Kriminaliteti dhe parimet themelore në luftimit e kriminalitetit

Shkruan: Fidair Berisha PhD.( Can ) i Sigurisë

Sjellja kriminale definohet si sjellje anti sociale, gjegjësisht sjellje që i shkel ligjet e miratuara dhe së këndejmi bartë edhe dënime të caktuara. Në të njëjtin kuptim duhet vështruar edhe qëndrimin sipas të cilit krimi, juridikisht, definohet si “shkelje e ligjit penal, që do të thotë se asnjë vepër nuk është krim nëse nuk është ndaluar me normat penale”.Në këtë kuptim, është e domosdoshme që në mënyrë eksplicite të bëhët dallimi  se çka është politika dhe qka eshte politika  e luftimit te kriminalitetit  në përgjithësi, pastaj ç’është kriminaliteti dhe si definohet ai, cilat janë fushat kyçe shkencore të cilat merren me studimin e kriminalitetit, etiologjinë, format, parandalimin dhe sanksionimin e tij. Politika është orientim i veprimtarisë njerëzore në drejtimin e caktuar me qëllim të realizimit të synimeve të caktuara. Në kuptimin e gjerë, politika është veprimtari e cilitdo subjekt apo edhe e shumë subjekteve me qëllim të realizimit të cilitdo qëllim. Për nevojat e të kuptuarit më të mirë të politikës së luftimit të kriminalitetit,këtu do të bëjmë fjalë vetëm për politikën në kuptimin e ngushtë dhe do te fokusohemi te parimet themelore në luftimin e kriminalitetit.

 

Ç’është kriminaliteti?

Deri me tani nga shumë shkencëtar janë bërë shumë përpjekje teorike për definimin e kriminalitetit. Në këtë drejtim, dallojmë tri fusha të cilat në mënyrë të tërësishme studiojnë fenomenologjinë dhe esencën e kriminalitetit:

