KRISHTLINDJE TE GEZUARA

Vjollca Tiku Pasku

Era e ftohtë fishkëllen e tkurret mbi tokën me drita të arta,
fletëzat e ngricës ngurtësojnë pëshpëritjet e frymës në acar,
krishtlindjet ngrohin atmosferën me qirinj e lule të zjarrta,
sytë njerëzorë kujtojnë mrekullinë e lindur kohëra më parë…

Duke ecur në peizazhin e qytetit, shoh një zog në tokë mbështetur,
ngordhur nga uria apo nga të ftohtit, kishte ngrirë vallë?…
Lotova me mendimin “sa dashuri në zemrat njerëzore ka mbetur!”
sa njerëz të uritur flenë në të ftohtë e s’dinë a do zgjohen të gjallë.

Dashuria është fryma e lindur që kalon në mushkëritë e kësaj jete,
depërton në damarët e tokës, në buisjen e luleve, nën diell,
hapet magjishëm, si dridhja e rrezes diellore në pulse zemre,
tkurret nga urrejtja si petal i zjarrtë, rënë nga kudhra e yje në qiell.

Në fshikëzat e vogla të fshehura në embrion mendimit shekullor,
në fjalët si flutura që ngjiten në pasqyrën e artë të hënës së agimit,
brohoras me zë të lartë: Dashuria është në formacionin njerëzor,
ku lindin yje të tjerë nën akordin e galaktikës së bardhë të krijimit…

Nga kënga e bredhave të parfumuar e të mbuluar me dëborë,
nga buzët foshnjore që qeshin me engjëjt e padukshëm,
nga thesari i virtyteve që rilindin këtë natë me ndriçim qiellor,
nga flladi i zemrës uroj: Kalofshi Krishtlindjet sa më gëzueshëm!

Vjollca Tiku Pasku