Intervistë me mësuesen dhe humanisten Etleva Mançe

Intervistë ekskluzive në prag të Samitit të Diasporës me veprimtaren, mësuesen, humanisten, intelektualen dhe Kryetaren e Këshillit të Arsimtarëve Shqipëtar „Naim Frashëri“ në Gjermani ,
zonjën Etleva  Mançe
 –
Intervistoi : Ramiz DERMAKU
 –
R.D: Biografia juaj shkurtimisht?
 –
Kam lindur dhe jam rritur në Tiranë në një familje me tradita shqiptare. Prindërit e mi janë shpërngulur fëmije, direkt pas luftës nga qyteti i tyre i vendlindjes, Tepelena. Im atë tregonte shpesh kujtime për vendlindjen e tij, dhe unë me krenari e quaja qytetin e prejardhjes sime, megjithëse kam qënë vetëm një herë në Tepelenë, si vizitore(turiste). Tregimet e tim eti, dhe të gjyshes më kanë mbetur në kujtesë, dhe tani më shumë se kurrë, kërkoj rrënjët se ku i kam, duke ja u përcjellë edhe dy djemëve të mi që kanë lindur në Gjermani, prejardhjen e tyre nga  trojet e jugut. Mbasi mbrarova shkollën 8-vjeçare dhe gjimnazin tek „Petri Nini Luarasi“ vazhdova studimet për mësuesi në Universitetin e Shkodrës.
Vitet `90 më gjejnë në Tiranën e ç`përqëndruar, ç`orientuar,  dhe si të gjithë të rinjtë në atë kohë u largova në drejtim të së panjohurës, duke lënë një herë e përgjithmonë kujtimet, familjen, qytetin tim të vendlindjes Tiranën. Në Köln filloi çdo gjë nga e para, mësimi i gjuhës, krijimi i familjes, rritja edukimi dhe shkollimi e fëmijve por edhe për veten duhet të ecja perparra, shkollë, pune, kualifikime…. Në Bergheim fillova të jap mësim në 2010, më pas në Wesseling dhe Euskirchen. Në dhjetor 2010 u bëra anëtare e KASH-it dhe për dy mandate resht sekretare, kurse për momentin jam në detyrën e kryetares.
Kam marrë pjesë me prezantime në aktivitete, konferenca dhe kurse kualifikimi mbi metodikën dhe pedagogjinë e mësimdhënies së mësimit plotësues në gjuhën amtare. Jam  autore e disa artikujve të aktiviteteve të ndryshme të Shkollës shqipe në Gjermani si dhe kam bashkëpunuar me Prof. dr. dr.  Basil Schader-in mbi planifikimin konkret të një ore mësimi.
Prej tri vjetësh me ftesë të Ministrisë së Arsimit të Landit të NRW-es jam pjesë e grupit të punës në Soest  në përpilimin e tezave/teksteve me shkrim dhe me gojë në shqip dhe gjermanisht për provimet e mësimit plotësues të gjuhës amtare.  Gjithashtu jam përpiluesja e tezave në shqip dhe gjermanisht për provimet me shkrim dhe me gojë të maturës (së përgjithshme dhe profesionale)  për landin e NRW-së, që zëvendëson gjuhën e huaj me gjuhën e nënës. 
Maksimë pune: „Pavarësisht çfarë është bërë deri tani, falë angazhimit dhe përkushtimit të pa kursyer të të gjithë mësuesve të gjuhës shqipe, mendoj se ka potencial për të bërë edhe më shumë.“ (E.M.)
  1. R. D.: Kur dhe ku u hap Shkolla e parë Shqipe në Gjermani?
Gjurmët e parat të shkollës shqipe i gjejmë në Landin e Vestfalisë-Veriore (NRW), në qytetin Euskirshenit, afër Këlnit, në shkollën fillore (Grundschule) Paul-Gerhard-Schule, ku unë jap mësim aty dy herë në javë. Mësimi shqip filloi me 21 prill të vitit 1975. Pas pak kohe u hapën shkollat edhe në qytetet Kuchenheim, Kall, Stozheim dhe Stollberg, qytete këto të vogla në afërsi të qytetit universitar të Aachenit.
  1. R.D.: Si është i organizuar Mësimi Plotësues i Gjuhës Shqipe në Gjermani ? A zhvillohet Mësimi Plotësues i Gjuhës Shqipe në të gjitha landet e Gjermanisë?
