Husaj: Pozitë dhe Opozitë, kundër mini-hidrocentraleve që degradojnë bukuritë e Pejës

Husaj: Pozitë dhe Opozitë, kundër mini-hidrocentraleve që degradojnë bukuritë e Pejës

Adem Lushaj

Kuvendi Komunal i Pejës, përkatësisht anëtarët e këtij Kuvendi, duhet të jenë më aktiv, qoftë me diskutimet e tyre apo veprime konkrete në marrje të iniciativave për ngritje të shqetësimeve të qytetarëve, apo të kërkimit të transparencës dhe llogaridhënies institucionale. Kontribut të çmuar në hartimin e strategjive, rregulloreve apo të angazhimit të qytetarëve, po japin organizatat joqeveritare që veprojnë në komunën e Pejës. Kështu është deklaruar kryetari i këtij Kuvendi, Islam Husaj, i cili është edhe kryetar i Kolegjiumit të kryetarëve të Kuvendeve komunale të Kosovës. Po ashtu, Husaj ka thënë se anëtarët e Kuvendit të Pejës do jenë monitorues të vazhdueshëm të zbatimit të vendimeve të nxjerra nga Kuvendi, zbatim që duhet bërë nga ekzekutivi komunal. Sipas tij, vetëm gjatë vitit 2019, anëtarët e Kuvendit komunal të Pejës kanë nxjerrë 86 vendime dhe aprovuar 6 rregullore të sponsorizuara nga ekzekutivi komunal apo Organizatat Joqeveritare.
“Gjatë vitit 2019, anëtarët e Kuvendit kanë mbajtur 11 takime të rregullta dhe 2 të jashtëzakonshme, ku janë shqyrtuar dhe aprovuar 6 rregullore dhe nxjerrë 86 vendime për fusha të ndryshme”, ka treguar specialisti i mjekësisë familjare Islam Husaj, i cili është në mandatin e dytë si kryesues i këtij Kuvendi. Sipas Husaj, në nxjerrjen dhe aprovimin e këtyre dokumenteve, kontribut të madh kanë dhënë organizatat e shoqërisë civile, sidomos Syri i Vizionit dhe Let’s do it Peja. “Duhet pranuar se OSBE dhe OJQ-të e ndryshme, qoftë me iniciativa apo veprime konkrete, po ndihmojnë në përgatitje te rregulloreve apo edhe të ndërmarrjes së veprimeve për rritjen e përgjegjësive institucionale, si në çështjen e transparencës ashtu edhe të llogaridhënies, si komponentë të qeverisjes së mirë”, është shprehur kryetari Husaj, i cili ka treguar se mbulesa mediale e zhvillimeve në këtë komunë, nuk është e kënaqshme, ngase është një numër i vogël i mediumeve që i mbulojnë ngjarjet në Pejë. Për kryetarin e Kuvendit të Pejës, një ndër vendimet më të rëndësishme të kësaj legjislature, është vendimi për mos lejim të degradimit të natyrës, apo mos lejim të ndërtimit të mini-hidrocentraleve në rrjedhën e lumit në Grykën e Pejës. “Në Planin Zhvillimor Komunal 2020-2028, është e specifikuar që TË NDALOHET NDËRTIMI I MINI-HIDROCENTRALEVE në Lumbardhin e Pejës”, ka bërë të ditur Husaj, duke thënë se për këtë vendim kishte një konsensus të gjerë, pozitë dhe opozitë, sikurse edhe të kryetarit, Gazmend Muhaxheri. Gjithnjë sipas Husaj, askush nuk është kundër shfrytëzimit të resurseve natyrore për prodhim të energjisë së ripërtërishme, por jo duke shkatërruar bukuritë natyrore të Grykës së Rugovës. Po ashtu, një nga vendimet e rëndësishme të nxjerra nga Kuvendi, është edhe vendimi që kundërshton vendosjen e Laurës në hyrje të Grykës së Rugovës, kundërshtim i bërë për shkak të obligimeve që i’u vihen qytetareve me pagesa për hyrje në këtë zonë. Husaj ka treguar edhe për raportet pozitë-opozitë, sikurse për raportin me ekzekutivin komunal. Sipas tij, është normale që subjektet opozitare, sikurse ato pozitare, të mbrojnë qëndrimet partiake, por duhet të jenë me pragmatik në çështje që kanë të bëjnë me interesat e zhvillimeve, e jo çdoherë të dilet me kundërshtime dhe mos konstruktivitet politik. “Jo veç nga këshilltarët opozitar, por edhe nga këshilltarët e pozitës, mungojnë iniciativa të cilat do ishin në interes të zhvillimeve”, ka nënvizuar Husaj, duke thënë se kishte raste kur edhe vet si kryesues kishte votuar kundër kërkesës së ekzekutivit komunal, përkatësisht të kryetarit të Komunës, edhe pse i takojnë të njëjtit subjekt politik, atij të LDK-së. “Është në përgjegjësi të Kuvendit të mbikëqyr e punën e ekzekutivit komunal, qoftë në respektimin e Ligjit mbi vetëqeverisjen komunale, Statutit të Komunës apo të akteve tjera ligjore”, ka nënvizuar Husaj duke thënë se gjatë vitit 2019, Kryetari i Komunës Gazmend Muhaxheri ka raportuar 5 herë para këshilltarëve komunal, sikurse merr pjesë, pothuajse në të gjitha takimet e Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit të Pejës, Islam Husaj, nga pozita e kryetarit të Kolegjiumit të kryetarëve të Kuvendeve komunale, ka fol edhe për sfidat që përballën kolegët e tij nëpër disa komuna të Kosovës, gjë që ka kërkuar nga Ministria e Pushtetit Lokal të nxjerrë Udhëzim Administrativ me të cilin do kaloheshin sfidat për punë më të efektshme nëpër çdo komunë. “Si kryetar i Kolegjiumit ka kërkuar nga Ministria përgjegjëse të nxjerrë Udhëzim për sekretarinë e Kuvendit, me të cilin do përmbusheshin disa nga nevojat e Kryetarëve të Kuvendeve komunale”, ka thënë Husaj, i cili beson se një kërkesë e tij do gjen mbështetjen e Qeverisë, përkatësisht të Ministrisë së Pushtetit Lokal.