Ja pyetjet e mundshme sikur të bëhej Referendum për Reformën në Drejtësi

Skënder S. Kapiti-Nga Skënder S. KAPITI

Në Shqipëri nuk ka nevojë për Reformë në Drejtësi,

pasi Shqipëria ka Kushtetutë dhe ligje të mira, por janë krimi, tradhëtia dhe sidomos, sidomos moszbatimi i ligjit, keqfunksionimi i shtetit dhe zbatimi i korruptuar i drejtësisë, këto janë problemet që ka politika, dhe shteti e shoqëria të kapura prej saj.

Problemi kryesor pra është papërgjegjshmëria, korrupsioni dhe pandëshkueshmëria e politikës dhe e drejtësisë  që janë të kriminalizuara dhe të korruptuara. Dhe në se do të mbahej një referendum popullor për Reformën në Drejtësi, dy do të ishin pyetjet por që janë dhe problemet kryesore të cilat  kërkojnë zgjidhje që po i paraqesim si pyetje pavarësisht se në pamje të parë edhe dikujt edhe mund t’i duken si të cuditshme: 1- A  duhet të ndëshkohen të gjithë politikanët, pushtetarët, gjyqtarët dhe administratorët e korruptuar dhe të kriminalizuar të të gjithë kohës së tranzicionit, dhe 2- A jeni dakord që në Shqipëri të instalohet qoftë dhe përkohesisht një Gjykatë Speciale ndërkombëtare për t’i bërë gjyqin padrejtësive  të politikës dhe të drejtësisë në Shqipëri?

Pra, përderisa shqetësimi më i madh prej nga burojnë gjithë të këqijat janë politika e kriminalizuar dhe korrupsioni i drejtësisë, dhe përderisa pikërisht këto të dyja e sundojnë qeverisjen dhe shtetin dhe prandaj duhet edhe ndëshkimi i tyre, por, përderisa ato, pra politika e kriminalizuar dhe gjykatat e korruptuara, nuk mund ta dekriminalizojnë veten dhe as ta dënojnë korrupsionin e vet atëhere duhet një Gjykatë dhe drejtësi asnjanëse, jopolitike dhe jo e korruptuar, pra një gjykatë apo një strukturë kontrolli drejtësie nga  ndërkombëtaret që ta japë apo ta monitorojë drejtësinë në Shqipëri duke bërë pastrimin dhe ndëshkimin  e padrejtësisë së drejtësisë aktuale shqiptare.

E bëra këtë shkrim pak si të vecantë dhe të drejpërdrejtë për të treguar atë që edhe dihet tashmë më mirë se kurrë, se problemi më i madh për shqiptarët sot është problemi i drejtësisë, ai i moszbatimit të ligjit apo  i zbatimit të korruptuar dhe të kriminalizuar të tij prej vetëgjyqësisë së  politikës të kriminalizuar dhe i shitblerjes të së drejtës nga gjykatat dhe gjyqtarët shqiptarë të cilët, pra si politika dhe drejtësia e kanë prishur dhe e kanë falimentuar funksionimin e shoqërisë dhe të shtetin.

Është e sigurtë se shoqëria kërkon dhe e dëshiron zbatimin e ligjit, se për këtë arsye edhe krijohet shteti ligjor, që ligji të garantojë jetën, lirinë dhe pronën antarëve të shoqërisë të organizuar në shtet, pra shoqëria kërkon patjetër edhe ndëshkimin e politikës, pushtetarëve dhe të gjyqtareve të korruptuar, por kryesore dhe shumë e vështirë është se kush do ta zbatojë ligjin, prandaj dhe nuk po bëhet reforma në drejtësi pasi zbatimin e ligjit nuk e bën as kjo politika dhe as këta gjyqtarë të sotëm të cilët duhen të parët të dalin para drejtësisë. Dhe pas pastrimit dhe ndëshkimit të Drejtësisë së kriminalizuar, politike dhe të korruptuar bëhet vetvetishëm edhe pastrimi i politikës së kriminalizuar.