Mësimi i gjuhës amtare doli si nevojë pas viteve `60-të me ardhjen e emigrantëve të parë nga ish Jugosllavia në Gjermani. Shkollat e para ishin ato te punetoreve, te cilit kishin ndreprere shkollimin ne Kosove dhe per punesimin e tyre duhej nje kualifikim. Me pas u mendua që fëmijët e tyre duhet të mësonin gjuhën shqipe, ta lexonin dhe ta shkruanin atë, mbasi kjo do t`ju duhej kur të ktheheshin përsëri në vendlindjen e tyre. Por sot jemi shumë larg kësaj, pasi këta fëmijë tashmë jetojnë në brezin e dytë e të tretë këtu, dhe shumë larg asaj që ata mund të kthehen një ditë andej nga kanë ardhur prindërit apo gjyshërit e tyre. Në mësimin e gjuhës së prejardhjes siç quhet sot, nxënësit mësojnë gjuhën, kulturën dhe traditat nga ata rrjedhin.
Është vërtetuar edhe shkencërisht, fëmijët që rriten në dy gjuhë, kanë probabilitetin për të qenë më të suksesshëm dhe të aftë për të mësuar edhe gjuhë të tjera të huaja. Kush e flet bukur dhe ka një fjalor të pasur në gjuhën e nënës mëson shpejt dhe ka rezultate të mira edhe në gjuhën gjermane.
Nxënësve iu jepet mundësia të mësojnë gjuhën e nënës nga klasa e 1-10. Në fund të klasës së 10 (9,G8) ata që kanë ndjekur rregullisht mësimin e japin dhe provim. Nota është ekuivalente për një notë jo kaluese të gjuhës së huaj (anglisht/frengjisht etj). Është menduar edhe për fëmijët e emigrantëve të ardhur me vonesë në Gjermani, për nxënësit që kanë bërë shkollën fillore në vendlindje. Si fillim që këta të koncetrohen në mësimin e gjuhës gjermane, ju jepet mundësia, në vend të një gjuhe të huaje të japin provim gjuhën e nënës. Kjo notë zëvendëson notën e gjuhës së huaj dhe ju jep mundësinë e kualifikimit në sistemin shkollor gjerman, përfshirë këtu maturantët dhe maturantët e specializuar apo me kualifikim. Ky provim është i pavarur nga mësimi i rregullt i gjuhës së nënës. Tezat e provimit përgatiten në rang landi nga një grup pune, mbi bazën e plan-programeve dhe kurrikulave të mësimit plotësues të gjuhës së nënës.
Mësimi i gjuhës shqipe zhvillohet pothuajse në të gjitha landet e Gjermanisë. Por vetëm në tri lande është nën përkujdesin e Entit Shkollorë gjerman: në Vestfaline-Veriore(NRW), në Rheinland Pfalz dhe në Niedersachsen. Përqëndrimi më i madh i nxënësve dhe i shkollave shqipe është pikërisht në këto tri lande. Shtrirjen e shkollave shqipe e tregon qartë dhe mbajtja e konkurseve në vite, “Kampionati i Diturisë” ato janë mbajtur pothuajse në të gjithë Gjermaninë. Por në pjesën më të madhe ky mësim bëhet mbi bazën vullnetare, me ndihmën dhe mbështetjen e konsullatave si dhe të institucioneve të shtetit të Kosovës, nga MASHT dhe Ministria e Diasporës.
  1. R.D.: Sa janë të interesuar emigrantët, që fëmijët e tyre të ndjekin mësimin plotësues? A kanë interes fëmijët, që rriten këtu për mësimin e gjuhës shqipe?
Interesi dhe dëshira e prindërve që fëmijët e tyre të flasin gjuhën amtare dhe të ndjekin Mësimin Plotësues të Gjuhës Shqipe është i madh. Por vetëm kjo nuk mjafton. Qëllimi ynë është që nxënësit tanë të lexojnë dhe shkruajnë një gjuhë të standarteve dhe nivele të larta, që jo vetëm ta kuptojnë por edhe ta flasin bukur dhe rrjedhshëm gjuhën e nënës. Dhe kjo kërkon durim dhe këmbëngulje nga të gjtha palët, si nga prindërit edhe nxënësit.
Unë jam vetë nënë, tani femijët e mi i marrin vetë vendimet për jetën e tyre. Por mendoj se prindërit janë ata që duhet t`u tregojnë drejtimin fëmijëve. Kjo fillon që në moshë të vogël, duke i orintuar ata se si të kalojnë kohën e lirë: para TV, lojëra elektronike apo të jenë aktivë. Është ajo “lufta” e përditshme që bën familja, shoqëria dhe rrethi ku ne jetojmë me përmbushjen e kohës së lirë të nxënësve. Nga ana tjetër detyra jonë si mësues është që ta bëjmë sa më interesante dhe kualitetative orën e mësimit, vetëm kështu rritet interesi i nxënësve për mësimin e gjuhës amtare. Kënaqësia më e madhe për mua është kur shikoj fëmijë që i sjellin prindërit, ndonjëherë edhe pa dëshirën e tyre, por në fund të mësimit kur ikin thonë duke buzëqeshur – „Më pëlqeu, unë do të vij përsëri në shkollën shqipe!“, dhe unë jam e sigurt që ata nuk do ndjehen më inferior kur të shkojnë për pushime në vendlindje.
