Istog: Promovohet libri ”Pena e Artë“, kushtuar presidentit Dr. Ibrahim Rugova

Istog: Promovohet libri ”Pena e Artë“, kushtuar presidentit Dr. Ibrahim Rugova

Adem Lushaj

Në sallën e Kuvendit komunal në Istog, është bërë promovimi i librit “Pena e Artë”, me poezi dhe prozë, kushtuar presidentit, Dr. Ibrahim Rugova, në 74 vjetorin e lindjes së tij. Libri në fjalë, përmban 58 poezi dhe 28 ese, krijime nga nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të komunës së Istogut. Pjesë e promovimit ishte edhe kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova. Fillimisht, kryetari Rugova, ka përgëzuar talentët e rinj për shkrimet kushtuar presidentit Ibrahim Rugova, e njëjtën kohë, ka përgëzuar edhe redaktoren e librit, për punën e palodhshme për 18 vite me radhë, që po bën përurime të librave të tillë.  “Unë, si kryetar komune, dhe komuna e Istogut, do bëjmë financimin e librit për çdo vit me radhë, pasi edhe është bërë tradicional duke rritur kështu cilësinë dhe masivitetin e shkrimeve”, është shprehur kryetari Haki Rugova, sipas të cilit, ky libër është më i veçantë, ngase shkrimet për Dr. Ibrahim Rugovën, vijnë nga gjeneratat e reja.

Ndërsa, redaktorja e librit Qefsere Ibrahimaj, ka thënë se aktivitetet e tilla, janë përpjekje për të hapur rreze diturie dhe për të identifikuar talentet e rinj të vargut dhe poezisë në përgjithësi. Sipas saj, nga shumë punime të krijuesve të rinj, janë përzgjedh vetëm disa nga punimet që iu kushtohen presidentit të përjetësisë, presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova. “Nga shumë punime të arritura, e kisha të vështirë të përzgjedh punimet më të mira për këtë edicion, pasi të gjitha ishin poezi që frymonin lirshëm dhe artistikisht të krijuara për Presidentin, luftën, paqen dhe sakrificën që solli lirinë”, ka nënvizuar Ibrahimi, sipas së cilës, punimet e dërguara, dëshmojnë se Komuna e Istogut, po prodhon talent të fushës artistike.

Për vlerën artistike të librit, për poezitë dhe eset e prezantuara, ka fol recensenti Agim Desku, duke çmuar talentin e nxënësve pa dallim, e aq më shumë kur shkrimet e tyre janë të orientuar kah figura e madhe e presidentit Rugova, arkitektit të pavarësisë së Kosovës. Në fund, nxënësit krijues, para pjesëmarrësve të shumtë, kanë prezantuar punimet e tyre, duke entuziazmuar të pranishmit, me talentin e që shfaqnin ata. Promovimi i librit  është mbajtur nën patronatin e kryetarit të komunës Haki Rugova.