KËSHILLAT E POEZISË

NEBI DRAGOTI

KËSHILLAT E POEZISË

  1. E gjete temën?Këtë frymëzimi ta dha.Përpiloje sa më bukur dhe sa më shkurt.Mund të vinë në mendje shumë tema, po t’i, poet, duhet të bësh seleksionimin, se mund të ketë tema që nuk ia vlenë për t’i vjershëruar.
  2.  E shkrove vargun e parë? Të vaftë mbarë! Veç shikoje e peshoje mendërisht që të ketë peshë vlere e bukuri.Bëje sa më të bukur! Ahh, bukuria është e lakmueshme!
  3. E hartove strofën e parë? Kujdes rimën, jo foljore, sepse kjo rima foljore nuk tingullon aq harmonishëm, sidomos ato me mbaresat ”jmë”. Mundohu të përdorësh gjithë llojet e rimave dhe mos e bëj monoton me abab. Shikoje mire a e ke bërë të bukur strofën? Bukuria nuk ka fund , or mik!…
  4. A e mbarove vjershën? Mos u ngut tani, se ke prapë shumë punë. Lexoje , rilexoje,gjykoje në shumë drejtime. Çfarë shkon e çfarë nuk shkon si varg, si strofë? Shiko se mos duhet shtuar diçka, diçka akoma më e bukur, se bukuria është koncept gjithpërfshirës.
  5. A je i kënaqur vetë për krijimin të cilit i ke dhënë jetë? Ahh, poet, jo vetëm kaq, por , mbi të gjitha, kënaqësi duhet të ndjejë lexuesi , kritiku më i madh për ty.
  6. Figuracionin duhet ta hartosh të tillë, që të mos jetë konfuz e i ngarkuar me ekuivoke, se një poezi e tillë nuk është më poezi.
  7. Mos m’i harro këshillat, se këshilla të tilla të ngrohta si leksion, me sa kam parë, veç meje, nuk të jep askush…

 

KEMI NGA PAK PROZAIZËM

Kam lexuar shkrime formatuar si vjershë edhe në mediat elekronike, edhe në shtypin gazetaresk, shkrime komplet prozaikë, që kurrësesi nuk mund t’i quash poezi.Ky qëndrim prej botuesi nuk duhet toleruar aspak. Për mendimin tim, kjo dukuri negative ka dalë jashtë kontrollit.Prozaizmi është si sëmundje gripale për poezinë dhe sado përvojë, kulturë, praktikë në të shkruar, horizont diturie të ketë poeti, ajo i shfaqet në krijim pa e lajmëruar.Kryesore, hap pas hapi, vetë poeti, duhet ta ketë në qendër të vëmendjes, që mos të bjerë në kurthin e tij.Kohët e fundit ky fenomen haset më shpesh dhe kjo varfëron cilësinë e poezisë. Shoh se e nisin poezinë me varg prozaik, vazhdojnë me strofën, shtojnë strofa kotsëkoti e po t’u bësh koment, shikon se ka përsëritje mendimesh dhe fare lehtë mund të heqësh strofa pa prishur punë. Edhe kjo ul cilësinë. Jo vjelje frutash pa u pjekur!…Ka krijues që i rrëmben krijimi e rendin të pakuptimtë dhe po t’i pyetësh: “Çfarë ke shkruar se nuk po të kuptoj?” Krijuesi nuk di të përgjigjet. Me këtë desha të them se edhe frymëzimi duhet kontrolluar. Ka që dikujt i hyn vetja në qejf dhe vazhdon në sasi. Kjo dëmton. Në facebook ka komentues që, për t’u dukur, shprehen pa arsyetuar e argumentuar atë që shkruajnë. Art i të shkruarit të poezisë kërkon maturi, kërkon njohjen e teorisë së letërsisë më së miri. Të gjithëve na ngjitet nga pak prozaizëm. Dikush e dikton e dikush nuk e dikton. Kjo sëmundje duhet kuruar me përkushtim e seriozisht në këtë tranzicion shqiptar, sepse po nuk u kurua bëhet sëmundje e vazhdueshme. Në këtë aspekt, këtu mungon edhe kritika aktive, që nuk ndihmon aspak, nuk i paraprin krijimtarisë. Kjo dukuri tregon se dhe kritika meqë nuk ndjehet, është e dobët, varfanjake ose ka qëndrim mosqejfprishjen.