Krimineli i tmerrshëm i kthehet religjionit

Lajm-Vince FocarelliFigura e tmerrshme e nëntokës dhe lideri i bandës, Vince Focarelli, thotë se tani është njeri i ndryshuar që synon të jetojë një jetë normale familjare dhe t’u ndihmojë personave në nevojë.

41-vjeçari, i cili u ka shpëtuar gjashtë tentimeve për vrasje, përfshi edhe një rast ku i vdekur mbeti djali i tij, më në fund ka thyer heshtjen duke thënë se “të gjithë gabojnë”.

Focarelli, i cili ka hapur restorantin “La’Fig Cucina” në Adelaide, Australi, ka treguar se si është kthyer në jetën normale dhe deklaron se tani është duke i ushqyer të pastrehët dhe po jep para për personat në nevojë.

“Jam distancuar tërësisht nga të gjitha aspektet e asaj jetës prej gangsteri”, ka thënë ai për “Seven News”, transmeton Koha.net.

“Gjithçka që kam bërë, më janë kthyer. Jam qenie njerëzore edhe përkundër asaj që kam bërë në të kaluarën… të gjithë bëjnë gabime”, ka shtuar ai në rrëfimin e tij të parë pas kthimit në jetën normale.

Si shtyllat kryesore që i kanë ndihmuar atij në këtë transformim, ai përmend familjen, religjionin dhe hapjen e restorantit. Focarelli thotë se me restorantin e tij po u ndihmon të pastrehëve dhe po jep para për bamirësi.

“Si myslimanë, është përgjegjësi e jona që të japim, posaçërisht në ditë të Ramazanit ku mund të mësojmë të jemi modestë dhe besimtarë dhe të absorbojmë krejt mirësinë dhe dashurinë që është në dhe përreth botës”, ka thënë ai për “RamadanTV”.

“Gjatë Ramazanit, çfarëdo që shesim, një pjesë e profitit do të shkojë për çështje humane. Dëshirojmë të kontribuojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”.

Focarelli thotë se restoranti po ushqen edhe të pastrehët, duke u dhënë nga një supë në një ditë të caktuar atyre.

Gjatë viteve 2010 dhe 2012, Focarelli ka qenë cak i gjashtë tentim-vrasjeve. Sulmet variojnë nga sulmi me bombë ku mbetën të vdekur dy bashkëpunëtorë të tij nga “Hells Angels”, e deri tek drejtimi i armës ndaj tij në një supermarket. Nga të shtënat që ndodhën në Dry Creek në janar, 2012, i vdekur mbeti djali i tij, Giovanni.

Në atë sulm, edhe Focarelli mbeti i plagosur dhe u arrestua nën akuzën për posedim të drogës.

“Na mungon Giovanni jashtëzakonisht shumë… do të jetë gjithmonë në mendjet tona”, ka thënë Focarelli.

Focarelli, i cili më parë ka drejtuar bandën e motoristëve “Comanchero”, u lirua nga burgu me kusht prillin e vitit 2013, pasi kreu një dënim për veprën penale të përdorimit të armës së zjarrit dhe të drogës, rast nga i cili vdiq edhe i biri i tij.