KORRUPSIONI, KRIMI DHE DROGA PO SHKATËRROJNË KOMBIN

KORRUPSIONI, KRIMI  DHE DROGA PO SHKATËRROJNË KOMBIN

Nga Skënder S.KAPITI

Kombi është një fis i madh i cili ka gjuhën, traditat, zakonet , kulturën dhe trashëgiminë specifike të tij, ka atdheun e vet dhe historinë e tij që e bëjnë të dallueshëm nga etnitë dhe kombet e tjera.

Sot armiku më i madh për kombin shqiptar janë korrupsioni, krimi dhe droga, paraja e tyre, korrupsioni i montuar në sistem nga politika, drejtësia, media dhe biznesi , pasi interesat e tyre nuk përputhen por janë kunder  dhe në dëm të interesave publike dhe kombëtare.

Pra  në kohën e sotme moderne  të globalizmit të përshpejtuar, kombin tonë po e trondisin nga themelet të tjera kultura, të tjera morale të amoraliteteve, te tjera parime kundramorale duke u larguar dhe duke i braktisur traditat dhe trashëgimitë tona të larta dhe të vyera si burrërinë, besën, familjen,patriotizmin, humanitetin, ndershmërinë, moralin, mirënjohjen dhe respektin. Autorë të  kësaj gjëndje janë politika dhe pushteti i largët,indiferent, i paskrupullt dhe antinjerzor, të papërgjegjshëm dhe të korruptuar për të cilët po vuajnë dhe po paguajnë shumë shtrenjtë shqiptarët.

Ky realitet korrupsioni i tejskajshëm, i rëndë dhe i ashpër i tanishëm po luan, po gënjen, po mashtron , dhe vetëm po manipulon duke ua humbur besimin dhe shpresën shqiptarëve për të ardhmen, pra, po e gërryen kombin.

Korrupsioni, hajdutëria dhe droga  në Shqipëri dhe në Kosovë  kanë gjeneruar krimet e të gjitha llojeve, duke ua kërcënuar jetën, lirinë, pronën ,dinjitetin dhe personalitetin e njerëzve.

Demokracia e keqkuptuar  nga shoqëria dhe demokracia e politikës së kriminalizuar; importimi politik, social dhe ekonomik i fenomeve më negative  të globalizmit si: krimin, korrupsionin, punën dhe paranë e pisët,  drogën , pornografinë, bixhozin dhe lakuriqesine e seksin, divorcin,vjedhjen dhe shitblerjen e votes dhe të pushtetit të cilat po bëhen kultura masive fatkeqësisht jo vetëm për politikën dhe  për partitë  politike por edhe për shoqërinë , duke u bërë kështu kërcënimi real më i rrezikshëm për kombin dhe sovranitetin kombëtar.

Kjo vertetohet me faktin se në Shqipëri e Kosovë korrupsioni mirëfunksionon dhe është ngritur në sistem, dhe jashtë sistemit kanë dalë  dhe është përjashtuar gjithçka tjetër të cilat nuk i pranon korrupsion, krimi, hajnija, droga dhe tradhëtia.

Jo vetëm korrupsionin por edhe drogën politika, pushteti dhe drejtësia në Shqipëri e ka instaluar në sistem, duke arritur deri atje sa Shqipërinë, atdheun dhe tokën e shqiptarëve , shumë  personalitete  shteterore , politikanë dhe media prestigjoze ndërkombëtare po e quajnë Kanabistan (tokë të kanabisit, të drogës), gjë e cila përbën kulmin e dëmit të madh dhe shumë të vështirë për t’u riparuar, dëm të cilin   politika dhe pushteti në Shqipëri  i kanë shkaktuar Shqipërisë dhe shqiptarëve , pra kombit,  jo vetëm si realitet  por edhe si imazh tejet negativ në Botë.

Korrupsioni dhe paraja e ryshfeti i tij është bërë lubrifikanti mbi të cilin rrëshqet dhe lëviz politika, drejtësia dhe shoqëria.

Korrupsioni e droga dhe paraja e cila vjen prej tyre financojnë  “investimet”, “bizneset”, politikën, zgjedhin politikanët, zgjedhin pushtetin, akademinë dhe administratën.

Korrupsioni, padrejtësia, paraja e pisët dhe droga gërryejnë kombin sepse  prej tyre shqiptarët  humbasin  edhe shpresën duke minuar besimin te drejtësia dhe te ata prej të cilëve qeverisen; duke humbur besimin te vlerat e mëdha kombëtare, te vlerat e larta demokratike dhe përparimtare, duke humbur  besimin te parimi i barazisë para ligjit,te puna e ndershme,si dhe përhapin kulturën dhe psikozën e dëmshme se të drejtat, liritë dhe shërbimet fitohen duke paguar dhe duke i blerë ato.

Kështu bëhet dhe korruptohet  edhe vetë shoqëria, dhe  në një gjëndje të tillë ku bie shoqëria e humbet kuptimin edhe patriotizmi dhe rrënohet edhe kombi , i cili pastaj e ka shumë të vështirë që të ringrihet.

Në atë vënd si Shqipëria po edhe Kosova të cilat në sajë të korrupsionit të lartë institucional nuk ka as zhvillim ekonomik, as rritje të mirëqënies,as investime, as punësim , as stabilitet e qëndrueshmëri politike, as shtet ligjor, as besueshmëri dhe as integrim europian, dhe a nuk përbën dhe a nuk do të thotë kjo se shteti dhe kombi, pavarësia kombëtare janë të kërcënuara?

Rritja ekonomike e cila vjen nga pastrimi i parave të pista dhe të drogës,  rritje e cila vjen nga vjedhja dhe nga korrupsioni , kjo  rritje  shpërndahet në favor të klasës  sunduese oligarko-korruptive dhe kriminale,  rritje e cila varfëron dhe skllavëron më shumë akoma të varfërit, të braktisurit dhe të harruarit.

Aleanca e forcës së parasë së  pistë me fuqinë politike  të korruptuar dhe të kriminalizuar dhe me mediat mercenare  të tyre e kane nxjerrë jashtë sistemit demokracinë.

Ky realitet korruptivo-kriminal i politikës, pushtetit, drejtesise dhe i  medias ka sjellë pasojat e eksodit dhe të hemoragjisë , largimit të trurit, të rinisë dhe të kapitalit njerëzor më të çmueshëm dhe më vital të qytetarëve shqiptarë drejt Europës.

Ky është korrupsioni, krimi dhe droga të cilat i kanë sjellë dëme të mëdha dhe të pariparueshme  kombit, që ka për autorë politikanët shqiptarë  të këtij tranzicioni të cilët ambasadori amerikan i akuzon se kanë kryer krime të tmerrshme dhe ambasadorja e BE-së deklaroi se shumë politikanë  shqiptarë e shesin atdheun. Ky është pra dëmi më i madh që po gërryen dhe po kërcënon  sot kombin shqiptar.