KONKURS PËR MARTESA

D. Krasniqi(Humoreskë aktualiteti)

Shoqata e Badihavistikës së Beqarëve të Kosovës (SHBBK) , në mbledhjen e Kryesisë së vet të mbajtur në një ditë muaji, një muaj viti  dhe një vit shekulli , me një vendim unanim shpallë :

 

 

 

KONKURS PËR MARTESA

Për një numër të pakufizuar martesash me femra që janë të pa martuara dhe të interesuara.

Kushtet e  pjesëmarrjes në këtë Konkurs , janë si vijon :

– Të gjitha kandidatet e interesuara për  pjesëmarrje në Konkurs,  për t’u martuar me ndonjë djalë beqar, duhet të dëshmojnë me fakte dhe argumente se nuk dinë çka është magjja , nuk dinë çka është brumi , nuk dinë çka është gatesa dhe nuk dinë çka është buka e shtëpisë !

– Të gjitha kandidatet e interesuara për pjesëmarrje në Konkurs, duhet të dëshmojnë dhe të argumentojnë me fakte , se nuk dinë çka është bulmeti , nuk dinë çka është qumështi , nuk dinë çka është kosi , nuk dinë çka është djathi, nuk dinë çka është gjiza , nuk dinë çka është maza , nuk dinë çka është tëlyeni …etj !

– Të gjitha kandidatet e interesuara për pjesëmarrje në Konkurs, duhet të dëshmojnë me fakte dhe argumente , se nuk i duan delet, nuk i duan lopët , nuk i duan pulat dhe nuk dinë që t’i mjelin ato ! Po ashtu, ato duhet ta bindin Komisionin për Konkurs se dinë të ruhen që të mos i hajë delja , që të mos i hajë lopa, që të mos i hajë  dhia , pula …etj!

– Të gjitha kandidatet e interesuara për pjesëmarrje në Konkurs, duhet të dëshmojnë me fakte dhe argumente , që nuk dinë se çka është  veku , shpata , bërdilat , drugëza , pëlhura, qilimi , jani, dysheku …etj!

– Të gjitha kandidatet e interesuara për pjesëmarrje në Konkurs, duhet të dëshmojnë me fakte dhe argumente , se nuk dinë çka janë kërrabëzat , nuk dinë çka është furka, nuk dinë çka është tjerri, nuk dinë çka është boshti, nuk dinë çka është shtiza , nuk dinë çka janë çorapët , nuk dinë çka janë dorëzat , nuk dinë çka janë maramat , nuk dinë çka janë strajcat …etj !

– Të gjitha kandidatet e interesuara për pjesëmarrje në Konkurs , duhet të dëshmojnë me fakte dhe argumente , se nuk dinë çka është gjergjefi , nuk dinë çka janë drugëzat, nuk dinë çka janë qëndisjet , nuk dinë çka janë ojmet , nuk dinë çka janë çilet , nuk dinë çka është mëndafshi …etj!

– Të gjitha kandidatet e interesuara për pjesëmarrje në Konkurs , duhet të dëshmojnë me fakte dhe argumente , se nuk dinë çka është drapri , nuk dinë çka janë të korrurat , nuk dinë çka është shati , nuk dinë çka janë arat , nuk dinë çka janë drithërat , nuk dinë çka janë të prashiturat , nuk dinë çka është kopshti , nuk dinë çka janë perimet …etj.

Konkursi mbetet i hapur deri në plotësimin definitiv të vendeve vakante të martesave , nga të dy gjinitë !

 

Gjilan, më 26.04.2016.             Kryetari i Komisionit të Konkursit të

                        SHBBK-së:

                            Bashkim BADIHAVXHIU d. v.