KUSH E SOLLI HASHIM THAÇIN?!…

Koment:

KUSH E SOLLI HASHIM THAÇIN?!…

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Legjenda “Kush e solli Doruntinën”, në variante të ndryshme njihet edhe si “Kënga e Halil Garrisë”, ose ajo Motra me “Shtatë ose Nëntë vëllezër”, të cilat për trajtim kanë të bëjnë me një Legjendë, përkatësisht me një përrallë që askush gjerë më sot nuk e ka parë se “Kush e solli Doruntinën”. Por përralla “Kush e solli Doruntinën”, lidhet me ringjalljen e Konstandinit, që paska jetuar edhe në trevat tona, e cila si legjendë është bartur brez pas brezi duke u shndërruar në një vlerë etnokulturore e cila e ka kryer misionin e vet, pasi kohërat moderne dhe kjo e internetit i ka zhvleftësuar këto përralla.

Por rrena, përkatësisht gënjeshtra se si e paska mbajtur “besën”, është po aq e saktë sa “besa”, që po e mbajnë sot shtresa elite dhe ajo politike e kohës sonë. Të flasësh për një “besë” që paska ekzistuar dikur në trevat tona dhe të kesh një shtresë të tashme elite dhe politike kaq të pabesë është niveli më i ulët i emancipimit të shoqërisë. Popujt e mençur që moti e kanë arkivuar “besën” në muzetë e tyre etnografike, duke i zëvendësuar ato zakone me ligje e norma të cilat nuk lejojnë elitën e tyre politike  të bëhet kaq e pabesë sa na është bërë e pabesë elita politike në hapësirën shqiptare.

Besa e Konstandinit karshi Doruntinës është ekuivalente me besën që po e mban Hashim Thaçi karshi popullit të Kosovës. E nëse ajo besë qenka rrenë, përkatësisht Legjendë, a nuk e ktheu Hashim Thaçi edhe Luftën e UÇK-së në Legjendë me rrezikun e madh që edhe përpjekjet shekullore për Liri dhe Pavarësi të shndërrohen në Legjenda tragjike, përkatësisht në Përralla të cilat ndoshta pas 500 vjetësh do të thuhet se paska qenë një Hashim i cili “Hashimin, përkatësisht sipas kodit latin, Penisin”, ua paska rrasur në gojë të gjithëve, fillimisht bashkëpunëtorëve dhe përkrahësve të tij, kurse vendit dhe përpjekjeve të atij populli për liri dhe pavarësi ia paska luajtur Nonen?!

Pse jo “Përralla për Kosovën”, që do të tregohet pas 500 vjetësh, do të rrëfej se si Hashim Thaçi, ka luajtur Koçe e K… edhe me një Perandori të Madhe e cila kishte ardhur nga përtej Atlantiku, si aleate e shqiptarëve për t’i shpëtuar ata nga përbindëshi i tyre në veri të vendit. Sigurisht do të rrëfehen edhe përralla se si ajo Perandori qenka lajthitur në “Besën e shqiptarëve”, siç thuhet: për shkak të asaj bese edhe Konstandini qenka ngritur nga varri, ose njëfarë Halil Garria apo ai Hamami i Hyrës, me të cilët e kemi mashtruar veten se jemi besnik, madje për ta përmbushur amanetin e dhënë ne ngritkemi edhe nga varri, madje duke bërë veprime edhe në kundërshtim me Ligjet e Zotit?! Në anën tjetër shkenca moderne e paska hedhur poshtë legjendën e shqiptarëve për ringjallje, siç i paska ndodhur Konstandinit e Halil Garrisë apo atij Hamamit të Hyrës?!