Këtu dua të shtoj edhe më të rëndësishmen, që dialekti nuk luan asnjë rol, madje dialektet e gjuhës shqipe janë aq të ndryshme dhe të larmishme, sa unë e kam theksuar dhe ja u them edhe prindërve që t`a flasin bukur, t`a ruajnë dhe mos e tradhetojnë dialektin GEGË. Personalisht duke qënë në kontakt me prinderit dhe nxënësit me prejardhje nga Kosova, apo Maqedonia kam pasuruar fjalorin tim, dhe tani kur lexoj Gjergj Fishtën e kuptoj shumë mirë, dikur nuk e kuptoja. Nëqoftëse do te flasim me shifra, këtu numri duhet të ishte edhe më i mirë. Në landin e NRW që kemi dhe përqëndrimin më të madh të emigrantëve është rreth 10% e fëmijëve shqipëfolës, ndërsa në qytetet ku mbahet ky mësim rreth 30%. Nuk kemi shifra të sakta për të gjithë Gjermaninë, por mendohet tek 2%, dhe nëqoftëse do të bënim një tabelë sipas vendeve të origjinës, nga Shqipëria, e them me keqeardhje,  numri është shumë shumë i vogël, nuk bëhet fjalë për shifra.
  1. R.D.: Kush e financon Mësimi Plotësues të Gjuhës Shqipe në Gjermani?
Në tri  lande, që i permenda edhe me siper, ku më i madhi është landi i NRW (Rinie Verior – Vestfalia) financohet dhe organizohet nga institucionet gjermane. Ndërsa në ato lande ku nuk financohet nga institucionet gjermane ka një përpjekje për ndihmë dhe mbështetje nga institucionet e shteteve përkatëse dhe konsullatat, kjo sipas marrveshjeve ndërshtetërore.
  1. R.D: A keni kontakte me përfaqësuesit e Entit Shkollorë Gjermanë?
Në si mësimdhënës në landet që ky mësim është i integruar në shkollat gjermane, jemi në kontakt të përhershëm, është detyrim. Të gjithë mësimdhënësit janë të integruar dhe në kontakt sistematik me Entin Shkollorë Gjermanë. Por edhe si shoqatë, në aktivitetet tona janë të pranishëm përfaqësues nga drejtoritë shkollore përkatëse, në varësi të vendit dhe aktivitetit.
  1. R.D.: Po me institucione tona, keni kontakte të rregullta?
    Janë institucionet tona MASHT-i, MAS dhe MD shumë pak të interesuara për zyrtarizimin e Shkollës Shqipe në Gjermani? Çfarë po bëjnë ato sot? Kur do ti fillojnë institucionet tona bisedimet për zyrtarizimini e Mësimi Plotësues të Gjuhës Shqipe në tërë Gjermanin? Cila do të ishte porosia e juaj për MASHT-së MAS dhe Ministrin të Diasporës.
Jemi në prag të Samitit të parë të Diasporës Shqiptare. Nga 18 deri ne 20 Nëntor në Tiranë do të mbahet për herë të pare një aktivitet i tillë. Për herë të parë shtetet tona që kanë gati gjysmën e popullsisë në diasporë, po tregojnë vëmendje, kundrejt kësaj popullate që tashmë është kthyer në një potencial. Por siç i thotë një fjalë e urtë popullore “Më mirë vonë, se kurrë”. Shqiptarët që sot jetojnë nëpër botë, nuk janë ata para 20 apo 30 vjetëve, por më shumë tanimë po rritet një brez i ri, për të cilin jo vetëm Gjermania, Amerika, Zvicra etj. do të kenë nevojë por ata do të jenë perfaqësuesit, ambasadorët e urave lidhëse midis vendeve. Të presim se çdo të na sjelle ky samit dhe kush do jene rezultatet, që do sigurisht kohë të mjaftueshme. 
