Ja pse duhet votuar vizioni dhe misioni i Vjosa Osmanit

 Ja pse duhet votuar  vizioni dhe misioni i Vjosa Osmanit   

Nga Skënder Sadri KAPITI

Nesër, me 6 Tetor 2019 mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë.

Vjosa kryeministre e Kosovës-kjo do të shënonte një ngjarje me përmasa të një revolucioni elektoral demokratik  zhvillimor dhe emancipues për demokracinë, shtetin dhe shoqërinë kosovare, pasi një grua po merr mbi vete një mision tepër të madh e të vështirë në një ambient politik patriarkal; po merr mbi supe misionin e luftës kundër korrupsionit, kleptokracisë, padrejtësisë   dhe kundër krimit të organizuar të cilat kanë kapur, mbërthyer e bllokuar funksionimin e shtetit ligjor, të demokracisë dhe të shoqërisë kosovare, të cilat kanë bllokuar edhe   zhvillimin, progresin dhe integrimin europian të Kosovës. Vjosa Osmani ka si  misionin të  madh  edhe integrimin e Kosovës dhe moslejimin e ndarjes e as të shkatërrimit të saj,  si dhe kthimin e besimit dhe të shpresës te rinia kosovare, se Kosova bëhet.

Votoni Vjosa Osmanin e cila nuk ka vetëm kapacitetin intelektual të pakrahasueshëm me ata  të tjerët që pretendojnë postin e kryeministrit të cilët madje nuk dinë t’i artikulojnë as premtimet false patriotike dhe as gënjeshtrat e mashtrimet të cilat  këta “elitarët” dhe injorantët politik i kanë si profil “akademik”, dhe si praktikë, ata kanë krimin,korrupsionin, tradhëtinë dhe hajninë publike.

Vjosën  e karakterizon jo vetëm shëmbulli më  arrirë i pozitivizmit intelektual erudit, por  edhe guximi i lartë intelektual për t’u përballur e sfiduar të keqen dhe vështirësitë , korrupsionin, krimin dhe antiligjshmërinë.

Është e vështirë që të gjenden këto të dyja: edhe intelektualizmi, edhe guximi intelektual te individi, cilësi këto që së bashku me moralin dhe patriotizmin janë tipare më të vyera te personalitetit njerëzor, e të cilat e karakterizojnë kandidaten për kryeministre  të Kosovës Znj. Vjosa Osmani.

Është meritë e LDK-së, e vlerave politike, demokratike dhe e  emancipimit progresiv  të saj, falë të cilave LDK arriti të zgjedhë si kandidate për kryeministre të Kosovës Znj. Vjosa Osmani. Dhe është shumë e sigurtë se me Vjosën do të fillojë edhe rinovimi i vetë LDK-së, por edhe i tërë politikës kosovare; do të fillojë demokratizimi i partive politike të cilat janë mykur e ndryshkur nga autokracia dhe autokratët e përhershëm, kryetarët e të cilave i konsiderojnë partitë si prona të tyre dhe antarësinë e partive si material njerëzor për interesat e tyre parsonale, klanore e nepotike.

Është më se e sigurtë se me kulturën qytetare, politike, demokratike, patriotike  dhe intelektuale që ka Vjosa, ajo do të ndërtojë një qeverisje transparente dhe në shërbim të qytetarëve dhe kombit.

Me Vjosën qytetarët do të gjejnë një qeverisje të hapur për një shoqëri të hapur, transparencë dhe me qeverisje të integruar te të qeverisurit , dhe jo një qeverisje e shkëputur nga populli dhe larg tij  dhe  larg interesave të tij, por me Vjosën do të gjejnë një qeverisje model e cila për herë të parë do të ofrojë artin e zgjidhjeve të problematikave dhe të politikave shoqërore dhe kombëtare, pasi deri më sot, vetë politika dhe vetë qeverisjet, apo më saktë keqqeverisjet kanë qenë vetë problemi i shqiptarëve.

Sot, pas 20 vitesh lirie të Kosovës , politika në Kosovë dhe populli i Kosovës ka nevojë për vizionin dhe politikën e Rugovës, pasi korrupsioni, krimi, hajnija, mosperspektiva dhe papërgjegjshmëria politike e elitës së sotme politike po e mban Kosovën peng dhe në një gjëndje permanente prapambetjeje demokratike, juridike, ekonomike e moszhvillimi  edhe social, pasi  nga dështimi i politikës dhe të shtetit ligjor e demokratik, nga varfëria e papunësi shqiptarët e Kosovës po e braktisin atdheun edhe sot ashtu si dikur të përndjekur nga regjimet serbo-sllav;po e braktis Kosovën rinia në kërkim të një jetë më të mirë, të lumtur e të mirëqënë; në kerkim të punësimit dhe të sigurisë ekoniomike dhe të mirëarsimimit.