Shkenca moderne, ka vërtetuar se kush vdes një herë, kurrë ma nuk ngritët nga varri, as për të përmbushur “Besën” siç kemi gënjyer në legjenda ne shqiptarët. Madje shkenca e paska vërtetuar(?!), se nuk ka mundësi të ngritët dikush as Vampir për të trishtuar njerëzimin. Kurse “Shkencëtarët Shqiptarë të Facebookut”, kanë thënë se Vampirët e Kosovës, janë deputetët dhe elita politike e këtij vendi, e cila si në legjenda po e falsifikon historinë, ashtu siç e paskan falsifikuar edhe Luftën e Kosovës, duke i bërë 60 mijë veteranë e luftëtar, në kohën kur qielli i Kosovës së asaj kohe, ka qenë i errësuar nga aeroplanët e NATO-s e të Bashkësisë Ndërkombëtare, të cilët për “Besën” që ia paskan dhënë dr. Ibrahim Rugovës dhe paraardhëses së tij Shën Terezës, e shporrën Serbinë nga Kosova, kurse “Legjenda për Luftën”, qe 20 vjet ua ka shurdhuar bythën Amerikës, NATO-s dhe Bashkimit Evropian, për trimërinë në luftë, pa dëshmuar se si luftëtarët dinë për ta ndërtuar paqen, dhe si dinë për ta zhvilluar e përparuar Kosovën.

Vërtetë  për Luftën e paepur e për “Besën që e kemi”, e kemi telikosur Bashkësinë Ndërkombëtare, duke ua shpalosur titujt e gradat akademike të nivelit PISA, me libra të shkruar nga të tjerët, me shkencën askund fare, e në anën tjetër zdrala e zgjyra bashkë me bërllokun është duke e mbytur kudo Kosovën, në institucione politike, kulturore e akademike, në rrugë, e kudo në natyrë, madje edhe kundër ujit të pijes sikur jemi quar peshë duke bërë një shkatërrim të pashembullt.

Përralla “Kush e solli Doruntinën”, nuk ka nevojë të shpjegohet më, me këtë Legjendë le të merren institucionet dhe akademitë përkatëse, se duke vazhduar kështu ne u bëmë horë, para robit dhe para Zotit, jo para atij Zotit prej të cilit nuk frikësohen shqiptarët se po tregohemi si të pa fe, (madje edhe klerikët e rrjeteve sociale predikojnë ndryshe e salltanetin e kanë ndryshe), na çmenden me adete të reja, por Kosova po turpërohet para Zotave që po bashkëjetojnë me ne në Tokë, siç janë SHBA-të dhe Bashkimi Evropian.

Tashmë legjenda “Kush e solli Hashim Thaçin”, na duket sikur ka marrë përmasat e Konstandinit i hipur në një rrasë varri që iu paska shndërruar në kalë të bardhë. E sot, Hashimi, paska kaptuar male e fusha, qytet e fshatra për t’ia sjellur Lirinë Kosovës, prandaj Hashim Thaçi, është Legjendë e Gjallë, sepse vetëm ai është nënshkrues i të gjitha akteve për Kosovën që nga Marrëveshja në Rambuje (Rambouillet), e deri në ditën e pavarësisë së Kosovës. Vetëm ai kishte mundësi me një të shtypur të butonit ta shpordh UÇK-në në TMK, prandaj ti lëmë përrallat sepse asnjë nga luftëtaret e tij nuk ka bëzër. Legjendari Hashim Thaçi e ka lexuar edhe Dekeratën e Pavarësisë, pavarësisht se nuk ishte kompetencë e tij, e gjithë elita politike i ka duartrokitur, madje duke u ngritur në këmbë. Bëri çka nuk bëri Hashim Thaçi, por është faktike se për asociacionin e gjet titstin Isa Mustafa e për demarkacionin ruralistin Ramush Haradinaj.

