pangopur e të pafre.