Kryeprokuror Lumezi, arrestoni autorët e Krimit makaber të ndodhur në Beleg të Deçanit

Letër e hapur për Kryeprokurorin e Republikës së Kosovës, Aleksandër Lumezit dhe përfaqësuesve të “Gjykatës Speciale” në Kosovë për Masakrën e ndodhur në Beleg të Deçanit, në të cilën, pos që ishin vrarë dhe zhdukur dhjetëra qytetar, kishin ndodhur edhe dhunimet seksuale, si akti më i rëndë i njerëzimit.

Kryeprokuror Lumezi, arrestoni autorët e Krimit makaber të ndodhur në Beleg të Deçanit

Mr. Adem Lushaj

 

I nderuar Kryeprokuror Aleksandër Lumezi!

E nderuara “Gjykata Speciale” në Kosovë!

 

Fillimisht më lejoni t’i parashtroj disa nga shqetësimet të cilat qarkullojnë te çdo qytetar i Komunës së Deçanit, e aq më shumë këtyre ditëve, me rastin e ndalimit të ish Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

 

“Pse heshtën krimet e kryera ndaj popullatës civile të Deçanit? Kush duhet ti hetoj këto raste të krimeve monstruoze? Cila gjykatë i ka në agjendën e saj, hetimet dhe ndëshkimet e kryesve të këtyre veprave kriminale? Pse heshtën krimet serbe të bëra në Beleg, Shaptej, Lloqan, Pobergj, Kodrali, Irzniq… e shumë e shumë vende tjera? Pse nuk ngrihen padi ndaj kriminelëve të cilët kanë emër dhe mbiemër?

 

Nga shumë raste të krimeve të ndodhura në Deçan, do ceku vetëm njërin nga këto, atë të krimit monstruoz të ndodhur në Beleg, “Masakra e Belegut”, ku ishin vrarë e zhdukur me dhjetëra persona, sikurse që kishte ndodhur krimi më çnjerëzor, ai i dhunimeve seksuale.

Edhe pas këtyre vitesh nga “Masakra së Belegut”, drejtësia në Kosovë, qoftë vendore apo ndërkombëtare, po hesht, edhe pse kryerësit e kësaj vepre, dihen me emër dhe mbiemër. Qytetarët e Belegut dhe fshatrave tjera, ende shpresojnë në drejtësi, ende presin që drejtësia të thotë fjalën e vet, e që kriminelet të marrin dënimin e merituar. Rënkimi i viktimave të kësaj masakre, iu bëjnë ftesë organeve të drejtësisë, të ngrehin kokën dhe të tregojnë ndërgjegjen e duhur institucionale, e ata që kryen krimin të marrin dënimin e merituar.

Krimi makabër kishte ndodhur me 29 dhe 30 Mars të 1999, kur forca të shumta policore, ushtarake dhe paramilitare serbe, kishin ndërmarr një ofensivë të egër vrasëse, ndaj popullatës së pa mbrojtur në fshatrat Irzniq, Beleg dhe fshatra tjera të Deçanit. Ata, në fshatin Irzniq kishin ekzekutuar 7 persona, në mesin e tyre edhe një nënë (Zeqë, Tahir, Himë, Hajdin e Shkurte Dervishaj, si dhe, Tahir e Hajdar Dacaj), ndërkaq në fshatin Beleg edhe 10 të tjerë: Naim Vishaj, Daut Alickaj, Nezir Vishaj, Hysni dhe Shaqë Binakaj, Qazim Hulaj, Gëzim Vishaj, Ali dhe Shaban Kadrijaj, si dhe të riun, Jetmir Mazrekaj, trupin e të cilit kishin hedhur në një bunar në fshatin Llukë të Epërm.

Për krimin e ndodhur mund të dëshmojnë edhe ata që falë zotit kishin shpëtuar, gjë që kanë dëshmuar edhe para Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës. “Kam dëshmuar tri herë para Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës, për krimet e bëra në Beleg, por asnjë rezultat deri më tash”, ka treguar dëshmitari M. M. i cili ka njoftuar hollësisht për masakrën e ndodhur në Beleg, ku janë vrarë dhe zhdukur dhjetëra persona, por edhe akte tjera çnjerëzore, aktet e dhunimit të nënave, grave, motrave dhe vajzave tona. Ky dëshmitar ka thënë se “kemi qenë të tubuar në fshatin Beleg së bashku me qytetarët e fshatrave, Beleg, Drenoc, Sllup, Carrabreg… e fshatra tjera, me mundësinë e strehimit dhe mbrojtjes. Por, forca të shumta ushtarake dhe policore të maskuara, duke përdoruar çdo lloj dhune, na kanë maltretuar, plaçkitur, vrarë, por edhe kanë dhunuar vajzat e motrat tona.

