Ismet Ibishi: Beteja e Loxhës ishte e komanduar nga koloneli Tahir Zemaj

Ismet Ibishi: Beteja e Loxhës ishte e komanduar nga koloneli Tahir Zemaj

Adem Lushaj

Edhe pse në numër të vogël dhe me masa mbrojtëse, për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia e shkaktuar nga COVID-19, familjarë, bashkëluftëtarë dhe bashkëfshatarë, kanë përkujtuar Betejës e lavdishme të Loxhës, të rënët e saj, Rrustem Bruçi, Enver Alaj dhe Lumni Surdulli. Për të nderuar bashkëluftëtarët kishin ardhur edhe Ismet Ibishi, Musa Gjakova, Mustaf Loxha dhe bashkëluftëtarë të tjerë, të cilët thonë se të rënët për lirinë e Kosovës, kurrë nuk harrohen, por çdoherë përkujtohen në çfarëdo rrethane qoftë. Duke nderuar të rënët për lirinë e Kosovës, oficeri i karrierës, Ismet Ibishi, ish zëvendësi i Kolonel Zemajt, ka thënë se “Beteja e Loxhës e komanduar nga strategu i luftës, nga njeriu i mençurisë dhe profesionalizmit, kolonel Tahir Zemaj, së bashku me Betejën e Koshares, është beteja më e lavdishme e luftës së UÇK-së, duke qenë treguesi më i mirë i forcës institucionale dhe profesionalizmit ushtarak. Lufta e zhvilluar në fshatin Loxhë të Pejës, kishte një ideal, kishte një qëllim, e që ishte lufta për Liri, Pavarësi dhe Demokraci, sikurse që ishin edhe gjitha betejat tjera të zhvilluara në Kosovë, ku ranë në altarin e lirisë, shumë bija dhe bijë të këtij kombi”. Sipas tij, Beteja e Loxhës do mbetët në historinë më të re të kombit, të vulosur me gjakun e Rrustem Bruçit, Lumni Surdullit dhe Enver Alajt.  “22 vite më parë është shënuar Beteja më e lavdishme e luftës çlirimtare, një betejë e udhëhequr në mënyrë institucionale nga njerëzit e profesionit, siç ishin: Nazif Ramabaja, Fadil Hadërxhonaj, Faruk Xhemajli, Esat Ademaj dhe shumë trimave të tjerë, nën dirigjimin e kolonelit të lavdishëm, Tahir Zemaj”, ka thënë eprori i FARK-ut, Ismet Ibishi, duke treguar se  përgatitjet për luftë dhe formimi i brigadave institucionale, 131, 133 dhe 134, datojnë që nga 1991, nga disa oficer të karrierës, e që më vonë iu bashkuan me qindra oficerë tjerë me të vetmin qëllim, të marrim fatin në duart tona. “Pas përgatitjeve në Shqipëri, mendonim që të hymë në Kosovë me armatimin e premtuar dhe të ndërrojmë doktrinën e luftës, nga ajo guerile në luftë frontale, ballë për ballë”, është shprehur Ibishi, duke thënë se,  “Beteja e Loxhës, do mbetët historike dhe e lavdishme, sepse ishte luftë institucionale dhe profesionale, ndërsa gjaku i Rrustemit, Enverit dhe Lumniut, bazament i shtetësisë së Kosovës”.