Tash thuhet se ai na erdhi si në Legjendë, por po sillet si Legjendar i Gjallë, se vet po pren e vet po çepë pa i bërë syri vrrik. “Kush e solli Hashim Thaçin”, Drjtor Politik në UÇK, kush e bëri kryetar në PDK, kush ia dha votat për ta bërë kryeministër e kush e votoi për ta bërë President të Kosovës?! Këto pyetje, nuk bëhen për “Atë djalin që e solli Doruntinën?”, por ne po flasim për gjëra konkrete, jo për përralla se pyetja shtrohet “Kush e solli Haqshim Thaçin”, nga cila udhë, nga cila derë, nga cili shërbim erdhi ai?!

A nuk është t’kurrur Kosova në kufirin me Maqedonin tek fshati Debellde dhe a nuk u falën mbi tetëmijë hektar për Malin e Zi. Të gjithë ata që e kanë mbështetë dhe e kanë votuar tani po na bëjnë poza patriotike, duke e akuzuar atë se po tradhton?!

E dimë se Legjendat janë përralla, por nuk e di sa e dinë ata që e votuan se Hashim Thaçi nuk erdhi si në Legjendën e Konstandinit, ai erdh me votat tuaja krejt në mënyrë të rregullt dhe vazhdimisht e ka mbështetjen tuaj! Edhe atëherë kur vota juaj bie në kundërshtim me vullnetin e elektratit të cilin, sidomos LDK-ja elektoratin e saj e ka mashtruar, e ka tradhtuar, e ka prerë në besë, strukturat e Isa Mustafës të ardhura nga “Riinvesti”, nga “Ora”, nga “Rruga”, fillimisht duke krijuar “LIDHJEN”, për t’ia bërë pastaj tradhtitë Kosovës.

Pra Hashim Thaçin e solli dikush?! Ai nuk erdhi si në legjendë!… Prandaj shtrohet pyetja a dihet “Kush e solli Hashim Thaçin”?! Po më shumë a dihet kush e votoi atë në të gjitha fazat e ngjitjes përpjet dhe kush po e mbështet edhe sot për të mos rënë teposht?!…

Tashmë strukturat e PDK-së dhe bashkëveprimtarët e tij është mirë t’i marrin përgjegjësitë. T’i marrin përgjegjësitë edhe ata që po rreziten në Vendet Perëndimore, të cilët ishin drejtues të Fondit “Vendlindja Thërret”,  edhe bashkëluftëtaret në UÇK duhet të flasin, sikurse edhe bashkëthemeluesit e PDK-së të mos na tregojnë Legjenda “Kush e solli Hashim Thaçin”.  Në këtë plan, baras me PDK-jcat, fajtor janë struktuart servile të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë të cilat LDK-në e Ibrahim Rugovës e bënë “LIDHJA e Isa Mustafës”, duke ndërtuar LIDHJEN, ma antikombëtare që njeh Historia e Kosovës.

Në këtë plan hyjnë edhe strukturat mediatike e telallët e sistemit paraprak që janë në një vijë politike për ta shkatërruar Kosovën, jo pse ia kanë inati, por ky veprim bëhet kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe kundër Bashkimit Evropian, aleatëve tradicional dhe sponsorizuesve kryesor të Pavarësisë. Kjo LIDHJE ka për qëllim për ta dështuar projektin e Amerikës për t’i zgjeruar kufijtë e demokracisë edhe në Ballkanin Perëndimor, prandaj Kosova dhe demokracia e saj është duke u rrezikuar.

Tashmë, të gjitha indikacionet e veprimeve të gjertanishme të Hashim Thaçi na bëjnë për të besuar se ai ka me mbajtur besën?! Ashtu sikurse Konstandini, për atë besë është ngritur edhe nga varri, prandaj  për këtë të mos kemi dyshim, vetëm duhet të na sqarojnë ata që e “Sollën Hashim Thaçin”, kujt ia paskan dhënë “besën”, Kosovës dhe Amerikës apo kryçëzatave të tjera në dëmë të Kosovës, Amerikës dhe Bashkimit Evropian?!

 

St. Gallen, 02 shtator 2018