Hyri për « birë të oxhakut », mbet në krye t’konakut!

Shkruan: Florim Zeqa                     17.04.2020

Hyri për « birë të oxhakut », mbet në krye t’konakut!

Isa Mustafa e ka zhveshur tërësisht LDK-në nga fryma dhe parimet e shëndosha rugoviane.

Prej ardhjes së Isa Mustafës në krye të LDK-së, kjo parti e fillon largimin  gradual nga vlerat e saj sublime, saqë sot nuk është mbetur më as surrogat i LDK-së rugoviane. Nga parti e besës dhe shpresës së shqiptarëve të Kosovës në epokën rugoviane, është kthyer në të kundërtën e saj, pra në thyerëse të besës dhe shkelëse të fjalës së dhënë.

Disa herë dhe në vazhdimësi, Isa Mustafa në mënyrë tinzare ua ka ngulur thikën pas shpine atyre që i kanë besuar duke i tradhtuar pabesisht në momentet më kritike për vendin, duke i penguar reformat dhe ndryshimet politike në vendin tonë.

Thirrja jo serioze dhe plotë hipokrizi ie Isa Mustafës dhe mbështetësve të tij në frymën rugoviane dhe presidentin historik të Kosovës, duke e bërë çdo herë të kundërtën në veprime, ka bërë që LDK-ja ta humb besimin e elektoratit dhe qytetarëve të vendit në përgjithësi.

Paralajmërimi i kreut të këtij subjekti për kthim në shtratin e PAN-it, ka irrituar tejë mase votuesit besnik të LDK-së, të cilët në zgjedhjet e radhës do ta ndëshkojnë keq liderin mashtrues dhe tradhtues të parimeve politike.

Pas prishjes së ‘koalicionit të shpresës’ dhe kthimit në « shtratin » e PAN-it, po vërtetohet se strukturat udhëheqëse të LDK-së janë njerëz të korruptuar, kusarë dhe matrapaz politik, kapës dhe vjedhës të pasurisë shtetërore.

Sikur të ishte ndryshe, në asnjë rrethanë nuk do të ishin kthyer në vendin që e meritojnë. Mjafton t’ua shikosh pasurinë dhe bizneset e drejtuesve të LDK-së, secili prej tyre është me i pasur dhe më milionerë se tjetri. Apo t’ua shikosh punësimet e familjarëve të tyre nëpër institucione shtetërore dhe publike, ambasada dhe konsullata, të gjitha këto të arritura përmes klanit « Pronto ».

Por e njëjta situatë nuk është me elektoratin!

Për dallim nga drejtuesit, elektorati dhe veprimtarët e LDK-së janë më të varfërit dhe më të nëpërkëmburit nga të gjitha elektoratet e partive tjera. Kjo vjen si rezultat i egos së pakufishme për monopolizim të çdo gjëje dhe mos respektim të elektoratit nga strukturat drejtuese të partisë.

Si rezultat i kësaj, elektorati i LDK-së i ka humbur të gjitha shpresat për ndryshime në këtë subjekt politik. Më lehtë e kanë të besojnë në fundin e botës sesa në ndryshimet në subjektin e uzurpuar dhe ngulfatur pamëshirshëm nga mbeturinat komuniste, grupet e interesit dhe vartësit e tyre morbid.

Zhveshja e tërësishme e vlerave rugoviane në LDK

Paradoksalisht, Isa Mustafa edhe pse hyri për « birë të oxhakut » në LDK,  me marrjen primatit partisë (2010), edhe përkundër humbjes së të gjitha zgjedhjeve po ngul këmbë në mbajtjen dhunshëm të drejtimit të partisë.

Rezultati i « reformave » të premtuara nga Isa Mustafa është ky; instalimi i kërcënimit si mjet i dhunës, linçimi si mjet i hakmarrjes politike ndaj themeltarëve, veprimtarëve dhe aktivistëve që mbrojnë parimet e filozofisë politike rugoviane.

LDK-ja rugoviane, nën udhëheqjen diktatoriale të Isa Mustafës nga një parti e  besës dhe shpresës së qytetarëve të Kosovës është shndërruar në Lidhje Diktatoriale të Kosovës dhe vartëse e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ky përkufizim, nuk është i ashpër as ofendues për LDK-në, por është shprehje  reale e katandisjes së vlerave demokratike në LDK!

Pas prishjes së koalicionit qeverisës LVV-LDK dhe gatishmërisë së kreut të kësaj partie për kthim në shtratin e PAN-it, i ka vënë në lajthitje votuesit që më 6 tetor të vitit 2019 votuan për ndryshime politike në vendin tonë.

