Kujtimi i saj më rëndon në shpirt !

Kujtimi i saj më rëndon në shpirt !

(Dedikuar dyvjetorit të humbjes së motrës sime)

Nëpër terr të perëndimit eci në vetmi …
Motër ku je, në tokën amë u trete…
Qiellit e bjeshkëve të kërkoj me mallëngjim
E ti zbret me vello të bardhë si nuse.
Si një yll shndrit dhe humbet në borën e akullt.
Një furri lotësh vërshuan fushës së Kosovës
Një zë oshëtin ; ‘ja ku jam vëlla’ !
Me shikim drejt yjeve më shfaqesh ti
Si gjithmonë me buzëqeshje si luleborë
Zëri yt në shpirt më drithëroi ;
‘Në botën tjetër, dhimbje jo nuk kam.
Do jem atje mes jush, si hije në dasmat e
Bijëve dhe bijave që kanë hedhur shtatin e jetës…’
Zëri yt në shpirt më kumbon, veç përqafimi më mungon,
Në shpirt më rendon.
Një flutur krahëhapur lehtas mallin tim përqafon
E hija jote kthehet me shikim nga etërit , ah nëna!
Porta e tyre u hap e krahët e tyre mbuluan qiellin.

Nga terri i ëndrrës me lot në sy në shtratin e Perëndimit
I tronditur dhe me lot në sy u çova.
Dhimbja si gur më rëndoi, por unë si lis i heshtur u bëra.
Rrënjët e lisit janë atje ; kaherë e përherë ;
Në Zhurin e Shqipërisë sime
Atje ku këndojnë më bukur zogjtë  si kënga e fëmijve
Atje ku krismat e pushkëve lanë gjurmë të trishtuara
Atje ku djepin përkund ‘lokja’…
E unë, i heshtur si lis,
Dëgjoj zhurmën e kërcyllit të oxhakut…
Ku flakët do lenë më pas hirin gri si qielli i dhimbjes sime…
Që më rëndon në shpirt; për ty motërza ime!

Reshat Badallaj, 3 shkurt 2017, dedikuar dyvjetorit të humbjes së motrës