Konvertimi i (pa)pritur i Thaçit, nga patrioti në tradhtar!

Shkruan: Florim Zeqa                     30.12.2018

Konvertimi i (pa)pritur i Thaçit, nga patrioti në tradhtar!

Presidenti i shantazhuar dhe hipokrit, lërë se po tallet edhe me popullin, është duke u tallur edhe me spektrin politik.

Pas degradimit sistematik të shtetësisë, presidenti Thaçi është duke rrezikuar edhe tërësinë territoriale të vendit tonë! Hashim Thaçi, duke mos pyetur njeri, kokë më vete, si një despot i egër, me paratë e popullit, në emër të “përparimit të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë” është duke tentuar t’i falë 1/3 e territorit të vendit shtetit të Serbisë!

Ndryshimi radikal i Hashim Thaçit, gjegjësisht katandisja e tij politike nga Perëndimi tek Lindja, ka bërë që të ndryshojë rrënjësisht edhe fjalorin politik. I ashtuquajturi udhëheqës politik i UÇK-së, i ardhur në pushtet përmes kartës së “patriotizmit”, duke u thirrur në gjakun e dëshmorëve, në sakrificën sublime të familjes Jashari, me ndryshimin e kursit politik për 360 shkallë, idenë e bashkimit kombëtar e ka zëvendësuar me idenë e këmbimit (faljes) të territoreve dhe integrimit të plotë me Serbinë!

Me dialogun e filluar shtatë vite më parë në Bruksel, Hashim Thaçi bisedoi pandërprerë me Serbinë, pa kushte, pa dënimin e krimeve të luftës, pa u kthyer të pagjeturit, pa marrë dëmshpërblimet e luftës, pa marrë fondin pensional dhe pa marrë artefaktet arkeologjike.

Madje Hashim Thaçi nuk bëri asgjë për t’ia hequr UÇK-së barrën e akuzave për trafikim organesh, gjë e cila solli Gjykatën Speciale. Dialogu i pabarabartë me Serbinë, fillimisht Kosovës i hoqi akronimin e “Republikës”.

Pas degradimit sistematik të shtetësisë, presidenti Thaçi është duke i rrezikuar edhe tërësinë territoriale vendit të tonë! Hashim Thaçi, duke mos pyetur njeri, kokë më vete, si një despot i egër, me paratë e popullit, në emër të “përparimit të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë” është duke tentuar t’i falë 1/3 e territorit të vendit shtetit të Serbisë!

Hipokrizia e Thaçit

Presidenti i shantazhuar dhe hipokrit, lërë se po tallet edhe me popullin, është duke u tallur edhe me spektrin politik, duke u shitur si ‘baba’ i këtij shteti.

Thaçi përmes gënjeshtrave po përpiqet ta mashtrojë edhe administratën amerikane, kinse ai është njeriu kryesor në Kosovë.

Ndryshimi i terminologjisë prej “korrigjimit të kufijve” në përcaktimin e kufirit përmes demarkacionit nga ana e presidentit kuisling Hashim Thaçi, paraqet ndryshim të formës së talljes (por jo të përmbajtjes) me popullin “zemërgjërë” të Kosovës, që po i duron akoma marrëzitë e tij politike.

Pavarësisht terminologjisë që përdor, qëllimi i Hashim Thaçit mbetët i njëjtë dhe i pandryshuar, ndarja dhe copëtimi i Kosovës në këmbim që ai t’i shpëtoj Gjykatës Speciale.

Pra, Hashim Thaçi po bënë pazare me territorin e Kosovës dhe pasuritë e shtetit, duke e trajtuar Serbinë si pronare të Kosovës, vetëm e vetëm që ai t’i shpëtoj Gjykatës Speciale.

Hashim Thaçi, po harron se për shqiptarët e Kosovës, Beogradi nuk është kryeqytet i tyre që nga 2 korriku i vitit 1990.Jo vetëm kaq, presidenti kuisling i Kosovës, me qëllim po mundohet t’i harroj faktet se pavarësia e Republikës së Kosovës ka marrë vulën e 115 shteteve të botës, ka marrë vulën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) me kufijtë e saj zyrtarë nga ish RSFJ, gjegjësisht nga Kushtetuta e vitit 1974, të gravuar edhe në flamurin (hartën) e shtetit të njohur ndërkombëtarisht nga shumica e vendeve të BE-së, SHBA-së dhe vendeve tjera nga mbarë globi.

Loja me korrigjim kufijsh i luajti themelet e shtetit të Kosovës

Kosova ka qenë më e pranishme në diplomacinë perëndimore 28 vite më parë seç është sot, gjegjësisht më i pranueshëm nga diplomatët perëndimor ka qenë Ibrahim Rugova 28 vite më parë, si udhëheqës i shtetit paralel (virtual), se sa që është sot Hashim Thaçi si president i shtetit të pavarur dhe sovran.