Në këto kushte shqiptarët tashmë të ndërgjegjsuar për gjëndjen aktuale si dhe për faktorët, aktorët dhe shkaktarët e saj si alternativën më të besueshme dhe më të mirë do ta zgjedhin dhe do ta votojnë alternativën e Vjosa Osmanit, e cila me vizionin e saj po ripërtërinë edhe LDK-në e I. Rugovës, vizionin,përkushtimin, perspektivën e nevojën e domosdoshmne që që ka sot Kosova: për ringritje; për zhvillim ekonomik, në arsim, shëndetësi dhe në infrastrukturë; në  drejtësi, në ngritjen dhe funksionimin e shtetit ligjor; në betejën  antikrim, antikorrupsion dhe për integrimin e  brëndshëm demokratik dhe në atë euroatlantik.

Prandaj me Vjosa Osmanin po vjen e po rikthehet LDK-ja e Ibrahim Rugovës.

Asaj  i duhet besuar qeverisja dhe pushteti sepse  te ajo, te përkushtimi dhe guximi i saj  është besimi se behet çmontimi i vjedhjes  e grabitjes së pronave, i resurseve pasurore shtetërore dhe i parasë publike; ajo dhe qeverisja e saj do ta bënte  çmontimin e sistemit të korrupsionit.

Ajo ka treguar prova të nacionalizmit dhe të patriotizmit real në atë se: interesi kombëtar është më i rëndësishëm se sa interesi personal, politik, ideologjiko-partiak e partizan si  në kundërshtimin prej saj te zgjedhjes së Thacit si President; në protestën  dhe në kundërshtimin e vendosur të saj të planit antiKosovë për korigjim kufijsh e ndarje të Kosovës,  ashtu sikurse edhe   më heret në  mbrojtjen e Pavarësisë dhe të shtetësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare.

Me Vjosa Osmanin bëhet reforma e çmontimit të sistemit “spoils system”, të këtij sistemi gangrenë  parazitar, të tejfryrë e burokratik; të këtij sistemi korrupsioni e ryshfeti, nepotizmi dhe  klanizmi  shpërblimesh me poste shteterore dhe me paranë publike për shërbime klanore e partiako-politike; sistem i cili ka shpërfillur, dëbuar dhe injoruar nga sistemi politik, shtetëror, qeverisës dhe administrativ: aftësinë, meritokracinë, patriotizmin, përgjegjshmërinë dhe profesionalizmin.

Elita politike e derimësotme në Kosovë e ka falimnetuar demokracinë dhe prandaj kthimin dhe konsolidimin demokratik e ligjor e bën vetëm një politikë e re, një reformë gjithëdimensionale. Kryerjen e kësaj reforme i duhet besuar Vjosa Osmanit.

Kjo Reformë pa ndihmën e SHBA-ve kryesisht, është shumë e vështirë  për t’u kryer  për faktin se shtetin, shoqërinë kosovare dhe demokracinë e ligjin në Kosovë i ka kapur një “klasë” politike  e formuar prej politikanësh të partive kryesore politike kosovare me lidhje hajnije, vjedhje e korrupsioni.

Kjo klasë politike apo shtresë politikanësh që kanë si emërues të përbashkët   korrupsionin dhe  hadutërinë  e kanë futur Kosovën në një rreth vicioz duke e mbajtur peng shtetin, demokracinë e ligjin. Pasoja të  këtij sistemi janë moszhvillimi ekonomik, papunësia, varfëria dhe eksodi masiv i qytetarëve të Kosovës drejt azilkërkimit juridik dhe ekonomik nëpër Europë . Ky realitet është  i tillë   sepse kësaj kaste politikanësh të  kësaj “elite” politike nuk u intereson interesi i përgjithshëm, as interesi publik e kombëtar, as mirëqënia e përgjithshmne, por  i intereson interesi   i ngushtë personal, familjar dhe klanor. Atyre nuk u bëhet vonë se çfarë pësojnë e vuajnë të tjerët.

Kjo kastë politikanësh është shndërruar në një klikë mafio-oligarkësh e cila nuk ka dhimbshuri humane për të tjerët dhe as nuk i bëhet vonë edhe sikur e gjithë rinia kosovare  ta braktisë Kosovën.

Kjo elitë politike, ky establishment politik i sotëm  dhe këta politikanë,  “patriotizmi” i rrejshëm  i tyre, e duan atdheun për ta zhvatur e plackitur dhe  për ta shfrytëzuar vetëm për veten e tyre, ata duan  paratë dhe pasurimin e vet.

Kjo klasë politikanësh të kriminalizuar e të korruptuar ka lidhje bashkëveprimi simbiotik me sistemin e drejtësisë, ku drejtësia i shërben dhe i  bën avokatinë kësaj klase politike jollogaridhënëse dhe të pandëshkueshme nga ligji.

Pikërisht ky sistem korrupsioni simbiotik politiko-juridik është armiku më i madh I shtetit e shoqërisë shqiptare;është armiku i Reformës në Drejtësi , i VETTING-ut dhe i dekriminalizimit të politikës.

Prandaj , nesër me 6 Tetor 2019, ditën e votimit, duhet ndëshkuar me votë   ky sistem korrupsioni dhe kjo elitë politike që është bartësja e tij.

Ky është edhe vizioni, edhe  misioni i V. Osmanit: dhënia fund dhe  ndarja përfundimtare me këtë sistem. 

Durrës, 05 Tetor 2019