Historia e tretë e plakut Ç. K. (XVII)

Metamorfoza në pushtetin e qenieve të errëta –XVII-

Reis Mirdita

Dimër që nuk mbahej mend nga më parë! Ngrica dhe bora kishin vendosur t’ia mbyllin shemin e derës këtyre anëve. Këtu në qytet disi kishte gjallëri por nëpër fshatra, sidomos ata të malësisë gjithandej, ishin të ndrydhur të kacafyten me mungesën e ushqimit dhe zahiren e kafshëve. Ja në këto rrethana më lajmëruan se plaku Ç. K. ishte shtri në shtrat nga ethe të tmerrshme dhe se më kërkonte pa ndërpre, i zgjuar apo në kllapi, përmendte emrin tim.

Në mëngjes herët bëra dhjetëra kilometra me veturë. Rrugën dy orësh e bëra për katër. Arrita në fshatin H. (Kosovë) nga ku u nisa në këmbë bashkë me dy të rinj por më të moshuar se unë, me gomarë çdonjëri dhe një mushkë të ngarkuar me ca kilogramë miell, sheqer, kripë…

Tri orë të kaluara, arritëm në fshatin ku jetonte plaku i respektuar i këtyre anëve, xha Ç. K. Herën e fundit ishim pa para tri vitesh gjithashtu në dimër por shumë më i butë se ky i këtij kallnori të hatashëm.

Më pritën të hareshëm nga që arrita. Hyra në odën e madhe të mikpritjes. Aty ia kishin rregulluar shtratin plakut të shtëpisë që dergjej prej dy javësh e këndej. Dashamirë e miqësi vinin reshtur për ta pa trimin e urtë të këtyre anëve. U përshëndeta me të, u ula pranë dhe vazhduam pyetjet rreth njerëzve dhe gjërave që na shoqëronin në jetë. Si me shaka, xha Ç. K. më thotë:

-Do të mëkëmbem patjetër ishalla se nuk dua të vdes në këtë acar! Që do Zoti, do të ndërroj jetë në pranverë me diell, buzëqeshi lehtë dhe vazhdoi, – do të çoj fjalë 1-2 ditë para! Eja se kam mall të më përcjellësh për në jetën tjetër. Miratova disi me lëvizje koke dhe ndërrova bisedën. Xha Ç. K. po ashtu, duke më thënë akoma se kishte ca porosi për mua por se këtë, do ta bisedonim vonë në mbrëmje, sy më sy.

***

“Ti e din më mirë se unë, rrënjët dhe vendbanimet e xhindeve janë lumenjtë por jo të gjithë janë të rrezikshëm sikur ujërat e rrëmbyeshëm e të zhurmshëm që zbresin grykave të maleve. Më i mbushuri me xhinde në këto anë tonat, prej detit e përtej këtyre maleve ku jetojmë, është lumi i qytetit tënd, zhurma e të cilit dëgjohet gjer në Budim e gjer në Stanboll por fatmirësisht, njerëzit  janë të paaftë ta dëgjojnë se do çmendeshin nga tmerri. Ky lumë shkumon nga marazi i rëndë që ka. Shkuma e tij shkon në det dhe merr botën. Në liqenet mbi burimin e tij, janë “qytetet” (vendbanimet, – shën. im) më të mëdha të banuara me xhinde! Të tregoj këtë jo që ti nuk e din, por për të këshilluar se je i pari i rrezikuar nga to. Jeta yte varret nga ti! Po se u lirove rrugë, mbarove! Ti je kundërshtari më i madh i tyre dhe mundohu t’ua shterosh forcën. Vetëm shterja e fuqisë i rrallon gjer në pamundësinë e tyre për tu shtuar. Ata nuk do të zhduken por do t’iu pakësohet jashtëzakonisht shumë kapaciteti i të bërit keq. Vend tjetër i rrezikshëm, vend ku janë bërë dhe po bëhen ende sot tiranitë më të mëdha, gjendet disa kilometra larg qytetit. Njeriu me nofkën Hekri që është ende aktiv, në të vërtete është xhinde. Në këtë rrethinë, në këto fshatra ec e hulumto! Do të jesh shpesh në rrezik jete por nuk do ta pësosh nga to. Më vështirë do të jetë t’i bartësh thash e thënat por kjo vetëm vitin e parë të gjurmimeve, mandej regjioni i tërë do të friken pa masë. Do të krijojnë bindje se je njeri i zbritur nga qielli dhe një legjendë e re do të lind; do të flitet keq por më shumë, mirë. Ti do të zbardhësh shumë fshehtësi të tmerrshme të bëra me ndërmjetësimin si dhe me nismat e Hekrit.

Këshilla tjetër e imja për ty është që ta ruash kontaktin me zotëri Ismailin. Njeri i pa shkolluar por që ka mësuar vet shkrim-leximin. Por kjo nuk është më e rëndësishmja. Ajo që duhet ti të bësh është t’i shënosh çdo fjalë që të tregon. Takoheshim nganjëherë ditëve të pazarit kur vija në qytetit tuaj. Ai ka memorie të pashlyeshme. Me të nuk ke punë e luftë kundër qenieve të errëta, të padukshme për njeriun. Ai do t’i jep me data, e me emra të gjithë luftëtarët dhe themeluesit si dhe pjesëmarrësit e dy Lidhjeve. Flas për Lidhje të Prizrenit. Ty, nuk di pse ka formuar një bindje që je më i përshtatshmi për t’i parashtruar të dhënat që i ka në memorie. Të gjitha: të dëgjuara, të lexuara dhe të përjetuara. Janë të dhëna historike me vlerë të pa para mendueshme. Shënoi, nëse jo, do të jetë një humbje e madhe për Historinë tonë Kombëtare”.

Komplement:

Xha Ç. K. vdiq një ditë me diell të pranverës. Më çuan fjalë një ditë para se të vdiste. Kishte shprehur dëshirë që unë ta laja. Ashtu edhe u bë.

Zotëri Ismaili, nga i cili i morra shumë shënime (fatkeqësisht jo krejt), ndërroi jetë 11 vjet pas. E mbyti shteti komunist duke lëshuar një deklarate se gjetën personin I …. të vetëvrarë! Rrenë e kulluar por për këtë, në një vepër tjetër me tematikë historike.