HISTORIA MBAN SHËNIME!

Bedri TAHIRI

HISTORIA MBAN SHËNIME!

Me poetin e Akademikun Xhevahir Spahiu pranë Monumentit Luftëtari i UÇK-së, në oborrin e Hotelit “DRENICA”, pronë e Kapitëve të Durrësit, ku u bë mobilizimi i vullnetarëve luftëtarë…Ky dijetar dhe burrë i madh i kombit në atë kohë ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe e kishte ndihmuar luftën tonë çlirimtare, duke e vënë yzrën e vet në shërbim të UÇK-së.

Nga intervista që bëra me të, shkëputa këto mendime për Drenicën heroike dhe për lokalin “DRENICA” të Durrësit.

“Shpirtërisht kam qenë jetë e mot me Drenicën heroike. Dhe gjithmonë, në mënyrë poetike, këtë emër, Drenicën, e lidh me drenin e me Drinin, i cili buron rrëmbyeshëm në dy vende, Drini i Bardhë e Drini i Zi, dhe pastaj bashkohen në NJË. Kur isha për herë të parë në Kosovë, më 1979, isha i fundit nga poetët e Shqipërisë që shkoja në atë pjesë të truallit tonë.

Pas luftës së fundit fati e deshi që të jem ndoshta poeti i parë që vizitova Kosovën. Isha me miqtë e mi të respektuar: Moikom Zeqon, Bardhyl London e Pano Taçin. Kur hymë, Drenica mbante erë shkrumbi e erë baruti. Ndalojmë në Drenas. Doja ta shihja vendin ku ishte vrarë poeti i njohur Ymer Elshani me gjithë familje. Në oborrin e shtëpisë së tij na pret një plak mbi të 70-tat, me qeleshe të bardhë në kokë e me një shall malësori. Ishte babai i poetit. Pasi përshëndetemi vëllazërisht, ulemi në tokë. Lotët na pushtuan. Të gjithë qanim. Ai qante pa zë, unë isha gati të vija kujën, por u përmbajta. Aty erdhi edhe i vëllai i Ymerit. Kur erdhën policët serbë fill u drejtuan nga ai grumbull me thengjill,- tregon ai me dorë andej nga cepi i oborrit. Aty gjetën dorëshkrimin e një vepre të Ymerit kushtuar Skënderbeut, të cilën e asgjësuan. Nga dritarja e dhomës së punës së poetit dëshmor shikoja një kumbull. Një frymëzim i çastit ku më lindën disa vargje…

DRENICA” e Durrësit është qendra kryesore e frymëzimeve atdhetare këtu buzë detit. Ky muze i vogël, në shikim të parë, por shumë domethënës, në vete mbledh gjithë dashurinë e trojeve shqiptare. Më vjen mirë që DRENICA, kjo shtëpi lirie dhe tempull i atdhetarisë, pikërisht u pagëzua nga poetët dhe artsitët. Ai takim e ndërshqiptarizoi këtë vend, nga i cili buroi jetësimi i çështjes sonë madhore, çlirimi kombëtar. Paskëtaj që këtu duket deti dhe deti është liri, është kulturë, është Evropë.

Por, unë mendoj që në thellësinë e tij populli e ka të shenjtë në zemër emrin e luftëtarëve të lirisë. Sot ai mund të hesht për këtë harresë, por nesër do t’u kërcas dhëmbët dhe do t’u kërkojë llogari Qeverisë së Shqipërisë  dhe Qeverisë së Kosovës!

Historia mban shënime!