  1. a) pikëpamjet juridike,
  2. b) sociologjike dhe
  3. c) kriminologjike.Definicioni juridik i kriminalitetit fillon nga norma e legjislacionit penal material. Ajo dallohet me theksimin e shkeljes së ligjit. Delikuent janë personat të cilët shkelin normat e ligjit penal me anë e të cilit janë të mbrojtura vlerat dhe interesat themelore shoqërore. Disa madje në mënyrë eksplicite pohojnë se vepër penale është ajo me sjellje të cilën e ndalon ligji gjegjësisht, pa ligj penal ”nuk ka krim”. Që të mund të flitet për kriminalitetin duhet të arrihet deri tek praktika kriminale, gjegjësisht deri tek akti kriminal. Pra, kërkohen veprime apo mosveprime të caktuara që janë të inkriminuara në normat pozitive dhe vetëm atëherë mund të flitet për sjelljen kriminale. Prandaj, të gjitha këto veprime (sjellje), të cilat në intervale të caktuara kohore rrezikojnë ndonjë person apo të mirën në kuptimin material dhe moral që i takon atij personi, organeve të ndryshme shoqërore dhe organizatave si dhe shoqërisë në tërësi, kurse janë të inkriminuara në normat penale juridike në fuqi të një vendi, në pikëpamje juridike trajtohen dhe konsiderohen si kriminalitet në atë hapësirë dhe kohë. Krahas definicionit juridik të kriminalitetit ekziston edhe mendimi sociologjik I cili e shpjegon sjelljen kriminale si produkt të jetës shoqërore në përgjithësi. Mirëpo, as ky mendim nuk është unik por, si i tillë, manifestohet në frymën e disa teorive sociologjike dhe është heterogjen. Sipas disa sociologëve kriminaliteti në kuptimin e gjerë paraqet aktin e një individi të cilin e gjykojnë anëtarët e grupit të cilit ai i përket. Pra dispozita e kriminalitetit është e varur nga mendimi i grupit dhe vetëdija e tij etike dhe aksiologjike. Sjellje kriminale do të thotë sulm i personave të caktuar mbi vlerat e grupit të cilit ata i përkasin dhe me këtë fakt ata pushojnë të jenë besnik ndaj atij grupi.. Duke e konsideruar fenomenin kriminal si realitet social dhe njerëzor disa sociolog dhe kriminolog theksin e tyre e vënë në antisocialen e cila mund të rrjedh nga vetë jeta dhe sjellja e individit në bazë të së cilës mund të gjykohet se ai herët a vonë mund të kryej vepër penale. Pra mu në këtë qëndron edhe kuptimi i qasjes sociologjike në përcaktimin e nocionit të kriminalitetit.Kriminaliteti është ndodhi e hapur në jetën e individit prandaj për këtë arsye është ngushtë i lidhur për personalitetin e kryesit të veprimit të inkriminuar. Ai manifestohet me sjelljet dhe veprimet individuale të disa personave. Në këtë kuptim ai përbëhet nga tërësia e veprimeve të tilla inkriminuese të kryera në suazat e caktuara kohore dhe hapësinore. Prandaj, studimi i kriminalitetit, pa kurrfarë dyshimi, është ngushtë i lidhur me studimin e personalitetit të delikuentit, sikurse në procesin e formimit të tij në personalitet delikuent ashtu edhe në kohën e kryerjes së aktit të inkriminuar.Megjithatë, ekziston lidhje e ngushtë ndërmjet definimit juridik dhe sociologjik të kriminalitetit sepse kriminaliteti në të njëjtën kohë është kategori edhe juridike dhe sociologjike.Pa njohjen e dispozitës formale juridike nuk do të mund të bëhej çdoherë dallimi ndërmjet kriminalitetit dhe formave tjera të sjelljes devijante, prandaj për këtë shkak edhe do të krijohej mundësia për dukurinë e arbitraritetit e cila nuk është e dobishme as në pikëpamje shkencore, as në pikëpamje praktike.Sikurse edhe çdo disiplinë tjetër shkencore edhe politika e luftimit të kriminalitetit bazohet në parimet e caktuara. Kjo disiplinë përpiqet që strategjinë shoqërore të kundërvënies së kriminalitetit ta vendos në parimet e caktuara të cilat nuk do të jenë ndërmjet veti kontradiktorë pa marrë para sysh se vetvetiu përmbajnë segmente të ndryshme të realitetit shoqërorë. Kjo larmi e segmenteve të realitetit shoqërorë pasqyrohet në atë se politika e luftimit të kriminalitetit i bashkon një varg të tërë pikëpamjesh të ndryshme dhe qëndrimesh mbi kriminalitetin duke filluar prej atyre të përgjithshme – filozofike dhe teorive sociale dhe vështrimit të problemit të kriminalitetit deri tek ato të cilat rezultojnë nga shkencat të cilat mëren me këtë problem si lëndë të tyre të hulumtimit, pra me tërë përmbajtjen e tyre. Për arsyet e përmendura siç do ta shohim në vazhdim shumë parime të politikës së luftimit të kriminalitetit janë të natyrës së përgjithshme, gjithëpërfshirëse, dhe paraqesin të arriturat unike të civilizimit njerëzor.Kështu qe sot në literaturë mund të hasen parimet në vijim, mbi të cilat mbështetet qasja shkencore e luftimit të kriminalitetit, kurse me to paraprihet kjo discipline shkencore:
  4. parimi e shtetit juridik,
  5. parimi e ligjshmërisë (legalitetit),
  6. parimi i legjitimitetit,
  7. parimi i kufizimit të dhunës penalo-juridike,
  8. parimi i individualizimit,
  9. parimi i drejtësisë,
  10. parimi i humanitetit,
  11. parimi i politikës shkencore të luftimit të kriminalitetit.

