KUR THYHET BAKALLI NUK NA DUHET BARDAKU “L.H”?!

Letër të hapur Fatmir Rexhepit

KUR THYHET BAKALLI NUK NA DUHET BARDAKU “L.H”?!

I nderuar Fatmir Rexhepi,

e lexova me kujdes reagimin tënd kundër shefit tuaj Isa Mustafa, i cili erdhi në postin e kryetarit të LDK-së edhe me votën tënde dhe me propozimin e eprorit tuaj Lutfi Haziri, i cili në Kuvendin e VIII-të zgjedhor e propozoi Isa Musatafën për kryetar të LDK-së duke e cilësuar atë si shpëtimtarin e jo vetëm të LDK-së, por të tërë Kosovës, në kohën që pikërisht Luta ishte njeriu i nëntokës kundër ardhjes së mundshme të dr. Vjosa Osmanit në krye të LDK-së.

I nderuar Fatmir Rexhepi, mua më vjen mirë që tani kur tu ka luhatur pozita nga kërcënimi i drejtpërdrejt që ta ka bërë shefi yt Isa Mustafa, paskeni reaguar duke theksuar se “ai e paska shkelur demokracinë e brendshme”, për shkeljen e së cilës edhe ti atë e ke votuar, bashkë me eprorin tuaj Lutfi Hazirin, në kohën kur dy Degët e LDK-së nga Diaspora, ju i përzutë  nga procesi zgjedhor, duke ua mohuar kontributin 27 vjeçar në LDK, kurse për ty Fatmir Rexhepi, atëherë nuk ishte shkelje e demokracisë së brendshme.

Fatmir, unë personalisht kam ardhur disa herë në Kosovë për të mos e lënduar ma tutje Isa Mustafa e Lutfi Haziri, demokracinë e brendshme, e ti Fatmir ke heshtur, në kohën kur përmes eprorit tuaj Lutfi Haziri ke mundur me ndikuar pozitivisht për të mos e lënduar ma tuje demokracinë e brendshme as Isa e as Luta, për të mos ua mohar Diasporës të drejtën në procese “povratnikat e 2007-tës në LDK”. Ke heshtur Fatmir Rexhepi, edhe ti edhe Luta yt, dhe ka heshtur edhe “zemlaku” im Agim Veliu,  bashkë me të tjerët. Edhe atëherë lëndohej demokracia e brendshme, po më shumë demokracisë së brendshme ia kanë qitur faqen e zezë sjelljet vulgare të Isea Mustafës dhe zgërdhirjet pa lidhje për respektim të demokracisë që e bënte eprori yt Lutfi Hazri, kur tërhiqej zvarrë e bija e Heroit të Kosovës, Donikë Gërvalla, të cilës Ti, Luta dhe Isa, me të tjerët, në mënyrën ma antidemokratike, ia mohuat të drejtën 27 vjeçare, për të marrë edhe ajo pjesë në mbledhjen e partisë në të cilën edhe ajo për rrafsh 27 vjet penetronte dhe kontribuonte edhe ma shumë se sa ti e Luta, sepse Isa Mustafa kurrë nuk ka kontribuar për LDK-në, përkundrazi ai ka ardhur në LDK, përmes propozimit të Lutës dhe votës tuaj jo vetëm për ta lënduar procesin e demokracisë së brendshme por për ta shkatërruar LDK-në.

Jo vetëm kaq Fatmir Rexhepi, por e shohë se ju po bëheni harrestar?! Por nëse është hëngër pitja, të paktën tepsia ka mbetur, andaj më lejo të t’i kujtojë unë disa momente historike. Ti ke qen pjesëmarrës i Kuvendit të III-të të LDK-së i cili është mbajtur në muajin janar 1998, atëherë kur strukturat enversite dolën hapur kundër Ibrahim Rugovës, atëherë kur zjarri i Luftës kishte përfshirë Kosovën.