Në asnjë rrethanë nuk mund të jenë në ballë të një populli ata që negociojnë pavarësinë e shtetit, ata që bëjnë pazare me tokat dhe pronat e shtetit, ata që i humbasin e dorëzojnë betejat diplomatike më Serbinë, për më tepër ata që punojnë për interesa të Serbisë në Kosovë.

Nuk mund të qeverisin tutje me vendin, ata që vrapojnë korridoreve për t’i shtrënguar duart me udhëheqësit e një shteti që s’lënë gur pa lëvizur për ta zhbërë shtetësinë e Kosovës, nuk mund të qëndrojnë në ballë të institucioneve të shtetit, ata që vrapojnë pas Putinit dhe Aleksandar Vuçiqit, duke bërë pazare territoriale, në mënyrë që kështu Thaçi të shpëtoj nga Gjykata Speciale.

Në asnjë mënyrë nuk mund të ecet përpara me ata që e sfidojnë miqësinë me aleatët e jashtëm që na kanë ndihmuar të pavarësohemi!

Assesi populli nuk duhet t’i toleroj më që të vazhdohet me këtë lidership të korruptuar dhe tejinkriminuar, por duhet kërkuar përveç përgjegjësisë morale, edhe atë penale për dëmin që i kanë shkaktuar shtetit dhe qytetarëve.

Zëri i popullit është zëri i Zotit

Arsyeja pse populli nuk po ngrihet në protesta masive e paqësore, për t`ia bërë me dije tërë botës se nuk do ta lejojnë Hashim Thaçin që të bëjë pazare me territorin dhe pasuritë e Kosovës, është se populli e ka humbur besimin në tërë klasën politike, e cila aq shumë ngjan e aq pak dallon me njëra-tjetrën, saqë nuk po dihet kush është djall e kush tjetër engjëll në këtë vend.

Aq shumë djaj janë bërë në politikën kosovare, saqë populli nuk po u beson më as engjëjve. Klasa politike në pushtet gjithnjë po kalon pa ‘ferrë në këmbë’, siç e thotë populli, e gjithë kjo për shkakun e lidhjeve të interesit dhe lidhjeve kriminale që kanë mes tyre pushteti dhe opozita.

Është momenti i fundit që populli të dëshmoj se edhe në Kosovë populli është sovrani, për t`i penguar pushtetarët e inkriminuar, të cilët vazhdojnë të ndjehen rehat duke shkelur ligjin e Kushtetutën, duke rrezikuar dhe duke e futur shtetin thellë e më thellë në krizë identiteti.

Populli duhet t’i lëshojë “teposhtë” ata të cilët për dy dekada e kanë bllokuar këtë vend dhe ua kanë zënë frymën njerëzve të aftë e të përgjegjshëm që e kanë vullnetin për ta çuar përpara vendin.

Ngase nuk shkohet përpara me njerëz, të cilët për të shijuar një post politik janë të gatshëm të rrezikojnë të ardhmen e shtetit dhe qytetarëve.

T’i ndalim tani, sa nuk është bërë tepër vonë, për shkak se është duke u rrezikuar seriozisht ekzistenca e shtetit dhe substanca e qenies tonë kombëtare në Kosovë.

Klasa aktuale politike e inkriminuar dhe shantazhuar (pushtet dhe opozitë) shtetin e pavarur të Kosovës, përmes dialogut me Serbinë, Thaçi & Isa Mustafa e kanë kthyer prapa para vitit ’99, gjegjësisht e kthyen Serbinë në Kosovë, duke e zhvendosur qeverinë qendrore në Beograd, ndërkaq Kosovën e bën filial të qeverisë së Serbisë fashiste, e cila na djegur, shkatërroi, vrau e masakroi!

Po qe se duam ta shpëtojmë Kosovën nga kthetrat e Serbisë, populli duhet të bashkohet sikurse në vitet e ’90-ta, deri në largimin e kusarëve politikë nga pushteti dhe opozita, për t’u rirreshtuar në një organizim të ri politik.

Heqja e vijave të kuqe për Serbinë, ogur i zi i Thaçit

Paralajmërimet e Hashim Thaçit se nuk do të ketë vija të kuqe dhe se do të ketë kompromis të dhimbshëm me Serbinë, për të vazhduar me konferencat e tij për media, në të cilat nuk thotë asgjë përveç pazarit me territorin e Republikës së Kosovës, fletë qartë për pozicionin inferior dhe nënçmues që ka Kosova në dialogun e Brukselit.