 

Duhet theksuar posaçërisht se disa nga këto parime janë nxjerr nga disiplinat tjera shkencore sidomos nga ato si motra me politikën e luftimit të kriminalitetit siç është e drejta penale, shkenca penitensiare etj. Këto janë p.sh. Parimi i individualizimit dhe parimi i kufizimit të dhunës penalo juridike. Të tjerat janë pjesë e të arriturave të civilizimit të shoqërisë njerëzore, që u përmend edhe më lartë, siç janë sidomos; parimi i shtetit juridik dhe parimi i legalitetit. Në anën tjetër, disa parime janë atribut vetëm i politikës së luftimit të kriminalitetit dhe në pikëpamje burimore janë të lidhura vetëm për këtë disiplinë shkencore. E tillë në rend të parë është politika shkencore e luftimit të kriminalitetit.

 

Parimi i shtetit juridik

Duhet të kihet parasysh se parimi i shtetit juridik është i karakterit të dyfishtë.Në njërën anë ky e obligon shtetin dhe institucionet e tij që të veprojnë në pajtim me të drejtën dhe normat ligjore, kurse në anën tjetër, obligon secilin prej nesh që individualisht, gjithashtu, të veprojmë njësoj sipas ligjit.Ky parim si i tillë në formën juridike dhe politike të çdo shteti dhe në përgjithësi të çdo sistemi në të cilin merr pjesë individi edhe si anëtarë edhe si individ i bashkësisë është i pa shmangshëm. Vetë koncepti i shtetit juridik siç definohet shpesh përmbajtja e tij është koncept i individit të lirë, qytetarit, njeriut dhe pjesëmarrjes së tij të lirë në jetën politike. Ky parim siç u konstatua nënkupton se çdo aktivitet që ka për qëllim luftimin e kriminalitetit duhet ndërmarr në pajtim me normat ligjore të cilat kanë të bëjnë me aktivitetet e tilla, apo me fjalë tjera çdo aktivitet në këtë fushë duhet domosdo ta ketë bazën në ligj dhe në normat tjera juridike, të cilat janë në suazat e asaj materie. Siç u tha, shteti juridik nuk nënkupton vetëm abstenimin e shtetit nga kërkesat e tepruara ndaj lirisë qytetare, por gjithashtu edhe imperativin e aktiviteteve të tij, gjegjësisht veprimin pozitiv me qëllim të mbrojtjes efikase të atyre lirive, ose mbrojtjen e kufijve, të cilët i vendos shteti juridik për liri sa më të madhe të qytetarëve të vet, që njëherazi kanë edhe “limituesin e vet me rastin e veprimit të ashtuquajturit “shtet social të cilin duhet kuptuar si personifikim të parimit të shtetit juridik.  . Konsiderohet se tradita klasike evropiane e shtetit juridik duhet të bazohet në premisat si vijon.

  1. b) shteti kushtetues,
  2. c) pluralizmi politik,
  3. d) monopoli i dhunës,
  4. e) komunikimi pozitiv ndërmjet shtetit dhe opinionit publik (i ashtuquajturi funksion i kontrollit të opinionit publik),
  5. f) racionalizimi i pushtetit shtetëror,
  6. g) mbrojtja e interesave të individit nga dhuna e shtetit dhe garantimi i tyre me kontroll të pavarur gjyqësor.

 

Ideja e shtetit juridik nënkupton grup normash të së drejtës, të cilat e disiplinojnë përdorimin e dhunës dhe në raport me forcën e dhunës pasqyron objektin e rregullimit, e cila i ka katër detyra të posaçme si vijon:

  1. a) të përcaktojë kushtet nën të cilat forca e detyrimit duhet ose mund të zbatohet,
  2. b) të përcaktojë personat të cilët duhet dhe mund ta zbatojnë ;
  3. c) të përcaktojë procedurën sipas së cilës duhet të zbatohet në rrethana të caktuara dhe nga personat e caktuar;
  4. d) të përcaktojë masën e forcës me të cilën duhet dhe mund të disponojë ai i cili duke respektuar procedurat e caktuara është i detyruar që në rrethanat e caktuara ta zbatojë forcën e detyrimit. Me fjalë tjera e drejta është një grup normash të cilat rregullojnë atë se kur, kush, si dhe sa e zbaton forcën e detyrimit. Parimi i shtetit juridik njëkohësisht është edhe postulati më i rëndësishëm politiko-juridik i ndëshkimit bashkëkohor dhe i dënimit, gjegjësisht i politikës së luftimit të kriminalitetit.