Ti e din mirë Fatmir Rexhepi, se në atë vargonin e gjatë të atyre që jepnin dorëheqje s’ke qen as ti e as Agim Veliu, se nuk të ka hëngër palla për LDK-në dhe Kosovën. Por unë të mbaj mend mirë ty dhe Agim Veliun se si nuk bëzanit. Kam qenë unë, jo njeri ndër të parët, por bash ma i pari që jam diferencuar nga ato veprime. Nuk më kujtohet vendi ku ti ishe, por Agim Veliu ka qenë përballë kryesisë së punës, e ai nuk ka reaguar fare.

Ju edhe në atë kuvend, edhe në ato tensione keni pritur zërin e diasporës për t’ua hapur udhën reagimeve të më pastajme, të cilat kanë qenë të forta e të guximshme, për ta shpëtuar atë proces dhe atë Kuvend e bashkë me të edhe dr. Ibrahim Rugovën.

Pikërisht ai konflikt të nxori ty në horizont, duke të sjellë në Prishtinë, por kontributi yt dhe i asaj kryesie ka qenë suksesi më i madh i armiqve të LDK-së, për ta lënë LDK-në në ty e Fatmir Sejdiun ,  për t’i eliminuar bartësit kryesor të proceseve siç ishin dr. Fehmi Agani, dr. Rexhep Gjergji dhe shumë të tjerë të cilët në etapat të rënda dhe në kriza të mëdha e shpëtuan Kosovën.

Fatmir, ndoshta keni harruar por takimi im i radhës me ty ishte në Tetovë, te  kafe Arbi, në vitin 1999, atë ditë kur ti bashkë me mr. Fatmir Sejdiun, mr. Milazim Krasniqin dhe Naim Jerliun u nisët për Tiranë, për të koketuar me kundërshtarët e dr. Ibrahim Rugovës, për ta shkarkuar atë. A ke harruar Fatmir, katllukin e teshave sa e ke paguar, dhe sa e ka paguar Milazim Krasniqi vetëm setrën, pastaj kravatën, çorapet, kurse unë jam tmerruar nga biseda yte me Milazim Krasniqin, madje nuk më erdhi fare keq për teshat e mia, edhe pse vija nga Zvicra. Ishte kohë lufte dhe nuk kisha atë hallë të cilin e pate ti dhe Milazim Krasniqi.

A të kujtohet Fatmir Rexhepi, për deri sa ju e prisnit Naim Jerliun, keni pas ngrënë nga një byrek me djathë të shoqëruar me jogurt, të cilët ua kam paguar unë. Ndoshta keni harruar por Baton Haxhiu ka qenë mentori juaj në atë mision për t’ia marrë kompetencat dr. Ibrahim Rugovës?! Ti nuk e din sa keq jam gjetur në atë moment kur erdh Baton Haxhiu, me të cilin kishim një konflikt mediatik të ashpër, andaj jam frikësuar shumë se do ta bënte prezantimin tim Milazim Krasniqi, në kohën kur i kisha 3 – 4  ditë rresht që rrija me Batonin i cili mua nuk më njihte, prandaj nëse edhe sot e kësaj dite, kam një grimcë ndjesi dhe konsideratë për Milazim Krasniqin, është ai moment, ku pasi e kam sinjalizuar, Milazimi  nuk e bëri këtë dhe unë shpëtova, përkatësisht kam fjetur edhe atë natë më rehat.

Të kujtohet Fatmir Rexhepi, kur i thash Fatmir Sejdiut, se do të bënit mirë që në Qeverinë e Përkohshme të më propozoni mua, pasi siç i thash profesor Fatmir Sejdiut,  përsëri do të jam më i arsimuari në atë konglemorat  të Hashim Thaçit që e kishte bërë në Tiranë, me të cilën ju shkuat për të koketuar. Kjo shaka e imja ua pat nxjerrë të qeshurat edhe juve, prandaj nuk po jap edhe shumë detaje të tjera për atë kohë sa isha në Tetovë, por dua të kthehem me javët e para të pasluftës në Prishtinë, kur kishte ardhur kryetari i atëhershëm i Degës së LDK-së në Zvicër z. Hysen Gërvalla, bashkë me disa anëtarë të tjerë të kryesisë, në mesin e të cilëve edhe Hajdar Sadrija, sepse si rebel që isha Baca Hysen nuk më duronte.