Qëllimi i vetëm i Hashim Thaçit në dialog me Serbinë është ndarja e Kosovës për të shpëtuar lëkurën e tij nga Gjykata Speciale.

Për të arritur këtë qëllim, Thaçi i ka blerë dhe shantazhuar komplet spektrin politik në Kosovë, qeveritarët aktual, mediet dhe një pjesë të shoqërisë civile vetëm e vetëm që të mos e pengojnë në pazarin e tij me Aleksandar Vuçiqin për ndarjen e Kosovës.

Tendenca e Thaçit është, që të gjitha marrëveshjet private me Vuçiqin, t’i konsideroj si marrëveshje obligative për Kosovën, duke bërë presion të paparë ndaj institucioneve të shtetit, përkatësisht Kuvendit dhe Qeverisë, nën kërcënimet për izolim, siç ndodhi edhe me rastin e demarkacionit me Malin e zi, i cili edhe pse u kundërshtua për 3 vite, të njëjtit që e kundërshtuan, e pranuan sapo e morën pushtetin, pasi ambasadat ua ndalën edhe dhënien e vizave politikanëve të korruptuar dhe shantazhuar kosovarë.

Kjo në fakt është edhe arsyeja pse Thaçi po insiston qe ta bëjë marrëveshjen me Vuçiqin si një akt të kryer dhe t’i imponohet Kosovës, vetëm e vetëm që ai të heq barrën e Gjykatës Speciale.

Thaçi nuk ka të drejtë të flasë në emër të shqiptarëve

Të gjithë në Kosovë janë të befasuar nga konvertimi i (pa) pritur i Thaçit, nga patrioti në tradhtar, gjegjësisht të rrëshqitjes nga udhëheqës politik i UÇK-së në një servil të papërmirësueshëm të Beogradit dhe çarqeve antishqiptare.

Të vetmit që po ngritin zërin lartë kundër idesë së Thaçit për ndarjen e Kosovës janë mediet e pavarura dhe intelektualët nga mërgata jonë, të cilët në forma të ndryshme janë duke i bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për mosmbështetjen e veprimeve antishtetërore dhe antikombëtare të Hashim Thaçit.

Nuk kanë si të trajtohen ndryshe, pos si tradhtarë ata që shesin tokat e atdheut të tyre tek armiqtë e kombit shqiptar. Derisa bën pazare me Serbinë në kurriz të territorit të shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi ka të drejtë të flasë vetëm në emër të strukturave kriminale serbe dhe bashkëpunëtorëve shqipfolës në Kosovë, por assesi në emër të 90 % të popullatës shqiptare në Kosovë dhe miliona shqiptarëve në Diasporë.

Për fatin e keq të vendit, i ashtuquajturi president, Hashim Thaçi po e finalizon marrëveshjen për ndarjen e Kosovës pa u penguar nga shoqëria civile, madje as nga opozita, për shkak se i ka blerë dhe shantazhuar komplet spektrin politik në Kosovë.

Jo vetëm kaq, servilizmi i politikës kosovare në krye me Hashim Thaçin na kushtoi me falje të territoreve Malit të Zi dhe Maqedonisë, dhe së fundmi po rrezikojmë edhe humbjen e veriut të Kosovës.

Në fakt zanafilla e servilizmit është më e hershme, duke pranuar diskriminimin pozitiv të përfaqësuesve serb në Parlament, fusnotën, formimin e komunave etnike serbe, formimin e asociacionit të komunave serbe, arsimin paralel, shëndetësinë paralele, fuqizimin (autonominë) e kishave ortodokse serbe edhe pse ato në të kaluarën ishin kisha shqiptare.

‘Moderimi’ i presidentit Thaçi dhe ‘patriotizmi’ i Qeverisë ‘Haradinaj’ janë truqe politike për t’ia zgjatur jetën vetes në luksin e pushtetit.

Përderisa gënjeshtrat e pushtetarëve zgjasin getoizimin e qytetarëve, vazhdon zbrazja në heshtje e Kosovës nga të rinjtë e saj!

Derisa të vie në pushtet një klasë e përgjegjshme politike, me etikë dhe integritet profesional për të udhëhequr shtetin dhe dikasteret përkatëse qeveritare, të gjitha dëshirat dhe shpresat e qytetarëve do të mbesin iluzione.

Mbase sjelljet e fundit të pushtetarëve, përkatësisht dualizmi i veprimeve të pushtetarëve aktualë do të jenë një “alibi” më shumë për getoizimin e mëtutjeshëm të qytetarëve të këtij vendi dhe talljen me liderët shtetëror të Kosovës dhe mosdhënien edhe për një kohë të gjatë të vizave nga shtetet e BE-së.