 

Parimi i ligjshmërisë

Parimi i ligjshmërisë është njeri ndër të arriturave më të mëdha të zhvillimit civilizues të njerëzimit. Në kuptimin e tij burimor ky parim nënkupton respektimin strikt të ligjit si nga ana e shtetit ashtu edhe nga ana e qytetarëve.Në këtë kuptim parimi i shtetit juridik dhe parimi i ligjshmërisë janë në lidhje të ngushtë mes veti .Parimi i ligjshmërisë nënkupton se çdo aktivitet i cili ka për qëllim kundërvënien ndaj kriminalitetit duhet ndërmarr në pajtim me normat ligjore të cilat kanë të bëjnë me aktivitetin e tillë, apo me fjalë tjera që çdo aktivitet në atë fushë duhet ta ketë bazën në ligj dhe në normat tjera juridike në suaza të kornizës së kësaj materie. Për politikën e luftimit të kriminalitetit ky parim është i rëndësisë së jashtëzakonshme meqenëse, ndër të tjera, kërkon përcaktimin paraprak me ligj të veprës penale dhe të sanksionit penalo-juridik. Dimensioni juridik i parimit të ligjshmërisë supozon se në planin legjislativ janë respektuar këto kërkesa:

  1. që burim i të drejtës penale të jetë vetëm ligji
  2. që të jetë e ndaluar analogjia
  3. që të jetë i ndaluar funksioni retroaktiv i ligjit penal
  4. që të jenë të formuluara qartë dhe në mënyrë precize normat penalo-juridike
  5. që sanksionet penale mund të jenë të përcaktuara vetëm me ligj.

 

Parimi i legjitimitetit.

Në sferën e politikës së luftimit të kriminalitetit, ky parim në të vërtetë nënkupton që masat e dhunës penalo-juridike të bazuara në ligj të zbatohen vetëm atëherë kur kjo është e domosdoshme dhe vetëm në masën e domosdoshme.Përcjellës i pashmangshëm i ligjshmërisë është legjitimiteti,dhe me fjalë tjera ky nënkupton arsyeshmërinë e cilitdo vendim juridik të paraqitur në normën ligjore .Thelbi i parimit të legjitimitetit obligon që të gjitha kufizimet e lirisë dhe të drejtave të qytetarit të jenë të harmonizuara me zbatimin e masave preventive dhe procedurave, ndërsa në anën tjetër, represioni si komponentë e politikës kriminale të jetë i bazuar në masat e detyrimit, sepse do ta humb legjitimitetin nëse masat e tilla pushojnë të jenë oportune, gjegjësisht nëse bëhen të tepërta përballë efektit i cili dëshirohet të arrihet me to, sidomos nëse efekti i tillë nuk realizohet me anë të tyre .

 

Parimi i kufizimit të dhunës penalo juridike

Parimi i kufizimit të dhunës penalo juridike është në lidhje të ngushtë me parimin e legjitimitetin dhe ligjshmërisë. Në të vërtetë, në njërën anë zbatimi i detyrimit penalo juridik mund të jetë i parashikuar dhe i lejuar vetëm me ligj, kurse në anën tjetër, të njëjtat vendime ligjore me të cilat lejohet detyrimi penalo juridik duhet domosdo të jenë të arsyetuara nga pikëpamja e gjerë shoqërore civilizuese. Ky parim i politikës së luftimit të kriminalitetit nënkupton:

  1. a) zbatimin e detyrimit penalo juridik vetëm ndaj asaj sjelljeje e cila është aq e dëmshme për vlerat e mbrojtura me kushtetutë saqë mbrojtja e tyre nuk mund të realizohet pa forcën e tillë.
  2. b) Kufizimin për shkak të përmasave të sanksioneve penalo-juridike dhe për shkak të peshës së veprës penale.
  3. c) Kufizimin e përmbajtjes së sanksioneve penalo-juridike dhe mënyrës së zbatimit të tyre ndaj kryesit të veprës penale vetëm në masën e cila i përgjigjet llojit të sanksionit penalo-juridik dhe qëllimit të tij të posaçëm.
  4. d) Kufizimin në suaza të fajësisë dhe kohës së kryesit.
  5. e) Kufizimin e detyrimit penalo-juridik vetëm në suaza të kryesit të veprës penale.