Siq dihet, votuesit e LDK-së ia dhanë votën partisë dhe Vjosa Osmanit më 6 tetor me premtimin se nuk do të bëjë në asnjë mënyrë koalicion me PAN-in. Disa muaj para zgjedhjeve, edhe vetë kryetari i partisë Isa Mustafa kishte kritikuar partitë e PAN-it për prisjen e urave të bashkëpunimit me BE-në dhe SHBA-të.

Ndërkaq tani, lideri i kësaj partie po i gëlltitë të gjitha ato që i ka thënë paraprakisht për partitë e PAN-it, duke i thënë të njëjtat për Lëvizjen Vetëvendosje.

Kjo sjellje e dyfishtë e liderit të LDK-së, paraqet shkelje të parimeve dhe kontrabandim të pastër të vullnetit të elektoratit, nga njëri krah politik në tjetrin.

Harresa e qëllimshme e premtimeve elektorale

Lidershipi i LDK-së qëllimshëm po harron se mbajtja e premtimeve dhe fjala e dhënë janë parim, janë vlera politike edhe etikë njerëzore. Çdo shkelje e parimeve dhe premtimeve paraqet tradhti të pastër ndaj elektoratit.

Sadoqë lideri i LDK-së, Isa Mustafa po mundohet t’i mbështjellë me hipokrizi të reja politike, se « LDK-ja nuk është vartëse e Hashim Thaçit », përputhja e qëndrimeve të tij me lojrat e presidentit, i vërteton shqetësimet e elektoratit për futjen e sërishme të Isa Mustafës në pazare të pista pushtetore për vazhdimin e mandatit të presidentit Thaçi në këmbim të postit të kryeministrit për LDK-në apo anasjelltas dhe jo vetëm.

LDK-ja e Isa Mustafës mund edhe ta krijojë qeverinë me një pjesë të PAN’it, por nuk do të arrijë ta ruaj besimin e votuesve të saj, të atyre votuesve që deshën t’ia kthejnë imazhin LDK-së.

Vendimi i kreut të LDK-së për koalicion me partitë e PAN-it ka irrituar dhe thyer shpirtërisht veprimtarët më të devotshëm të LDK-së në mërgatën tonë, siq është rasti i Reshat Muratit me qëndrim të përkohshëm në Gjermani; « Shkatruesi i LDK-së, shoku Isë, e rrënoi në themel LDK-në rugoviane, i rrënoj ëndërrat e të rinjëve e të rejave në LDK. Isa si notues i mirë në politikë, i ka shijuar dhe shfrytëzuar të gjitha pushtetet, nga ai; titist, millosheviqian, rrahmanian, bukoshian e deri tek i fundit hashimian për tu pasuruar skajshmërisht. Por më e dhimbshmja është shfrytëzimi i djersës së mërgimtarëve përmes fondit të 3 %-it dhe shkatërrimi i LDK-së rugoviane. Isës i ka mbetur vetëm që ta nxënë ndonjë argat, që kur të vdes me ja bartë arkivolin nga LDK-ja deri në Prapashticë. Nuk është vonë as tani që t’u lëshojë rrugë kuadrove të reja dhe të padjallëzuara. Ndryshe, e ka të garantuar vendin në histori pranë Rrahman Morinës » (përfundon citati).

Zgjedhjet e jashtëzakonshme partiake, shpëtim për LDK-në

Zgjidhja më e mirë për LDK-në, do të ishte dorëheqja e humbësit e të gjitha zgjedhjeve nga posti i drejtimit të partisë, me një kërkimfalje të sinqert ndaj elektoratit të saj,…veprime këto që do t’u hapnin rrugë ndryshimeve pozitive brenda kësaj partie, në të kundërtën katandisja e LDK-së nuk do të ketë të ndalur…!

LDK-së nuk i duhet pushteti me partitë e PAN-it, por duhet t’i kthehet vetvetes, duhet ta gjejë formulen e unifikimit të saj. Hedhja e hapave të parë drejt reformave përmbajtësore duhet të filloj me organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të lira dhe të ndershme partiake, për ta zgjedhur një kryetar dhe kryesi kredibile që tubon rrethë vetes votuesit pasiv, veprimtarët dhe themeltarët e viteve të ’90-ta në Kosovë dhe Diasporë, përkatësisht elektoratin e saj të shpërndarë nëpër partitë e tjera përgjatë udhëheqjes së LDK-së post-rugoviane.