KARAKTERISTIKAT E POEZISË

NEBI DRAGOTI

Përballë prozës, poezia ka karakteristikat e veta dalluese specifike, por, që të dyja janë të prirura që të shprehin bukurinë e mendimit me fjalë e fjali. Proza ka të avancuar prozën poetike, lëvrues të cilës na kujton Gorkin, shkrimtarin me famë botërore. Poezia ka për themel ritmin, vargun metrik, rimën, kërkesa klasike këto, ndër shekuj, si tipar dallues.Sigurisht, nëpër kohëra kanë pësuar edhe ndryshime me objektiv përmirësimin të gjithanshëm të perfomancës së vet. Poezia ndërtohet me vargje të gjatësive të ndryshme, kjo sipas shijes e natyrës që ka poeti. Vargjet kanë ritmikë, dinamikë,, vargje të lire, të bardhë (zhveshur nga rima). Dihet: rima, theksi ritmik e llogjik krijon muzikalitetin. Pozia ka mendim të koncentruar, të ngjeshur, meditativ, ka veshjen me figuracion në plan të gjërë. Këto e rrisin shkallën superiore të bukurisë në funksion të mendimit lirik a epik që shpreh. Po të shikojmë tabllonë kohore në trajtimin e poezisë shikojmë, se  disa karakteristika të saj kanë pësuar rënie. Kjo vjen nga mosnjohja e karakterit që ka poezia, nga mungesa e kulturës së të shkruarit dhe pikërisht nga debutantët që fillojnë të shkruajnë  pa njohur mjeshtrinë e kërkesave që ka ky proçes.Largimi nga metrika është justifikuar dhe konsideruar si kërkesë burokratike edhe me arsyen e vështirësisë si proçes në zbatim. Në letërsinë tone shfaqen suksesshëm: Kadare, Agoll, Arapi, F. Haliti, Spahiu, Vyshka. Dikur janë shfaqur edhe mendime për të sheshuar kufirin prozë-poezi, gjë që nuk pati sukses, sepse në fushën e letërsisë këto janë dy gjini që, veçmas, krijojnë artin e të shkruarit. Sot shikojmë anë negative të vargut, që po anon të shprehet në rreshta proze. Vargu i lirë nuk ka metrikën, por ka ritmin e rimën. Karakteristikë, tipar dallues, ka mendimin e thelle, të ngjeshur në meditacion edhe me veshje figurative. Vargjet e bardha nuk kanë rimën, ndërsa elementet e tjera i kanë si formën, rimën e mbrendshme dhe ndërthurjet varg i shkurtër, varg i gjatë. Një dukuri shqetësuese dhe tepër negative është shfaqur tek poezitë njëshkolonë. E them dukuri negative, se vargu (fjalë varg) nuk i jipet forcë konceptuale e të shprehurit fjalës. Fjala duhet përzgjedhur, kur e vendos në varg. Tek të rinjtë kjo duket fare qartë. E, po t’i bashkosh këto vargje-fjalë e t’i shkruash në rresht del prozë e rëndomtë dhe nuk ka asgjë poetike. Përdorimi i tyre në këtë formë e humb konceptin e të quajturit varg. Kjo duhet ndaluar dhe, kryesore, duhet të bëhet rigorozisht nga botuesit. Shkelje ka gjithandej, madje , dhe në volume që botohen. Kjo mënyrë vargëzimi, në mënyrë qesharake e them, është si forma më e lehtë për të ngritur ndërtesën e krijimit. Kjo lehtësi, në qoftëse do ta quajmë si të tillë, e ka zhveshur vargun nga çdo kërkesë e domosdoshme. Vargu humb karakteristikën e vet. Qartësia kuptimore e poezisë arrihet duke përdorur me vend shenjat e pikësimit dhe rregullat drejtshkrimore të gjuhës. Edhe në këtë këndshikim ka minuse të pafalshme. Autorë të kalibrit botëror nuk janë pajtuar me dukuri sempliste që dëmtojnë dhe e zhbëjnë poezinë, prandaj kalojnë kufijtë shtetrorë duke u përkthyer në shumë gjuhë të botës, madje, edhe kufijtë kohor duke arritur deri në kohët tona.