 

Parimi i individualizimit

Thelbi i individualizimit të sanksioneve penalo-juridike siç u cek më herët gjendët në harmonizimin e detyrimit penalo-juridik, në mënyrë që ndaj veçorive të kryesit të veprës penale të arrihet qëllimi special preventiv i sanksionit penalo-juridik ashtu që sanksioni ndaj kryesit të ndikojë që ai të mos i përsëritë veprat penale dhe që ta respektojë sistemin juridik. Të themi edhe këtë se pa qasje individuale në zbatimin e dhunës penalojuridike do të ishte shumë vështirë të paramendohet koncepti bashkëkohor i krijimit të politikës së luftimit të kriminalitetit.Parimi i individualizimit, si njeri ndër të arriturat e mëdha shekullore të zhvillimit të kriminologjisë dhe të mendimit penologjik dhe të kalimit nëpër shumë aspekte të deritashme të fazave të gabueshme në koncipimin e qasjes në trekëndëshin vepër penale-kryes-sanksion penal, është shumë i rëndësishëm si segment i pikëpamjes bashkëkohore mbi kriminalitetin.

 

Në kuadër të politikës penale-juridike, parimi i individualizimit shfaqet në tri nivele:

  1. Nivelin ligjvënës, përmes krijimit të dispozitave normative për remizimin e këtij parimi duke forcuar konceptin e pluralizmit të sanksioneve penale dhe duke definuar kushtet e posaçme të përcaktimit të sanksioneve;
  2. Nivelin e politikës ndëshkimore të gjykatave në procedurën e përcaktimit të sanksioneve penale përmes përzgjedhjes së sanksionit të harmonizuar, jo vetëm me karakteristikat e veprës konkrete penale, por edhe me veçoritë e kryesit të veprës;
  3. Procedurën e ekzekutimit të sanksionit penal përmes përshtatjes së mënyrës së ekzekutimit të sanksionit, personit të gjykuar, por edhe duke respektuar karakteristikat e veprës së kryer penale.

 

Parimi i drejtësisë

Drejtësia është njëra ndër postulatet themelore të procedurës penale bashkëkohore dhe kërkesë në të cilën kohët e fundit po insistohet me të madhe si në suaza të legjislacionit kombëtar ashtu edhe në planin ndërkombëtar.Insistimi në drejtësi ngërthen në vete të gjitha sistemet juridike bashkëkohore sidomos në pjesën e procedurën juridike, e cila nënkupton kufizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Kjo në rend të parë ka të bëjë me procedure penale-juridike dhe zbatimin e dhunës penale juridike. Konsiderohet se zbatimit i drejtë i dhunës penale-juridike arrihet me përzgjedhjen e mjeteve të tilla të dhunës penale juridike, të cilat i përgjigjen rrezikut të veprës penale e në funksion të mbrojtjes së vlerave kushtetuese për ç’arsye është i domosdoshëm zbatimi i asaj dhune në proporcion me peshën e veprës penale, dhunën penalo-juridike dhe aplikimi i saj vetëm ndaj personit i cili ka krye vepër penale dhe pikërisht vepër të atij lloji që kërkon masën dhe llojin e tillë të sanksionit penalo juridik i cili do të mundësojë arritjen e qëllimit të sanksioneve penalo-juridike qofshin të përgjithshme apo të veçanta, pra me individualizimin i cili nuk e ka për qëllim ta tregojë forcën e shtetit por realizimin e qëllimit të pjesës dërmuese të anëtareve të bashkësisë shtetërore, që të gjithë ta respektojnë rendin juridik dhe të mos kryejnë vepra penale.