“Zoti më ka shpëtuar nga xhelatët, por kurrë nuk harrohet tmerri i atyre ditëve” na tregon përjetuesi i kësaj masakre, i cili shpreh habinë e tij për heshtjen e deritashme të institucioneve të drejtësisë, përkundër asaj që disa herë ishte intervistuar nga hetuesit e UNMIK-ut, EULEX, ICTY.

 

I nderuar Kryeprokuror Aleksandër Lumezi!

E nderuara “Gjykata Speciale” në Kosovë!

 

Në këtë krim të pa përshkruar, nuk ishin kursyer as pleqtë, e as fëmijët, pasi që në prani të tyre, ua kishin vrarë prindërit. “Isha shumë i ri, vetëm 12 vjeçar, kur nëpër shtëpitë tona kanë hyrë serbët e maskuar dhe të armatosur, duke plaçkitur, rrahur, djegur dhe vrarë, ku vranë edhe babën tim”, e kujton ngjarjen e ndodhur në familjen e tij, A. V, i cili ka të freskët ngjarjen e ndodhur para 17 vitesh. Fat më të rëndë se A. V, kishte Faton Vishaj, i cili në moshën 17 vjeçare ishte marr nga prehri i gjyshes, e sot e asaj dite nuk dihet për fatin e tij.

Sikurse Fatoni kishte pësuar edhe i riu tjetër nga Dranoci, Jetmir Mazrekaj, i cili kishte arritur me plagë të shumta të largohet nga vendi i krimit dhe të gjen strehim në familjen Haklaj të Isniqit, të cilin për 12 ditë, (Demush dhe Sadri Haklaj), e kishin shëruar me copa djathi, por vrastarët serb e kishin gjurmuar dhe kishin hedhur në një bunar të fshatit Llukë të Epërm.

Ndërsa A. A, babain e të cilit e kishin vrarë në prani të gruas së tij, disa herë ka kërkuar nga drejtësia ndërkombëtare të thotë fjalën e vet dhe kryesi i kësaj vepre, (Zoran Gjurishiq), të përballet me drejtësinë. “Hetuesit e UNMIK, pastaj EULEX, kanë nxjerr kufomën e babës për autopsi dhe përkundër dëshmive bindëse dhe dihet qartë se kush është krimineli, ende shëtit i lirë”, thotë A. A, i cili ka humbur besimin te drejtësia vendore dhe ndërkombëtare.

I nderuar Kryeprokuror Aleksandër Lumezi!

E nderuara “Gjykata Speciale” në Kosovë!

Gjashtëdhjetë vjet më parë, kriminelët të prirë nga Zoran Gjurishiq, vranë dhe zhdukën:

Daut Aliçkaj,  Naim Vishaj, Nezir Vishaj, Hysni Binakaj, Gëzim Vishaj, Qazim Hulaj, Ali Kadrijaj, Shaban Kadrijaj, Jetmir Mazrekaj, Shaqë Binakaj, Malë Vishaj, Mujë Vishaj, Zymer Binakaj, Fatmir Vishaj, Faton Vishaj, Zenel Vishaj, Hamit Zukaj, Rexhep Neziraj, Brahim Zukaj, Hazir Zukaj, Ramë Kilaj, Smajl Ukëhaxhaj, Hajdar Mazrekaj, Nekë Binakaj, Sahit Mazrekaj, Sundim Mazrekaj, Hasan Mazrekaj, Misin Tolaj, Xhevat Tolaj, Isa Tolaj, Shaban Nitaj, Mehmet Tolaj, Haxhi Kadriaj,  Arif Mazrekaj, Afrim Haderxhonaj, Bashkim Haderxhonaj, Muhamet Haderxhonaj, Xhevdet Haderxhonaj, Ali Mazreaj, Beqir Dervishaj,  Tafë Dinaj dhe Ragip Morina