I rrejshmi dhe vajza e Mavrovës

Reis Mirdita

Metamorfoza nën pushtetin e qenieve të errëta -XXIX-

Vajzë shumë e bukur, shtathedhur e shikim adhurues nga sytë e së cilës buronte një kthjelltësi shpirtërore. Dobësia e saj, nëse mund të thuhet ashtu, ishte zemra e saj e butë dhe shpirti që besonte pa hezitim. Për të, të gjithë njerëzit ishin të mirë… Dalila quhej kjo vajzë e ardhur nga një fshat i varfër i Mavrovës. Babën invalid të rëndë nga një fatkeqësi e para do vitesh kur saja e ngarkuar me dru e pat nxënë përfund. Nga atëherë, ai mezi i tërhiqte këmbët; i ishte lënduar kurrizi. Nëna rruajti veshjen e vendit të prejardhjes dhe nuk dilte lehtas nga shtëpia me një “kafshore” oborr. Vet Dalila, u punësua si pastruese në një institucion shtetëror komunist por e vërteta ishte se ajo ngarkohej gjatë gjithë kohës të pjekë kafe shefave…

Interesi im ndaj saj filloi në kohën kur isha në klasë të VIII-të. Kalonte para shtëpisë sime për në punë, e për tu kthye, për në pazar e për nevoja të tjera. Ajo e vetme mbante familjen. Sa herë më takonte aty në mëhallë, me fliste me butësi, duke krijuar kështu një lidhje miqësore me mua. Kur shumica e quanin rrospi, unë ndjeja një respekt të pashoq ndaj saj por krahas, edhe një dhimbjeje të pashpjegueshme. Nganjëherë më vinte inat pse e merrnin për femër të pa cipë. Ajo sikur e ndjente këtë… Një ditë m’i përkëdheli flokët dhe u përlot por pa më treguar arsyen…!

Nuk e pashë për dy javë rresht; gjer në ditën kur qëndroja mbi urën e lashtë nga ku disa më guximtarë kërcenim në ujin e lumit që ishte freskimi i vetëm gjatë vapës verore.

Dalila më thirri dhe thjeshtë, më muar me vete. Në shtëpi me tregoi se donte një djalë por ai vetëm pas disa javësh e kishte lënë, ashtu pa asnjë sqarim.

-Më thanë se një grua xhadesë përpjetë, ndihmon në këso rastesh. Shkova por ajo më këshillo mullain e rrugës skajore. Gjithë natën kam parë ujqër me veshë si të lepurit të rrotullohen skaj shtëpisë dhe me kërcënoheshin! Ujqër që flitnin si njerëz! Jam shumë keq. Diçka frikësohem nga mullai por nuk di pse! Eja me mua të lutem!

Mullai i hapi horoskopët e vet që i quante libra hyjnorë, sikur lexoi diçka, na shikoi të dyve me sytë si të hienës dhe iu drejtua Dalilës:

Duhet të vish shtatë ditë rresht! Për çdo herë të marrish sheqerka t’i fry e në fund të javës, do t’ia japish vet ose pas dikujt, djalit që të ka përbuzur! Mjafton që të hajë vetëm një nga sheqerkat dhe pa pritur, do të lutet të pajtohet me ty.

Mullai i rrejshëm ia futi sihirin në gjak duke shkaktuar një vartësi të pathyeshme tek e reja e cila që nga mbrëmja, u ngujua në dhomën e njeriut xhinde ku jetoi shtatë ditë e netë, e matamorfozuar në shpirt dhe nuk i shkonte në mëndje të largohet nga aty.

E teta natë e gjeti në shtëpi të vet! E rraskapitur nga maltretimi psikik dhe fizik. Sidoqoftë, ajo në mëngjes u nis për në punë. Arsyetohej se kishte qenë shumë e sëmurë. Historia e përfitimit të pushtetarëve komunistë rifilloi që nga mëngjesi. Sikur e kishte të shkruajtur të vuaj dhe të shërbej për qejfe meshkujve të pa cipë. Më së keqi ishte vuajtja e saj e brendshme por, duronte dhe shërbente.

Më fliste për djajtë që i kishin zënë vend në trup dhe më thoshte që mos të largohem nga ajo. Aty rrugës më tregonte hallet e veta për dy vjet rresht…

Shpëtimi

Isha afruar të shtatëmbëdhjetave. Gjeta një thikë pullalie që zakonisht e mbanin gjuetarët kur dilnin në gjah dhe i hyra në dhomë njeriut-xhinde, mullait të rrejshëm.

-Mua s’më bë gjë thika jote!

E kapa për mjekre duke ia venduar thikën në fyt.

Ty jo si xhinde por trupin tënd do ta hedh në hale. Do të jetosh vetëm si xhinde i lindur qen apo fëlliqësirë!

Filloi të dridhet dhe t’i thërres xhindet e padukshme në ndihmë. Në dhomë ajri rrotullohej si ndonjë fillim uragani…

Pas dhjetë minutash, Dalila hyri në dhomë.

-Lëre, më tha, unë jam Dalila e parë dhe më puthi mbi flokët gjysmë-kaçurrela!

Dola me te. Më mbante për dore. Edhe rrugës. Para dyerve të shtëpisë sime u ndamë.

-Ty të kam vëlla, më tha dhe iku disi e lehtësuar.

Nga ajo ditë ajo nuk shërbeu më si “pastruese”. Gjeti punë tjetër dhe kaloi jetën beqare e përhershme.

(Vazhdon)