Istog: Klubi letrar “Podguri”, dekoron Akademikun Mark Krasniqi (post mortem)

Istog: Klubi letrar “Podguri”, dekoron  Akademikun Mark Krasniqi (post mortem)

Adem Lushaj

Komuna e Istogut, ishte vendi i takimit të disa nga personalitetet e shkencës, kulturës dhe artit, të ardhur edhe nga Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi. Në këtë komunë, nën organizimin të Klubit letrar “Podguri” me seli në Istog, në përkrahje të Restorant “Freskia”, e ku ishte edhe nënkryetari i komunës, Lulëzim Blakaj, ishte mbajt ceremonia e dekorimit për arritjet në fushën e shkencës, kulturës dhe artit, ku në mesin e të dekoruarve ishte edhe Akademiku i ndjerë, Mark Krasniqi; si dhe shkrimtari nga Maqedonia, Kim Mehmeti. Pos tyre, në listën e të dekoruarve për të arriturat e tyre në fushat përkatëse, ishin: Shefkije Islamaj, drejtoresh e Institutit Albanologjik të Kosovës; Rovena Vata, studiuese e letërsisë nga Shqipëria; Ali Daci, aktivist dhe shkrimtar nga Mali i Zi; Zekë Sinanaj, gazetar; Adem Zaplluzha, shkrimtar, Shefqet Dinaj, skulptor-poet; Majlinda Kelmendi, pedagoge; Xhevat Sylaj, studiues, Maxhun Osmonaj, shkrimtar; Përparim Blakaj, poet; Zeqir Mehmetaj, gazetar, etj.

Fillimisht, Nuradin Imeraj, sekretar organizativ i “Podguri”, ka arsyetuar listën me emrat e të nominuarve, që sipas tij, janë në mesin e shimë personaliteteve të kombit, për të arriturat në fushat e tyre profesionale. Imeraj, pasi ka njoftuar të pranishmit për punën e Klubit letrar “Podguri”, ka thënë se “është kënaqësi e veçantë të kemi në mesin tonë, figura të shquara të shkencës, kulturës dhe artit, të ardhur edhe nga trojet shqiptare, jashtë Kosovës”. Në fjalën e tij, Lulëzim Blakaj, nënkryetar i Istogut, është shprehur se kryetari Haki Rugova, është treguar i gatshëm çdoherë, për të ndihmuar aktivitetet e ndryshme kulturore-artistike, sikurse që aktivitetet që organizohen nga Klubi letrar “Podguri”.

Ndërkaq, për shkrimtarin tashmë të njohur nga Maqedonia, Kim Mehmeti, nuk ishte pengesë rrugëtimi i largët për të marrë pjesë në një ceremoni të tillë, ngase ndjehet i nderuar për vlerësimin e bërë nga organizatori, këtë rast nga Klubi letrar “Podguri”. “Organizimet e tilla më pëlqejnë, ngase është kthimi i vlerave të shqiptarizmit, është prezantimi i kulturës tonë, që na bën të ndjehemi mirë si popull evropian. Këto tradita të kulturës tonë, duhet ti mbajmë, ngase shpesh na jep me kuptua se këto tradita kemi filluar ti harrojmë”, është deklaruar shkrimtari Kim Mehmeti, sipas të cilit, “assesi nuk duhet të turpërohemi për kulturën tonë, por të ndjehemi krenar dhe ta kultivojmë çdoherë”. Njëjtë si shkrimtari Mehmeti, është deklaruar edhe studiuesja e letërsisë nga Shqipëria, Rovena Vata, duke qenë e emocionuar për pjesëmarrjen e saj në këtë ceremoni dhe nominimin e bërë. “Ndjehem e emocionuar me prezencën time, përkrah profesoreshës së nderuar Shefkije Islamaj, shkrimtarit Mehmeti dhe të tjerëve, por do duhej të kemi sa më shumë promovime të tilla mbarëkombëtare”, është shprehur doktoresha e letërsisë, Rovena Vata, për të cilën këto organizime shtojnë vetëbesimin te gjeneratat e reja, për arritje në fushat përkatëse. “Instituti Albanologjik i Kosovës, do mundohet që çdoherë të përkrah dhe të merr pjesë në organizimet e “Podguri”, ngase për një periudhë të shkurtër kohore, ka treguar rezultate të dukshme, sikurse që ishte Simpoziumi shkencor për gjuhën e standardizuar shqipe, pastaj organizimin tradicional për çmimin “dr. Ibrahim Rugova”, dhe organizime tjera të karakterit kulturor dhe shkencor”, ka thënë Shefkije Islamaj, drejtoresh e Institutit Albanologjik të Republikës së Kosovës.