  • Ana tjetër është që ti futemi problemit në thelb, pikërisht atje ku na „dhëmb më shumë“ që të jem realiste shteti i Kosoves duke përfshirë institucionet, por edhe individet kushdo qofshin ata, politikanë apo specialista janë më të vëmëndshëm dhe punojnë sistematikisht, kanë lidhje dhe kontakte të rregullta me përfaqësuesit e komunitetit në Gjermani, madje ata mundohen të krijojnë lidhje direkte edhe me komunitetin, atë njeriun me të thjeshtë, dhe këtu nuk do lë pa përmendur thënie e Ministrit të Diasporës Z. Valon Murati në një takin me prindërit dhe nxënësit e shkollës shqipe kur tha: „Unë jam i gatshëm të shkoj në çdo, qytet, fshat apo lagjen më të largët dhe të humbur për të sensibilizuar komunitetin shiptarë, që të frekuentojnë shkollën shqipe“.  Ndërsa për institucionet e Shqipërisë ka filluar të ketë një lloj lëvizje pozitive, por janë shumë larg interesit, komunikimit dhe kontaktit me komunitetin e tyre, do t´ju thoja: „Merrni shëmbull nga koleget e tuaj të Kosoves“, në shtetet e tjera me sa kam parë, ka një përqasje më të madhe, se sa në Gjermani. Mbase janë distancat, ose mungesa e informacionit, se di, nuk kam justifikim!!!!!!!!!!!!
  • Dhe për pyetje e fundit të këtij paneli do të shtoja, se në ato Lande ku nuk mbështetet mësimi i gjuhës së nënës nga shteti Gjerman është për të gjitha kombësit, është me legjislacion, në kompetencat e landeve, kështu që nuk mund të ketë bisedime , vetëm për ne ose me ne, si nacionalitet, shtet apo institucion. Në këto lande, kombet e tjera i kanë marrë vet përsipër, dhe këtu bëhet fjalë për shtete të mëdha, të fuqishme si në numër të komunitetit këtu në Gjermani por edhe potenciale shtetërore. Nuk duhet të harrojmë shtetet tona, po përpëliten në mbi ekzistencën e tyre, një sapo ka dalë nga faza e tranzicionit, mbas një diktature të ashpër, tjetri është shteti më i ri në Botë, dhe shteti i Maqedonisë, ku shqiptarët ende kërojnë të drejtat në trojet e tyre. Të jemi realist dhe të mos presim që të bëhen çudira. Unë mendoj se Shteti i Kososvës mundohet me sa ka mundësi dhe gjërat sa vinë e përmirësohen, e tërë paketa është një proçes në zhvillim dhe konsolidim.
  1. R. D: Me çfarë programesh mësimore mësohet konkretisht gjuha shqipe në Gjermani ? Kemi tekste unike, për trojet etnike shqiptare dhe diasporë?  A ka metoda (dhe cilat  janë ato) për mësimin e gjuhës (shqipe) nga Ministria e Arsimit të landit përkatës?
Progarmet mësimore janë të përcaktuara sipas referencë-kompetencave të mësimit të gjuhës amtare standardeve evropiane. Mbi këtë koncept janë hartuar edhe kurrikulat e gjuhës shqipe, që janë të zbatuara në programet dhe tekstet mësimore. Mungesa e teksteve tashmë është një shqetësim i harruar për mësimdhënësit e gjuhës shqipe, kemi një larmi duke filluar nga Abetarja, fletore pune me autorë S.Thaçin, R. Hamitin S.Gashin. Sot ne kemi tekste të disa niveleve, për Mësimin Plotësuses të Gjuhës Shqipe, ku autorë janë edhe mësimdhënës të gjuhës shqipe në diasporë, me koordinatorët z. Nuhi Gashi në MASHT në Kosovë dhe Prof. Dr. Basil Schader në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Cyrih. Këto tekste janë të një kualiteti bashkohorë, hartuar sipas plan-programeve të mësimit të gjuhës amtare të standarteve evropiane. Janë nga tekstet më të mira deri tani, dhe si ai fëmija i vogël që është akoma në rritje dhe zhvillim, edhe këto tekste janë në rrugën e përsosmërisë. Së shpejti del edhe libri i metodikës për mësuesit, kjo do ta lehtësojë edhe më shumë punën e mësimdhënësve.
Ne punojmë me programe mësimore nga landi i NRW. Në Gjermani, por edhe në një pjesë të madhe të vendeve të BE-së ka plan-programe të njëhsuara për gjuhën amtare. Landi i NRW ka një kurrikul për mësimin e gjuhës amtare, por edhe institucionet e shtereve tona kete vere ne prag te Samitit te Diaspores  kane nje kurrikul te perbashket mbarkombetare. Këtu ne NRW kurrikulat  janë të ndara në tri nivele, të ciklit të ulët, pasohet me kl. 5-6, dhe përfundon me nivelin e klasës 7-10. Përveç kësaj ne i nënshtrohemi edhe kualifikimeve metodike, didaktike dhe pedagogjike nga landi i NRW për licensimin e mësimdhënies.