Sigurisht ti e din mirë se bash ty të kam kritikuar, pse nuk keni komunikuar në ato kriza me Degën e LDK-së në Zvicër, pjesë e së cilës isha edhe unë.

Ndoshta ke harruar, por po ta kujtojë mllefin tim, kur drejtpërdrejt ty Fatmir Rexhepi të kam thënës se dikush, edhe nga LDK-ja, doli më i pasur nga lufta, kurse të tjerët me familjar të vrarë e me borxhe të mëdha nëpër Bankat e Zvicrës, që vinin në Kosovë për t’i shëruar plagët e luftës. Fatmir Rexhepi, a të kujtohet se vetëm atëherë me keni shprehur ngushëllim për vrasjen e babit tim në Luftën e Kosovës, e më pas ti ke biseduar me mua në rrafshin real, siç mundesh sa herë që ti do me e bë me secilin qytetar të Kosovës.

Fatmir, ne s’kemi pasur konflikte të mëdha kurrë, por më ke zhgënjyer pse nuk e ke qelë gojën kur shefi yt ka shkelur demokracinë e brendshme, jo vetëm kundër meje, por edhe kundër Donikë Gërvallës dhe përgjithësisht kundër Diasporës. Madje as në konventën e LDK-së kur pije kafen me Isa Mustafën, nuk pate kuraje as me na përshëndet mua dhe Donikën, përkundër e fute kokën në dhé. Ti kurrë nuk ia ke tërhequr vërejtjen as eprorit tuaj Lutfi Haziri, dhe nuk është dashur ta votosh kurrë, as Kadri Veselin për Kryeparlamentar, as Isa Mustafën për Kryeministër dhe as Hashim Thaçin për President të Kosovës, sikurse nuk duhet as tashti vota jote me shkuar për Demarkacionin dhe Asociacionin, vetëm sa për t’ia shëruar komplekset Isa Mustafës, i cili nuk po ngopet me shkatërrimin e LDK-së dhe të Kosovës, por ka qëllim për t’ia shkaktuar  Kosovës një plagë të madhe.

Sado që reagimi yt është tepër i vonuar, një urti popullore na thotë se “ma mirë vonë, se sa kurrë!”. Por për mua mbetet shqetësuese, nëse shkon Isa Mustafa, çfarë ndryshimi bëhet në LDK, nëse ta zëmë na vjen Lutfi Haziri, ose Agim Veliu apo dikush nga ky klan, prandaj deklarata juaj për mua është jo serioze, por e shohë si një përpjekje për t’u transformuar në “patriot?!”, në kohën kur në horizonte po dalin tronditjet e brendshme në LDK, dhe kur edhe i marri e ka marr vesh se Isa Mustafa nuk e reformon LDK-në, ndërsa misioni i tij tashmë po dihet se është për ta shkatërruar LDK-në, për ta degraduar konceptin Rugovizëm, me të cilin po mburren «povratnikat e 2007-tës në LDK».

Fatmir, kam lexuar se dridhjet e tokës dhe tërmetet e mëdha i nuhatin mirë minjtë, por minjve të xhirizeve iu tutet populli, pasi thuhet se ata bartin sëmundje ngjitëse të rrezikshme nga të cilat çartet njeriu, tamam ashtu sikurse nga kafshimet e qenve të çartur. Prandaj urojë që deklarata Juaj, të mos ketë lidhje me trembjen e minjve nga tronditjet e mundshme brenda LDK-së, për të na sjell në vend të Bakallit, Bardakun me emrin Lutfi Haziri dhe tipat si ai që ia kanë lue Nonën LDK-së dhe Kosovës!

 

CH – St. Gallen, 26.02.2017.

Shefqet Dibrani