Kombi duhet ta njohë, ta respektojë dhe ta realizojë parimin e Ligjit

Kombi duhet  ta njohë, ta respektojë dhe ta realizojë  parimin e Ligjit

 Nga Skënder Sadri KAPITI

Parimi i Ligjit  është moraliteti njerëzor, ruajtja e tij  dhe përpjekja e vazhdueshme për dinjitetin, për lirinë dhe respekti vëllazëror, dashuria e ndjesia shpirtërore për të ndjerë dhimbjen e fatkeqësinë edhe të të tjerëve, të të afërmëve familjarë së pari, të rrethit shoqëror dhe të bashkëkombasve të tu. Parimi i Ligjit është kufizim i lirisë dhe i pushtetit të më të fortëve me qëllim që atyre t’u pamundësohet ushtrimi i padrejtësisë mbi të tjerët dhe rrëshqitja dhe rënia e tyre  në amoralitet korruptiv e materialist që e dehumanizojnë natyrën njerëzore.

Ligji, Kushtetuta e ndërton shtetin, dhe zbatimi i tij nga pushteti dhe nga drejtësia e vë në funksion si shtetin ashtu edhe shoqërinë e atij shteti.

Sipas Ligjit primare dhe kryesore janë  Njeriu,  Kombi dhe Shteti. Aty ku realizohen dhe mbrohen të drejtat e njeriut, e drejta shtetërore, pra aty ku sundon Ligji moral dhe human, aty nuk ka vënd për padrejtësinë, dhe prej aty njerëzit nuk largohen.

Njerëzit largohen prej atij vëndi kur ai vënd është në konflikt e luftë si  dhe prej atij vëndi ku padrejtesitë e kanë sfiduar Ligjin.

Fatkeqëisht shqiptarët largohen nga Shqipëria dhe nga Kosova prej padrejtësive dhe pasigurisë. Dhe aq shumë largohen nga atdheu, sa që Shqipëria, eksodi i shqiptarëve krahasohet me vënde të cilat janë në konflikte civile të armatosura.

Por politika e pushteti, politikanët dhe pushtetarër shqiptarë si në Shqipëri dhe në Kosovë janë në letargjinë anakronike  dhe në kundërkohë sepse ato kuptojnë, dëshirojnë dhe veprojnë të kundërtën. Pushteti dhe politika shqiptare mendojnë e veprojnë  atë se: ata duhet të rrëmbejnë edhe prerogativat, atributet e të drejtat e popullit, shtetit dhe të kombit, dhe madje marrëzia e tyre shkon përtej edhe asaj sa që ata pretendojnë të jenë mbi popullin, mbi ligjin dhe mbi shtetin.

Ky është konflikti permanent dhe i vazhdueshëm që ka individi, shoqëria moderne shqiptare me politikën dhe me pushtetin.

Pse vuajnë shqiptarët, pse janë të varfër, pse janë të papunë, të pasigurtë dhe pse vetëm sa largohen nga atdheu,nga mëmëdheu i tyre?!

Kombi është si një fis i madh i cili jeton dhe e ndërton jetën, mirëqënien dhe sigurinë  e tij në tokën e tij, në atdheun e tij, në mëmëdheun e tij. Kombi lufton, përpiqet  dhe ndërton shtetin e tij. Kombi qeveriset nga pushteti dhe nga bijtë e bijat e tij më të mirë, nga baballarët e tij të cilët duhet t’i shërbejne atdheut si shërbëtore dhe ta mbrojnë atdheun e shqiptarëve si ushtarët më  besnikë të tij.

Kombi shqiptar gjithë jetën e tij, në shekuj ka sakrifikuar e luftuar për lirinë ,pavarësinë dhe për shtetin e tij në tokën e tij të bekuar e të pasur kundër armiqve e barbarëve të cilët gjithmonë kanë synuar asgjësimin e shqiptarëve, pastrimin e trojeve shqiptare nga shqiptarët, genocidin dhe asimilimin e tij.

Shqiptarët, edhe pse sot kur kanë atdheun dhe shtetin e tyre të pavarur largohen nga atdheu, largohen nga streha, nga shtëpia e tyre e madhe dhe e përbashkët. Shqiptarët largohen të detyruar nga pushteti i keq nga pushteti i qeverisjeve shpirtliga, të pamëshirshme, pasi janë qeveritë shqiptare ato të cilat kanë uzurpuar mëmëdheun e shqiptarëve; janë politika e politikanët shqiptarë ata të cilët janë mbi sovranin dhe mbi popullin dhe të cilët e përdorin  dhe e shpërdorojnë, e vjedhin, e grabisin dhe e shfrytëzojnë popullin e vet për interesin e vet, duke vepruar në kundërshti me parimin e Ligjit.

Janë  ata të cilët ua bëjnë të padurueshme dhe sketerrë jetën shqiptarëve. Janë ata që kanë kapur shtetin dhe që  keqqeverisin me pushtetin e tyre të  keq, dhe që prej zullumeve, prej padrejtësive dhe prej poshtërsive  të pushtetit e të politikës shqiptarët braktisin shtëpinë e tyre, Shqipërinë, atdheun e tyre.

Zotëruesi dhe sundimtari i atdheut është populli, por atë e ka shfonësuar  pushteti dhe e politika.

Sunduesit e shtetit në Shqipëri nuk janë ata të cilët duhet të jenë ushtarë dhe shërbëtorë e tij.

Sunduesi në Shqipëri janë  politika dhe pushteti të cilat janë   mbiligji,  mbishteti dhe mbi sovrani. Dhe prej hijes së kësaj fantazme shqiptarët ikin e largohen nga mëmëdheu.

Atdheu dhe Shteti janë dhe i përkasin  popullit,  dhe se pushteti, edhe qeversjet janë ligje të popullit për t’i shërbyer popullit, atdheut dhe shtetit të tij.

Dhe populli  ka të drejtë që t’i dëbojë, t’i kontrollojë, t’i ndëshkojë qeverisjet dhe që edhe t’i ndryshojë e të ndërrojë  ligjet dhe qeverisjet.

Kur pllakos padrejtësia, populli duhet t’i kundërvihet, t’i rezistojë, ta kundërshtojë , ta sfidojë e ta mposhtë atë. Kjo është e motivuar edhe moralisht dhe e justifikuar edhe nga Ligji e Drejtësia.

Dhe kush është kjo njerka e ligë dhe e pamëshirshme që ua ka zënë dhe okupuar begatinë, lumturinë dhe shtëpinë shqiptarëve?