  1. R. D : Cili është qëllimi i KASH-it (Këshilli i Arsimtarëve Shqiptarë „Naim Frashëri“ në Gjermani) dhe çfarë funksioni ka luajtur dhe luan konkretisht ky këshillë?
KASH-i është një organ profesional me qëllim edukativ dhe arsimor në të cilin mund të marrin pjesë të gjithë arsimtarët e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe. Qëllimi i shoqatës është të bashkojë të gjithë arsimtarët shqiptarë nga ana profesionale dhe të bashkërendojë punën e tij edukative dhe arsimore me programin mësimor të institucioneve në Kosovë, Shqipëri dhe institucioneve Gjermane. KASH-i në këto 26 vjet ka mbajtur lidhje të vazhdueshme profesionale me instutucionet shtetërore me qëllim që t’ia përshtasë punën e tij edukative dhe arsimore parimeve moderne shkencore. Ai ka organizuar gara të ndryshme të karakterit mësimor, sportiv, kulturor dhe shkencor si dhe ekskursione me karakter pedagogjik dhe informues. Puna 26 vjeçare e KASH-it është mbështetur te mësimi i gjuhës amtare i ruajtjes së identitetit duke i dhënë përparësi integrimit sa më të natyrshëm në jetën dhe shoqerinë gjermane. Është një institucion i vullnetit të mirë, i ndërgjegjes kulturore të një komuniteti, të një shtrese intelektuale, që në këtë rast, identifikohet me një shkollë, para së gjithash, përmes mësimit ndërtohet e zhvillohet struktura e brëndshme kulturore-identitare e nxënësit.
  1. R.D.: Na flisni diçka për aktivitetet kulturore, të shkollës Shqipe në Gjermani?
Ka qenë dhe do të mbetet një përvojë shumë e mirë e që po ju pasohet brezave dhe kolegëve të rinj fakti që të mësuarit dhe të nxënit nuk është vetëm një proces brenda katër mureve të klasës, por ai bëhet më interesant dhe i prekshëm kur realizohet edhe jashtë mureve të klasës dhe shkollës. Për këtë qëllim, që nga krijimi i tij, KASH-i organizon dy aktivitete kryesore të përvitshme e të cilat janë:
1) kampionati i diturisë dhe
Mësimi i historisë, gjeografisë, gramatikës, letërsisë
etj. e bën të mësuarit edhe më interesant kur kjo pasqyrohet edhe jashtë klasës. P.sh. recitimi bukur i një poezie nga një nxënës në një program shkollor të jep emocione të veçanta. Pikërisht këto emocione ndikojnë në krijimin e bindjeve humane, sociale, shoqërore dhe atdhetare. Këto konkurse janë mbajtur rregullisht çdo vit, me përjashtim të vitit 1999, kur për shkak të situatës së jashtëzakonshme në Kosovë (lufta) garat nuk u mbajtën.
2) garat sportive
Nuk ka dhe nuk do të ketë aktivitet më atraktiv ku nxënësit do të vinin me një dëshirë të paparë, ku pjesëmarrja është maksimale, ku nxënës, prindër dhe mësues bëhen bashkë,  një trup i vetëm, ku luhet me mish e me shpirt, ku dëshira për të fituar është e fuqishme, ku emocionet pësojnë  ngritje dhe ulje, ku neve si mësuese në fund fare na duken të gjithë fitues. Aty ku nxënësit dhe prindërit, edhe kur nuk kanë fituar asnjë çmim, të nesërmen thonë që vitin tjetër do vijmë dhe do fitojmë. Aty ku jo rrallë herë janë shfaqur dhe shkëndijat e para të dashurisë rinore, ku jo rrallë herë këto njohje në këto aktivitete janë shtuar dhe janë forcuar me shumë midis nxënësve dhe prindërve. Garat sportive janë si një virus.  “Po erdhe një herë, do kërkosh të vish gjithmonë” – thotë mësuesi Sami Thaçi.
Krahas këtyre ka edhe aktivitete të shumta që tashmë Shkolla Shqipe është bërë mbartëse e tyre si: Festa e Flamurit, Pavarësia e Kosovës, 7-8 Marsi, eksursione me tematikë të ndryshme si nga nxënësit tanë në Kosovë ashtu edhe vizitat nxënësve nga Kosova në Gjermani.