 

Parimi i humanitetit

Kërkesa për humanitet në kuadër të procedurës penale nuk është e kohës së sotme ndonëse kjo ka ardhur në shprehje të plotë vetëm në gjysmën e dytë të shek. XX kur respektimi i dinjitetit njerëzor dhe ndalimi i sjelljeve antihumane ishin bërë objekt normativ i shumë dokumenteve ndërkombëtare dhe pjesë përbërëse e dispozitave kushtetuese të shteteve demokratike të kohës. Nga pikëpamja e politikës së luftimit të kriminalitetit zbatimi i parimit human ka karakter të dyfishtë.Parimi i humanitetit në kuadër të politikës së luftimit të kriminalitetit përmban kërkesën për sjellje njerëzore (humane) si në pikëpamje të përmbajtjes së detyrimit penalo-juridik, ashtu edhe në pikëpamje të aplikimit të dhunës. Ky parim kërkon që ndaj të dyshuarit, të akuzuarit dhe të gjykuarit të veprohet në mënyrën e cila nuk e rrezikon dinjitetin njerëzor dhe e cila në masë të plotë e mbron integritetin psiko-fizik dhe shëndetin e personave në fjalë.Imperativi i veprimit human është e domosdoshme të jetë i zbatuar pa marrë parasysh peshën dhe pasojat e sjelljes së dënueshme. Kur janë në pyetje masat preventive në luftimin e kriminalitetit theksohet fakti se kriminaliteti paraqet atak shumë agresiv në të mirat dhe vlerat njerëzore, por kjo megjithatë nuk e arsyeton aplikimin e dhunës, gjegjësisht çfarëdo agresiviteti.Në anën tjetër në aplikimin e masave represive gjatë luftimit të kriminalitetit rendi juridik parasheh dhe lejon forma të caktuara të kufizimit të këtyre lirive dhe të drejtave të njeriut.

 

Parimi i politikës shkencore të luftimit të kriminalitetit.

Nuk thuhet pa arsye se qasja kriminale-politike dhe penale-juridike e fenomenit të kriminalitetit në pjesën e saj të doktrinës dhe praktikës, sot,duhet të jetë tepër e sofistikuar, sinkronizuar, komplementare dhe konzistente në të gjitha pjesët e saj por edhe si tërësi.Pikërisht duke e zhvilluar veprimtarinë e vetë shkencore dhe duke u shërbyer me rezultateve e përpjekjeve të shkencave tjera dhe me të arriturat e tyre në këtë fushë, politika e luftimit të kriminalitetit sot duhet të ofrojë zgjidhje të bazuara shkencore në pasqyrimin e këtij fenomeni dhe të propozojë masa të përshtatshme për aktivitet konkret të shoqërisë në luftimin e tij .Ky parim, së drejti, përmban kërkesën për profilizimin e politikës së luftimit të kriminalitetit si disiplinë shkencore. Për ta fituar statusin shkencor, çdo disiplinë është e domosdoshme ta ketë lëndën e saj të studimit dhe qëllimin e hulumtimit si dhe metodat e veta të studimit. Politika bashkëkohore e luftimit të kriminalitetit këtë e posedon sot pa kurrfarë dyshimi. Shikuar në prizmin e zhvillimit historik, mund të konstatohet se kjo disiplinë, në periudhat e ndryshme kohore, ka pasur statuse të ndryshme në grupin e disiplinave, të cilat janë marrë me problematiken e kriminalitetit dhe me sjelljet që ishin të dënueshme .Parimet e politikës së luftimit të kriminalitetit të cilat kemi pasur rastin t’i analizojmë në këtë punim, na sigurojnë se kjo disiplinë në qasjen ndaj lëndës së saj shkencore gjithmonë është në rrugë të drejtë, në rrugë ligjore, humane dhe shkencore të luftimit të problemit të kriminalitetit sot dhe sugjeron forma të tilla të masave preventive dhe represive përballë sjelljeve të dënueshme, të cilat në asnjë aspekt nuk do të pasqyrojnë zgjidhje të papranueshme për shoqërinë e civilizuar. Vetëm në këtë mënyrë politika kriminale mund të jetë discipline shkencore autentike dhe tu përgjigjet kërkesave të cilat i parashtrohen asaj.