Kolonel Tahir Zemaj ishte i vendosur në respektim të hierarkisë institucionale të Republikës së Kosovës

Katërmbëdhjetë vite pas vrasjes së Kolonel Tahir Zemaj, të birit Enisit dhe kushëririt e veprimtarit të LDK-së, Hasanit.

Kolonel Tahir Zemaj ishte i vendosur në respektim të hierarkisë institucionale të Republikës së Kosovës

Adem Lushaj

Përgatitja profesionale dhe doktrina luftarake që kishte kolonel Tahir Zemaj dhe ministri i tij, kolonel Ahmet Krasniqi, janë vlera që i bëjnë figurat më emblematike të luftës sonë për liri dhe pavarësi të Kosovës. Edhe pas 14 vitesh, drejtësia vendore dhe ndërkombëtare ka dështuar për zbardhjen e vrasjes qyqare të heroit të Kosovës, ushtarakut që kishte në prioritet respektimin institucional të shtetit të Kosovës, në krye të së cilës ishte presidenti Ibrahim Rugova. Kështu kanë vlerësuar bashkëluftëtarët, bashkëvendësit dhe familjarët e Kolonel Tahir Zemaj, me rastin e përvjetorit të katërmbëdhjetë të vrasjes, organizim i bërë nga bashkëluftëtarët e tij të Brigadave 134, 131, 133 dhe Mërgimi, të cilat ishin në komandën e oficerit të karrierës, kolonel Tahir Zemaj.

Për, zëvendësin e kolonel Zemaj, njëri ndër oficerët e parë të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, Ismet Ibishi, “Tahiri ishte strateg, urtar dhe i përpiktë në vendimet e marra”. Ai po ashtu thotë se “s’ka fjalë që ta përshkruan ish-komandantin e tij, për respektimin e hierarkisë institucionale dhe zbatimin e vendimeve të marra nga këto institucione”. Ish. Zv. Ministri Ibishi, ka treguar edhe për fillet e para të organizmit të strukturave ushtarake të Republikës së Kosovës, që sipas tij, Ahmet Krasniqi dhe Tahir Zemaj, ishin parësorët në këto formacione ushtarake. “Në Gushtë të 1991, u formuan celulat e para të FARK-ut, fillimisht në Dellnicë të Kroacisë, e më pastaj edhe në Slloveni dhe nëpër vendet tjera të Evropës. Pjesëmarrja e jonë në luftërat e Kroacisë, Sllovenisë dhe Bosnjës, na bëri që të fitojmë eksperiencë luftarake, na skaliti për të luftuar më pas për çlirim të Kosovës”, është shprehur Ibishi, duke treguar se nën komandën e Tahir Zemaj, u ndryshua edhe doktrina e luftës, nga ajo guerile në frontale. Gjithnjë sipas Ismet Ibishit, Brigadat 134, 131, 133 dhe Mërgimi, të komanduara nga komandanti strateg, Tahir Zemaj, treguan forcën e tyre institucionale qysh në Betejën e lavdishme të Loxhës, duke vazhduar më pas edhe me atë të Koshares legjendare.  “Ju nuk guxoni në asnjë mënyrë të shkrepni plumba mbi shqiptar, por armët ti keni vetëm për armikun, duke respektuar me përpikëri dispozitat e Konventave të luftës”, ishin fjalët e Komandantit tonë para hyrjes në Kosovë në Qershor të 1998, ka thënë Ibishi, për të cilin komandanti i tij ishte vizionar dhe i guximshëm në vendimet e tij.

Për kapacitet profesionale prej ushtaraku madhor të doktrinës së NATO-s, të kolonel Zemaj-t, ka treguar edhe Fadil Hadërxhonaj, pjesëmarrës i dy Betejave të lavdishme të UCK-së, ( Loxhës dhe Koshares), ku sipas tij, “Komandanti (Tahiri Zemaj) kishte përgatitjen psiko-fizike, profesionale, të përmasave të një oficeri të çmuar, që kishte çdo herë para vetës, doktrinën ushtarake të NATO-s”.  Hadërxhonaj, po ashtu ka thënë se “Koloneli ishte i afërt me koleg e me ushtar, por kishte vendosmërinë e një komandanti, në momentet e vendimmarrjes”. Sipas tij, nuk ka të drejtë askush të bën politike me luftën tonë për liri. “Askush të mos politizon me vlerat tonë të luftës, askush mos të politizon me luftëtarët e lirisë, sepse lufta e jonë nuk ishte politike, por e pastër për clirim dhe pavërsi të Kosovës”, ka nënvizuar Hadërxhonaj, duke thënë se nuk ka dallime mes atyre që dhanë jetën për liri, sikurse që nuk duhet të bëhet ndasi në emër të luftës dhe vlerave të saj.

Familja Zemaj, bashkëvendësit e kolonel Tahirit, shprehën mirënjohës për gjithë ata që nuk harrojnë kontributin e Kolonelit, sikurse edhe të Hasanit, veprimtarit politik, kryetarit të Forumit Rinor të LDK-së. Deputeti i Kuvendit të Kosovës, nipi i Tahir Zemaj, Armendi, shpreson që institucionet e vendit do veprojnë dhe do bëjnë zbardhjen e gjitha vrasjeve të ndodhura në Kosovë, pasi që deri më tash nuk është arritur kjo gjë.

Se pak është punuar në zbardhjen e vrasjeve të pasluftës, e sidomos të figurave të shquara të LDK-së, konfirmon edhe Bajram Gecaj, zv. Ministër i MAPL-së. Ai, ka thënë se, “dhjetë ditë para vrasjes, Isufi  e kishte telefonuar duke i thënë se rastin për kapje të autorëve të vrasjes së kolonel Zemaj, e kishte shumë afër për të zbuluar, ngase kishte përafruar deri në tre persona si pjesë të këtij atentati të kryer në Pejë”, ndaj edhe hetuesia veç ka një orientim të duhur për kapjen e autorëve të kësaj vepre kriminale. “Kryeministri Isa Mustafa, ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse të zbardhin të gjitha rastet e vrasjeve të njerëzve të LDK-së, por edhe të tjerat”, ka thënë Gecaj, sipas të cilit institucionet e drejtësisë janë të pavarura në kryerje të detyrave të tyre.