Kriminelët kanë vendin në burgje, e jo ata që kërkojnë arrestimin e tyre

Mr. Adem Lushaj

Policia e Kosovës, përmes një komunikate, ka bërë “sqarim” rreth rastit të ndalimit të zyrtarit komunal të Deçanit, Asim Cenaj, ndërkaq, Agjensioni i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR), është shprehur e shqetësuar me “incidentin” e ndodhur në Deçan, e njëkohësisht ka lavdëruar policinë e Kosovës, gjë që e çmojmë lartë këtë lëvdatë në adresë të vëllezërve tanë që bartin uniformën policore. “UNHCR është shqetësuar nga incidenti që ka ndodhur dje në Komunën e Deçanit, kur një anëtar i komunitetit pritës, dyshohet se ka bërë deklarata negative me referencë racore, feje, dhe etnike ndaj një grupi prej tetë personave që kanë në konsideratë kthimin vullnetar. Zyra e UNHCR-së në Kosovë, përshëndet ndërhyrjen e shpejtë nga policia e Kosovës, e cila nën përcjellje ka larguar nga komuna, personat e zhvendosur, duke parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të incidentit”. Kështu është shprehur, shefi i misionit të UNHCR në Kosovë, Narasimha Rao, për të cilin është shqetësuese rënia e numrit të personave të kthyer nga viti në vit.

Duke mos dashtë të dal në përkrahje të zyrtarit komunal, si person fizik, por do solidarizohemi dhe do jam në mendime të njëjta me të, sa herë që kemi të bëjmë me persona të cilitdo komunitet qoftë, që kanë bërë krime ndaj popullatës civile. Me përgjegjësi penale e themi se, “do jemi çdoherë kundër vizitave të personave që kanë bërë krime në komunën tonë, si në Beleg, Lloqan, Shaptej, Drenoc, Pobergj…..”. Kemi respektin më të madh për këtë Agjension ndërkombëtar, për gjitha angazhimet që bëjnë në Kosovë dhe vende tjera të botës. Por, shefi i këtij misioni dhe zyrtarët e tij, pse nuk shqetësohen për fatin e dhjetëra personave të pa gjetur të Deçanit, si dhe të kërkojnë kapjen e personave që janë përgjegjës për zhdukjen e tyre. Shumë me humane do ishte sikur ky Agjension, dhe shefi i tij, të kërkojnë kapjen e atyre që bën krimet makaber, duke bërë edhe aktin më të ulët, të dhunimeve. Pse nuk arrestohen njerëzit që kanë emër dhe mbiemër, e që shpesh edhe transportohen me automjete, qoftë me apo pa dije. Zyrtarët e organizmave ndërkombëtare, këtë rast edhe UNHCR, e dinë shumë mirë se në Deçan jetojnë edhe serb e malazez, e të cilët lëvizin lirshëm, janë të punësuar në administratën komunale dhe nuk kanë asnjë telashe me komunitetin “pritës”, në fakt popullatën shqiptare. Në reagim të UNHCR, thuhet se institucionet e Kosovës e kanë përgjegjësinë ligjore për të mundësuar kthimin në Kosovë, ndërsa ai vet (Narasimha Rao), avokon për një kthim të lirë dhe me dinjitet e në kushte të sigurisë në Kosovë të secilit të zhvendosur në vendin e tij të origjinës apo në një vend tjetër. Mirëpo ky zotëri, pse nuk i krijon kushte për ta vizituar territorin e vet, as të parit të shtetit, e as të Qeverisë së vendit, por zë në “thua”, në mllefin e një deçanasi dhe deçanasve tjerë, që kërkojnë të dinë për eshtrat e më të dashurve të tyre.

Shefi i misionit të UNHCR, ka thënë një të vërtetë të pa mohueshme, kur flet për djemtë dhe vajzat e stacionit policor të Deçanit, sepse janë jashtëzakonisht profesional dhe të respektuar nga qytetarët e kësaj komune. Por, jemi të habitur pse nuk kemi asnjë komunikatë për incidentin e ndodhur para Manastirit të Deçanit, kur njëri nga serbët vizitues të këtij monumenti kulturor, ka ofenduar popullatën shqiptare dhe ka fyer policinë e Kosovës. Pse ky “vizitor dashamirës”, nuk është arrestuar nga policia e Kosovës, duke u thirrur në atë për urrejtje ndërnacionale dhe fetare….. Pse është heshtur ky rast dhe rastet tjera të nxitjes së urrejtjes që bëhet nga komuniteti serb, në krye me klerikun e famshëm, Sava Janjiq, për nxitjet e tij armiqësore, janë të njoftuar edhe institucionet e rendit dhe drejtësisë.

Në komunikatën për media e Policisë së Kosovës thuhet: “Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike”. Atëherë shtrohet dilema se ky përkushtim e menaxhmentit më të lartë të policisë së Kosovës, vlen edhe për komunitetin serb e malazez, apo këto komunitete janë të përjashtuara nga ky qëndrim policor. Pse nuk u kapën kryesit e veprave të djegies së “APIKO”, shtëpive private dhe grafitëve të shkruara???